Mitraj në stërvitje me Partizanin, lojtari mohon kontaktet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2013 | 11:58

Mitraj në stërvitje me Partizanin, lojtari mohon kontaktet

MitrajPas blerjeve në kampionatin kosovar dhe atë maqedonas e rinovimit të tre futbollistëve që kanë luajtur me Partizanin sezonin e shkuar, në kampin e kuq ka mbërritur një lojtar nga kampionati shqiptar. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e Tomorit, Aldo Mitraj, i cili sezonin e shkuar nuk ka arritur të gjejë shumë hapësira në kampin beratas, duke u aktivizuar në 12 ndeshje dhe realizuar 6 gola. Duhet thënë se sulmuesi ka luajtur më shumë në takimet e fundit të sezonit, kur Tomori kishte siguruar rënien nga Kategoria Superiore. Gjithsesi, sipas njoftimit zyrtar të bërë nga zyra e shtypit pranë klubit të kuq, mësohet se futbollisti ende nuk ka firmosur kontratë, por do të jetë në provë për disa ditë dhe më pas do të vendosë trajneri Hasan Lika për të ardhmen e tij. Mitraj në karrierën e tij ka luajtur në disa ekipe të kampionatin shqiptar. Partizani ditët e fundit është vënë në kërkim të dy sulmuesve dhe një mesfushori fantazist, që sipas të gjitha gjasave do të vijnë nga tregu i huaj i futbollistëve, pasi vetë drejtuesit janë shprehur se tregu shqiptar nuk të jep shumë mundësi. Maqedonasi Marjan Andonov, javën e shkuar zhvilloi rreth katër ditë provë me Partizanin, por nuk bindi dhe klubi nuk i ofroi kontratë, duke e larguar.
Mashtrimi – Vetëm pak orë përpara se të dilte në stërvitje me të kuqtë, sulmuesi i Tomorit, Aldo Mitraj, është kontaktuar nga korrespondenti i “Panorama Sport”, në qytetin e Beratit, për ta pyetur për një përfshirje të mundshme të tij te Partizani. Por, përgjigja e lojtarit ka qenë e prerë, duke mohuar në mënyrë kategorike çdo aktivizim të tijin te skuadra e kuqe për sezonin e ardhshëm. Lojtari madje është shprehur se deri ditën e djeshme nuk kishte pasur asnjë kontakt me drejtuesit e kuq, kështu që nuk kishte asnjë shans që ai të ishte pjesë e atij ekipi. Por, mashtrimi i futbollistit ka dalë në pah vetëm pak orë më vonë, kur ai është parë në stërvitje nën urdhrat e trajnerit Hasan Lika dhe ka qenë pikërisht ky i fundit që e ka prezantuar lojtarin përpara pjesës tjetër të skuadrës, duke u shprehur se Mitraj do të ishte në provë te Partizani. Tashmë lojtarit i duhet të garojë për të bindur stafin drejtues të të kuqve, në rast se dëshiron të jetë pjesë e Partizanit në Superiore.

Partizani në Kostur për fazën përgatitore
Rreth datës 20 korrik Partizani do të niset drejt shtetit fqinj të Greqisë për të zhvilluar fazën përgatitore në prag të sezonit të ardhshëm. Edhe pse deri në këto momente klubi i kuq nuk kishte bërë me dije destinacionin e ekipit të drejtuar nga Hasan Lika, burime pranë klubit janë shprehur se do të jetë Kosturi vendi ku të kuqtë do të përgatiten. Në Kostur mësohet të jetë një kompleks stërvitor i pajisur me të gjitha kushtet dhe me një klimë malore perfekte për të zhvilluar stërvitje. Gjithashtu, afërsia me qytetin e Korçës i jep mundësinë ekipit të zhvillojë ndeshje miqësore me ekipin kampion të vendit, apo edhe ndonjë test me ekipe greke.

Tifozët nisin anëtarësimet
“Fans Club Partizani, Tirana e Re”, ka nisur anëtarësimet e tifozëve të kuq për sezonin e ardhshëm futbollistik. Organizatorët e kësaj nisme bëjnë me dije se dy ditë nga çelja e kësaj fushate numri i të anëtarësuarve që kanë plotësuar formularin duke paguar edhe kuotën vjetore do të marrin së shpejti edhe kartën e anëtarësisë. Fushata që sapo ka nisur mësohet se do të vazhdojë deri në fillimin e sezonit të ardhshëm futbollistik dhe numri i atyre që kanë shprehur interes për të marrë kartën e anëtarësisë së tifozëve të kuq ka qenë vërtet i madh. Sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore të kuqtë pritet të kenë përkrahje masive në shkallët e stadiumit.
ARMAND HALILI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"