Miqësorja e parë e Elbasanit, trajneri Bordin debuton me fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 16, 2024 | 9:04

Miqësorja e parë e Elbasanit, trajneri Bordin debuton me fitore

Elbasani ka fituar testin e parë miqësor me ekipin e Voskës në Maqedoninë e Veriut, ku i mjaftoi një gol nga Spartak Ajazi në pjesën e dytë.

elbasani

Një miqësore që i shërbeu pikë së pari trajnerit Roberto Bordin të shohë për herë të parë në fushë skuadrën e tij dhe lojtarët që do të duhet të mbështetet për këtë edicion të ri futbollistik. Bordin hodhi në fushë ata që për momentin duket se gëzojnë një formë më të mirë fizike, duke bërë edhe disa përshtatje në formacion. Me Totoshin në portë, mungesat e Telushit dhe Zaimit në qendër të mbrojtjes, për shkak të problemeve të vogla muskulore, bën që tekniku italian të provojë në qendër Emiljano Mustën, së bashku me Bruno Lulajn.

Nga krahë u aktivizuan Lila me Klevis Kasën, ndërsa Hasani, Arsen Kasa dhe Dros luajtën në mesin e fushës. Hila, Melo dhe Gjoni formuan treshen e sulmit. Edhe pse një sfidë thjesht miqësore dhe për më tepër jashtë vendit, nuk munguan as tifozët elbasanas që ishin kureshtarë të shihnin ekipin për të cilin do të bëjnë tifo këtë sezon në Superiore.

NDESHJA Sa i përket takimit, në tërësi ka qenë një ndeshje e dominuar nga elbasanasit, të cilët jo vetëm që kanë qenë më kërkues në fushë me rastet e krijuara, por njëkohësisht nuk linin hapësira pas për kundërshtarët. Kryesisht me një lojë të shpejtë nga krahët dhe depërtime në zonë, verdheblutë vunë disa herë në provë portierin kundërshtar, por pa ia dalë dot që të shënojnë në pjesën e parë, e cila mbyllet në barazim pa gola.

Në këtë fraksion, evidentohet edhe një ndërhyrje vendimtare e Klevi Totoshit, duke i mohuar golin në të vetmin rast të vendësve. Në të dytën, Bordin nis të bëjë zëvendësimet dhe hedh në fushë thuajse të gjithë lojtarët që ka në dispozicion. Ritmi është i kënaqshëm, sërish me verdheblutë që dominojnë dhe ushtrojnë presion në zonën kundërshtare. Mirëpo, goli do të vinte në minutën e 72-të me anë të Ajazit, që tregohet i saktë për të ndalur sferën në rrjetën e portierit kundërshtar.

Në minutën e 85-të ekipi i Voskës ka mundësinë për të barazuar shifrat nga pika e bardhë e penalltisë, por është portieri Redon Gega që kupton gjithçka dhe neutralizon goditjen. Mbyllet kështu në shifrat minimale 1-0 kjo miqësore në favor të verdhebluve, me Roberto Bordin që e nis me këmbën e mbarë aventurën e tij me Elbasanin.RYY

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"