Miqësorja, një tjetër futbollist i Skënderbeut në kombëtare
Skuadra Shpresa do të zbresë edhe një herë tjetër në fushë për të zhvilluar testin e radhës, përpara se të vijë radha për ndeshjet kualifikuese në muajin qershor. Kundërshtari nuk ndryshon, mirëpo trajneri Alban Bushi do të kërkojë nga të tijtë maksimumin.
Jo vetëm në seancat stërvitore, por edhe me deklaratat e tij për mediat, Bushi ka lënë të kuptohet se në ekipin kombëtar U-21 nuk do të ketë të paprekshëm, ashtu siç asnjë nuk duhet të ndihet i përjashtuar. Trajneri e ka bërë me dije se gjithkush mund të ketë ftesë në të ardhmen nëse do ta meritojë, ashtu siç, çdonjëri mund të mbetet jashtë listës nëse nuk e justifikon ftesën me paraqitje pozitive në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve miqësore apo zyrtare.
MIQËSORJA
Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena”, Kombëtarja U-21 do të përballet edhe një herë tjetër me përfaqësuesen e Moldavisë. Skuadra e Bushit, këtë herë do të luajë në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese që do të zhvillohen në qershor.
Sot, në kryeqytet në orën 15:00, kuqezinjtë e vegjël do të zbresin edhe një herë në fushë për të zhvilluar një tjetër test, i cili, së pari, do të shërbejë që trajneri të njihet mirë me vlerat e lojtarëve, por edhe që këta të fundit të mësohen me lojën në grup dhe me cilësitë e njëri-tjetrit.
RISIA
Për këtë ndeshje, trajneri Bushi ka edhe një risi në listë. Bëhet fjalë për Nazmi Gripshin, mesfushori i Skënderbeut. Me largimin e Bares drejt skuadrës së parë përfaqësuese, Bushi e ka plotësuar vendin e tij me një futbollist nga kampionati shqiptar.
Në konferencën për mediat për prezantimin e listës në lidhje me dy miqësoret ndaj Moldavisë, trajneri Bushi deklaroi se nga kampionati shqiptar ka disa elemente cilësore që e kanë treguar veten se janë të gatshëm për të luajtur me ekipin Shpresa dhe se nuk kanë nevojë që të testohen.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"