Misioni më i vështirë, sa fronte për Ançelotin në sezonin e ri. Ja objektivi i Realit të Madridit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2024 | 8:46

Misioni më i vështirë, sa fronte për Ançelotin në sezonin e ri. Ja objektivi i Realit të Madridit

Reali i Madridit fitoi thuajse gjithçka në sezonin e kaluar, ku pa dyshim titulli në La Liga dhe Liga e Kampioneve ishin maja e triumfit. Por nëse Reali ka diçka të veçantë që nuk e gjen kudo është se nuk të lejon vetëkënaqësi.

Carlo-Ancelotti-1

Në Madrid nuk ka vend për relaks, sepse me të përfunduar një sezon i suksesshëm nis një tjetër ku pritet edhe më shumë. Dhe Ançeloti e di mirë këtë, e pranon sfidën dhe pajtohet me kushtet. Skuadra që fitoi dyfishin e Ligës-Champions në 2024 ka nisur nga e para më 15 korrik për të shkuar për gjithçka në sezonin 2024-2025. Shumë fronte sportive, por edhe qëllime personale (Topi i Artë…), të gjitha nën kujdestarinë e Karlo Ançelotit. Sfidat për italianin janë të shumëfishta dhe variojnë nga ajo filozofike (si të jetosh pa Kros) deri te mënyra e hedhjes së themeleve për të ardhmen me menaxhimin e minutave të talenteve të rinj Gyler dhe Endrik, çfarë do të ndodhë me hendekun në portë, apo dhe tema të tjera.

SHTATË NGA SHTATË – Madridi është i vetmi klub në Evropë që do të garojë për shtatë tituj në sezonin 2024- 2025. Mund të jetë një ultra maratonë nga 14 gushti (finalja e Superkupës së Europës) deri më 15 korrik 2025 (Botërori i Ri i Klubeve), me 72 ndeshje në tre kontinente të ndryshme. Një përpjekje titanike që klubi dhe skuadra e kanë si objektiv.

FENOMENI MBAPE – Lojtari që po mbërrin në Madrid nuk është versioni më i mirë i Kilië. Sezoni i tij 2023-2024 ishte torturues për shkak të marrëdhënieve të tij të ndërlikuara me PSG-në. “Euro 2024” nuk ishte në asnjë mënyrë, balsami që ai kërkonte. Përkundrazi, fraktura në hundë e theksoi zhgënjimin e tij. Ndaj detyra e Ançelotit është të rikuperojë Mbapenë më të mirë dhe të sigurojë që bashkëjetesa me Vinicius në sulm të jetë e dobishme për të dy. Edhe pse të dy yjeve u pëlqen të luajnë nga e majta, me kalimin e francezit si një numër nëntë, aftësitë e tij dhe të brazilianit mund të bëhen komplementare. Gjatë rrugës, ideja është që ëndrra e të dyve si dhe e Bellingamit, të afrohet akoma më shumë me “Topin e Artë” 2024.

GYLER DHE ENDRIK, “TË URITUR” – Menaxhimi i minutave të dy gjenive të rinj do të jetë një tjetër pikë ku Ançeloti do të duhet të ofrojë një tjetër “master class” në aftësinë e tij për të menaxhuar dhomat e zhveshjes. Ai diti të ridrejtonte zhgënjimin e Gylerit në sezonin e kaluar dhe në festimet për titullin e 36-të në La Liga dhe Champions numër 15, italiani la të kuptohej se perla turke do të jetë një pjesë e rëndësishme e Realit në sezonin e ri. Roli i Endrik, i cili mbërrin në Madrid, duke thyer rekordet e parakohshme të Pelesë me Brazilin, do të jetë aty të lehtësojë Mbapenë. Hoselku për shembull, në atë rol, kishte 2097 minuta sezonin e kaluar dhe diti t’i shfrytëzonte në maksimum, me 17 gola. Endrik-ut do t’i kërkohet diçka e ngjashme: mësoni dhe integrohuni, duke qenë produktiv. “Nuk kam të drejtë ta shpërdoroj këtë dhuratë,” ka thënë ai duke e ditur se çfarë e pret.

JETA PA KROSIN – Valverde do të bëhet lideri shpirtëror i mesfushës, edhe pse stili i tij do të jetë i ndryshëm nga ai i legjendës gjermane. Bellingam do të duhet gjithashtu të rregullojë pozicionin e tij brenda linjës së tre mesfushorëve, po, edhe nga profili i majtë si vitin e kaluar. I vetmi dyshim është vazhdimësia ose jo e Sebajos.

PORTA – Qenia e Tibo Kurtua titullar në finalen e Ligës së Kampioneve në sezonin e kaluar rikonfirmoi belgun si portierin numër një të Realit dhe Lunin si “viktimën” më të madhe kolaterale në planet. Ukrainasi kishte pranuar të rinovonte deri në vitin 2029, por ai është duke e menduar. Ai ka oferta. Madje, mediat e bëjnë të sigurt kalimin e tij te Çelsi. Prandaj Kepa është plani B i mundshëm.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"