Mitraj shpëton Apoloninë ndaj Pogradecit në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2014 | 17:59

Mitraj shpëton Apoloninë ndaj Pogradecit në fund

Apolonia-Mamurrasi 1-0, fieraket gezojne golinApolonia-Pogradeci 1-0
GOLI: Mitraj 87′
APOLONIA: Miço, Broshka (Papa 68′), Nako, Atanda, Prifti, Adenkule, Gega, Dosti (Sollaku 79′), Thankgod, Mitraj, Jakupi (Erkoçeviç 46′). Trajner: E.Demiraj
POGRADECI: Miraka, Pere, Bufasi, Çerepi (Pura 46′), Hysenllari, Jahaj, Topllari (Turshinka 61′), Zguro, Shkullaku, Pengu, Çekiçi (Liçkollari 71′). Trajner: A.Abazaj
KARTONË TË VERDHË: Atanda 21′, Gega 40′, Bufasi 57′, Pura 90′, Topllari 34′, Pengu 81′
GJYQTARË: K.Shahini, H.Isaku, B.Grepi (Durrës)
VËZHGUES: P.Haxhiaj (Tiranë)
DELEGAT: P.Pjetrushi (Lezhë)

Ka mjaftuar një gol i sulmuesit Aldo Mitraj, tre minuta përpara fundit të ndeshjes, që Apolonia të siguronte fitoren e radhës dhe të ruajë diferencën prej pesë pikësh me ndjekësen më të afërt, Tërbunin. Ndaj Pogradecit fierakët vuajnë shumë, në një kohë që duke qenë nën presion për ta fituar sfidën medoemos, gabojnë në finalizim.
Ndeshja Sfida ka nisur e bukur dhe e shpejtë për vendësit, të cilët menjëherë kanë kërkuar të krijojnë epërsi ndaj kundërshtarit. Mitraj, Jakupi, por dhe Thankgod e Gega janë tepër të lëvizshëm dhe menjëherë fillojnë ta vënë në vështirësi mbrojtjen pogradecare dhe portierin Miraka. Sulmuesit fierakë, edhe pse arrijnë të depërtojnë herë pas here mes mbrojtjes mike, nuk gjejnë qetësinë e duhur dhe shpërdorojnë raste të shumta. Në minutën e 5-të Gega, pas një depërtimi të bukur nga krahu i djathtë, futet në zonë dhe gjuan fort, por topi i devijuar nga një mbrojtës përplaset në shtyllë. Me kalimin e minutave Apolonia rrit presionin e saj dhe e shpërngul lojën në gjysmëfushën mike. Por ngarkesa dhe tensioni për ta fituar ndeshjen me çdo kusht bën që futbollistët të gabojnë në finalizim. Nga ana tjetër, liqenorët herë pas here, duke parë edhe hapjen e mbrojtjes fierake që ishte shpërngulur në mesfushë për t’i ndihmuar sulmuesit e saj, ndërmarrin edhe ndonjë kundërsulm. Në minutat 49 dhe 53 miqtë rrezikojnë me anë të Pengut dhe Çekiçit, por pa shënuar. Pas minutës së 55-të, Apolonia rimerr frenat e lojës në dorë, krijon epërsi ndaj kundërshtarit dhe e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare. Miqtë, të qetë dhe pa presion, mbrohen mjaft mirë dhe arrijnë që të shmangin goditjet e kundërshtarit, duke mos krijuar hapësira në mbrojtje. Trajneri Demiraj duke ndjerë rrezikun, hedh në lojë edhe dy sulmues të tjerë, Papën dhe Sollakun. Në minutën e 87-të Apolonia fiton një goditje dënimi në një distancë rreth 30 metra larg portës. Papa ekzekuton dhe topi përplaset në traversë, duke përfunduar te këmbët e Mitrajt, i cili tregohet i vëmendshëm dhe shënon, 1-0. Në minutat e mbetura dhe deri në fund fierakët e ruajnë avantazhin, duke siguruar një 3-pikësh shumë të rëndësishëm.

Demiraj: Ishim nën presion
Pas ndeshjes, trajneri i Apolonisë, Elidon Demiraj, u shpreh: “Luajtëm ndaj një kundërshtari të qetë, që është jashtë objektivave në këtë kampionat. Jemi të dënuar të fitojmë, ndërsa presioni dhe tensioni ndikuan në lojën tonë. Dua t’i falënderoj djemtë, sepse e kemi kërkuar fitoren gjatë 90 minutave. Nuk mund t’ju them se gaboi skuadra se arriti ta shënonte golin në minutën e 87-të. Por, kundërshtari u mbrojt me forca të shumta dhe ishte e vështirë për të gjetur hapësira. Sot, le të festojmë fitoren dhe nesër do të fillojmë të mendojmë e të punojmë për ndeshjen e radhës që do të luajmë ndaj Dinamos”.

Abazaj: Gabuam në fund
Pas përballjes, trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, tha: “Ishim përgatitur gjatë të gjithë javës, në mënyrë që të mos dilnim pa pikë nga kjo ndeshje. Për 87 minuta arritëm të ishim shumë pranë barazimit, por futbolli kështu e ka, ndëshkohesh dhe atëherë kur nuk e pret. Ekipi luajti mirë, i zbatoi si duhet detyrat dhe diti të shmangte mjaft mirë epërsinë dhe presionin e vendësve. Goli erdhi nga një goditje dënimi, ku mbrojtësit tanë u çorientuan kur topi goditi traun. Mendoj se ishte një ndeshje mjaft e bukur, e cila u luftua fort nga të dyja ekipet. Sidoqoftë, Apolonia e meritoi fitoren”.
MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"