Miliona për t’u paguar, Vllaznia bën pakt me 13 lojtarë. Ja prapaskenat
Vllaznia, ashtu si shumica e klubeve në Shqipëri, nuk mund të bëjë përjashtim me vonesat e pagave. Kjo ndoshta është edhe një nga arsyet e largimeve në masë nga shkodranët pas përfundimit të sezonit.
Lojtarët e larguar, kanë ikur të gjithë me të njëjtin shqetësim, pavarësisht se në të shkuarën Vllaznia ka pasur precedentë të tillë dhe ka arritur t’i likuidojë lojtarët. Të njëjtën gjë ka premtuar se do ta bëjë edhe në këtë verë. Me një dashamirësi për të mos i prishur punë njëri-tjetrit, “Panorama Sport” mëson se lojtarët e larguar dhe klubi në momentin që kanë marrë lejekalimin, kanë arritur një marrëveshje personale me klubin në lidhje me pagesat e prapambetura.
Në të parashikohet se në rast se Vllaznia nuk i shlyen detyrimet deri në muajin gusht, kur dhe i është premtuar nga drejtuesit, lojtarëve u lind menjëherë e drejta ta hedhin klubin në gjyq, çka do të pasohej nga dënime të rënda. Kjo marrëveshje është miratuar nga të dyja palët, me klubin që është treguar i bindur se do të arrijë të bëjë shlyerjen totale, pavarësisht se nuk kemi të bëjmë me shifra të vogla.
Numri i të larguarve nga Vllaznia ka shkuar në 13-të. Ante Aralica, Liridon Latifi, Kaina Nunjesh, Kristjan Vulaj, Elvedin Heriç, Dajan Shehi, Ardit Hoxhaj, Darko Bulatoviç, Arsid Kruja, Fjoart Jonuzi, Erdenis Gurishta, Herald Marku dhe Bojan Zogoviç kanë ndërprerë marrëdhënien kontraktuale me klubin.
Ikja e tyre shkurton në një masë të konsiderueshme edhe buxhetin e klubit, që duket se në këtë sezon nuk do të tentojë më “pesha të rënda”. Skuadra shkodrane pritet të luajë në Ligën e Konferencës, ku do të ketë mundësinë të fitojë një shifër të konsiderueshme të ardhurash, që nis nga 250 mijë euro të sigurta.
ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"