Miqësorja i nxori zbuluar, në Korçë do të bëjnë edhe 3 afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2024 | 23:14

Miqësorja i nxori zbuluar, në Korçë do të bëjnë edhe 3 afrime

Testi i parë miqësor edhe pse i humbur me rezultatin 3-0 kundër Kalitheas duket se ka sjellë në Korçë përgjigjet e duhura rreth gjendjes aktuale të ekipit dhe pritshmërive të skuadrës që duan të ndërtojnë drejtuesit e Skënderbeut për sezonin e ri.

Skenderbeu

Pikërisht veç asaj që arritën të tregojnë lojtarët që ka në përbërje ekipi, stafi bardhekuq ka parë si të nevojshme afrimin e elementëve të tjerë për të plotësuar më shumë skuadrën, me qëllim që t’i japin trajnerit Ivan Gvozdenoviç një grup të plotë, mbi të gjitha cilësor, për startin e sezonit të ardhshëm me ambicie dhe objektiva të qarta. Në kushte të tilla duket se drejtuesit e merkatos së Skënderbeut janë duke kërkuar edhe tre elementë të tjerë, të cilët do të plotësojnë skuadrën prej 25 lojtarësh cilësorë, duke dubluar çdo pozicion, por mbi të gjitha duke sjellë në ekip alternativa të vlefshme dhe shumë konkurrencë mes grupit.

Burime të sigurta bëjnë me dije për “Panorama Sport” se pas miqësores së datës 16 korrik drejtuesit e merkatos korçare dhe stafi teknik kanë dalë në konkluzionin e përbashkët se në të tilla kushte ku është ekipi duhen edhe të paktën tri afrime cilësore, për të krijuar një grup kompetitiv për sezonin e ri. Nga sa arrin të mësojë gazeta bëhet fjalë për dy sulmues dhe një mesfushor në fazën organizative, të cilët janë kërkuar me ngulm nga trajneri bardhekuq.

Lojtarë këta që janë vlerësuar si të nevojshëm edhe nga drejtuesit e klubit korçar. Në këto kushte pritet që Takaj dhe enturazhi i tij i merkatos të bëjnë përzgjedhjet e duhura për të piketuar dhe afruar lojtarët e kërkuar nga stafi teknik. Nga burime të gazetës mësohet se Gvozdenoviç ka kërkuar të ketë një pikë referimi në majën e sulmit për të dubluar pozicionin që tashmë e mban Bismark dhe një tjetër sulmues krahu që i përshtatet skemave të lojës dhe taktikave korçare.

Më tej për të kompletuar treshen e kërkesave drejtuesit e Skënderbeut po shohin mundësinë e afrimit edhe të mesfushori që mbulon jo vetëm anësorin e mesfushës por të gjithë linjën për të pasur më shumë garanci.

Për momentin emrat nuk janë piketuar ose të paktën nuk bëhen publikë, por ajo që dihet është fakti se vetëm një prej tyre mund të jetë i huaj, ndërsa të tjetër duhet patjetër të jenë futbollistë vendës, për të mos shkaktuar mbipopullim me lojtarë të cilët nuk mund të aktivizohen njëherazi në fushë, siç përcakton edhe rregullorja e FSHF-së. Ndërkohë, klubi ka zyrtarizuar edhe dy futbollistë si portieri Kristjan Rroku dhe medfushori Kamleu Frenklin, të cilët prej ditës po stërviten me korçarët.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"