Miqësore para nisjes drejt Italisë, Dinamo luan kundër Dinamos… së Ferizajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 17:15

Miqësore para nisjes drejt Italisë, Dinamo luan kundër Dinamos… së Ferizajt

Një ditë para se të niset drejt Italisë, ku do të zhvillojë një pjesë të mirë të fazës përgatitore, Dinamo do të luajë miqësoren e dytë. Blutë do të ndeshen sot, në orën 18:30 me Dinamon e Ferizajt.

Dinamo

Ndeshja do të zhvillohet në kompleksin e Arbanës dhe do t’i shërbejë stafit teknik për të parë deri në çfarë pikë kanë arritur me përgatitjet për sezonin e ri, si dhe për përshtatjen e lojtarëve të rinj me grupin. Një miqësore “derbi” mes dy Dinamove. Kundërshtari i kryeqytetasve në fakt nuk është pjesë e elitës së futbollit kosovar. Ishte shumë pranë ngjitje sezonin e fundit, por nuk ia doli. Për trajnerin Dritan Mehmeti do të jetë një test i mirë në këtë pikë të rëndësishme të fazës përgatitore. Javën e kaluar Dinamo luajti miqësoren e parë po në Arbanë, ku u mund 1-0 nga Vora e Kategorisë së Parë.

SKUADRA – Klubi blu është në përpjekje të vazhdueshme për të kompletuar skuadrën. Ishte menduar në fakt që në listën e Italisë të kishte ndonjë vend bosh, që mund të plotësohej me ndonjë element të vlefshëm nga vendi fqinj. Por Dinamo ka ende nevojë për disa lojtarë me peshë në të tre repartet, sidomos në mesfushë dhe në sulm. Drejtuesit e kësaj skuadre kanë kontakte të vazhdueshme me lojtarë të ndryshëm, por duhet pranuar fakti se në këtë fazë të merkatos është e vështirë të gjesh element me kualitet.

Deri tani Dinamo ka bërë 7 përforcime zyrtare, që janë portieri Teqja, mbrojtësi Muzek, mesfushorët Dita dhe Doçi, si dhe sulmuesit Mandela, Qardaku dhe Xhordi. Dy prej këtyre lojtarëve janë vetëm 19 vjeç dhe mund të konsiderohen më tepër një investim për të ardhmen e Dinamos. Largimet në anën tjetër kanë qenë të shumta, kështu që grupi duhet ende të plotësohet.

OBJEKTIVAT – Vëmendja kryesore e klubit kryeqytetas në merkato është afrimi i një numri 10 dhe një sulmuesi cilësor, por edhe e disa alternativave. Një pistë është ajo e Bekim Maliqit, kosovarit që luan në linjën e djathtë. Bisedimet kanë nisur ditë më parë, por ende nuk ka gjë konkrete.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"