Misioni “Torpedo”, Tirana pret edhe dy afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2024 | 8:32

Misioni “Torpedo”, Tirana pret edhe dy afrime

Tirana nga e hëna nis përgatitjen e madhe për sfidën me Torpedon e Kutaisit, kundërshtarin në Europë. Bardheblutë kanë lënë pas përgatitjet në Ohër që nisën mbi 10 ditë më parë dhe pas turit të forcës tani do të zbresin në “Skënder Halili”. Stërvitja do të nisë pasdite dhe do të jetë e fokusuar vetëm te gjeorgjianët.

TR

MERKATOJA – Tirana është duke parë në merkato për të afruar të paktën 4 lojtarë, por ata do të vinë vetëm pas Europës. Në këtë moment do të prezantohen dy lojtarë. Kështu klubi bardheblu është pranë akordit me një lojtar francez që luan në Belgjikë, dhe që ka dalë nga akademia e PSG-së. Ai është Mahamadou Dembele. Në këtë moment që flasim është pa kontratë dhe pritet të firmosë me Tiranën. Sezonin e fundit ka qenë pjesë e RFC Seraing ku është aktivizuar 10 takime. Është qendërmbrojtës dhe në karrierën e tij sportive ka ekipe të mëdhenj si Salsburgu, Pau, FC Liefering, Troyes, RFC Seraing U23, Sittard. Lojtari ka qenë pjesë e të gjitha skuadrave kombëtare të Francës deri te U-21. Është 25 vjeç dhe vlen 250 mijë euro. Bardheblutë shpresojnë që kjo do të blerja e duhur për qendrën e mbrojtjes.

Tirana pritet të prezantojë edhe një sulmues të krahut të djathë. Abel Abah. Futbollisti është me origjinë nigeriane dhe luante në kampionatin serb, më saktë në kategorinë e dytë. Nigeriani është 21 vjeç, 1.77 metra i gjatë dhe shënon 26 ndeshje, katër gola, tri asiste dhe 1878 minuta në fushë. Lojtari ka prej vitit 2022 në kampionatin serb dhe e njeh shumë mirë futbollin ballkanas. Lojtari ka marrë vizën dhe do të bashkohet këtë javë me ekipin në stërvitje.

QËLLIMET – Si fillim i duhen dy qendërmbrojtës, një mesfushor qendre dhe një sulmues. Drejtori Ibraimi është fokusuar te mbrojtja, me Najdovskin që është në “stand by” dhe fjalë të tjera. Tiranës i duhet edhe një qendërsulmues, që po kërkohet nga drejtuesit. Në fund ekipi do të afrojë edhe një mesfushor që luan para mbrojtjes. Ka ardhur një spanjoll, por skuadra kërkon edhe një alternativë tjetër.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"