Kukësi eliminon shkodranët, mjafton barazimi, nuk ka histori në “Zeqir Ymeri”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2015 | 20:50

Kukësi eliminon shkodranët, mjafton barazimi, nuk ka histori në “Zeqir Ymeri”

Kukesi feston

KUKËSI VLLAZNIA 0 – 0
GOLAT S’ka
KUKËSI: Stazhila, Smajli, Malota, E.Dushku, Hallaçi, Shameti, Mici, Dosti (Hysa 60′), Pit, R.Dushku (Musolli 80′), Rikardo (Jonuzi 30′). (në dispozicion: Koci, Hoxha, Gvozdenoviç, Muçmata, N.Halili). Trajner: Artim Shaqiri
VLLAZNIA: Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Beqiri, Hakaj, Krymi, Dema (Çinari 85′), Lika, Tafili, Kalaja, Hajdari (Shtubina 63′). (në dispozicion: Hallunaj, Marku, Vecaj). Trajner: Baldo Raineri
KARTONË TË VERDHË: Krymi 26′, Lika 75′
DELEGAT: Petrit Brahja (Tiranë);
VËZHGUES: Astrit Mema (Gjirokastër)
GJYQTARET Gjyqtarë: A.Beqiri, D.Agaraj, A,Shkreta (Tiranë)

Kukësi barazon me Vllazninë pa gola në takimin e kthimit dhe vulos kualifikimin për në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e djeshme në “Zeqir Ymeri” kishte pak histori. Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, pati luksin e disa ndryshimeve në formacion, në një kohë që titullarë si portieri Halili, mesfushorët Zeqiri e Lushtaku, si dhe sulmuesi Pejiç u lanë pushim, duke qenë se skuadrën e pret një transfertë delikate kundër Skënderbeut në kampionat.

Edhe pse me shumë mungesa, Kukësi është munduar të imponohet në lojë. Gjithsesi, më tepër ka pritur kundërshtarët se sa ka menduar të shënojë. Si titullar e nisi sulmuesi brazilian Alison Rikardo, por ka qenë i pafat, pasi doli i dëmtuar nga fusha. Vllaznia është treguar në disa raste e rrezikshme, por nuk ka pasur forcën e duhur për t’i bërë dëm portierit Dimitri Stazhilla, i cili dje debutoi për Kukësin. Rezultati i bardhë 0-0 ishte pasqyrë e lojës së zhvilluar, ku të dyja ekipet i kishin mbyllur llogaritë që në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi”, të cilën kuksianët e fituan me shifrat 2-0.

Pjesa e parë

Loja nisi e shpejtë për vendësit, të cilët që në minutën e parë fituan një goditje nga këndi, e cila u ekzekutua nga Gledi Mici, por as sulmuesi Rikardo dhe as mbrojtësit shtatlartë të Kukësit: Dushku, Malota dhe Shameti nuk arritën të përfitonin nga ky rast. Kukësi është më i qartë në lojën e vet, por nuk ka finalizimin e duhur. Rikardo në majën e sulmit mundohet të rrezikojë portën e Selimajt, edhe pse rastet serioze mungojnë. Me kalimin e minutave Vllaznia merr iniciativën dhe kundërpërgjigjet me një goditje dënimi, por as Lika dhe as Tafili nuk arrijnë të rrezikojnë.

Në vazhdimësi të këtij fraksioni nuk ka rrezikshmëri në portat respektive, por vetëm dyluftime në mesfushë. Në minutën e 30-të dëmtohet braziliani Rikardo, i cili rrëzohet pas dyluftimit me shkodranin Pjeshka. Trajneri Shaqiri bën zëvendësim të detyruar, pasi sulmuesi lëndohet keqazi në pjesën e fytyrës dhe e ka të pamundur të vazhdojë takimin. Kukësi përqendron lojën nga krahët e mesfushës, aty ku Mici dhe Pit sjellin gjithnjë panik për mbrojtjen kuqeblu. Nga ana tjetër, Gilman Lika shfaqet i shpejtë, por dhe ky pa u bërë rrezik serioz për “gjigantin” Stazhila. Në përfundim të pjesës së parë, shkodrani përplaset fort në një dyluftim me Malotën. Ky i fundit dëmtohet dhe frikëson stafin teknik, por pas ndërhyrjes së mjekëve rihyn në fushë. Akordohen dy minuta shtesë, por asgjë nuk ndryshon në këtë fraksion.

Pjesa e dytë

Lojtarët e Kukësit hyjnë në fushë më të karikuar. Sinjalin e parë të rrezikshëm e jep Shameti, i cili gjuan brenda zone pas një goditjeje nga këndi, por nuk shënon. Më pas miqtë kanë një rast të artë. Pas një gabimi të Dushkut në kthimin e topit për portierin Stazhilla, është mesfushori Shtubina, që nuhat gjithçka dhe menjëherë godet, por moldavi i portës së Kukësit tregohet i vëmendshëm dhe grushton topin.

Loja vazhdon të zhvillohet në mesfushë dhe nga krahët, por krijohen pak raste, pasi të dyja skuadrat tregohen të kujdesshme në mbrojtje. Smajli merr vetë iniciativën dhe avancon nga krahu i djathtë, duke goditur dhe gjetur në gatishmëri portierin Selimaj, i cili në këtë moment grushton dhe topi shkon te Hysa, i cili gjuan dhe traversa i mohon golin. Këtu mbyllet gjithçka në barazim pa gola.

shaqiriShaqiri: Duhet të shënonim

Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, deklaroi dje pas ndeshjes se është i kënaqur me kualifikimin, por ka rezerva për lojën në këtë takim të kthimit ndaj Vllaznisë. Sipas tij, ekipi duhet të kishte kthyer në gol të paktën një nga rastet që krijoji.

“Nuk e kishim menduar ndeshjen kështu. Gjërat morën një kah tjetër në këtë takim, edhe pse ne i kishim rastet më të shumta për të shënuar. Bëmë disa zëvendësime, por e rëndësishme është që e arritëm atë që duhet, pra të kualifikohemi.

Vllaznia tregoi që ka një grup të ri, që di të luajë futboll, ndërsa ne gabuam në finalizim. Gjithsesi, jemi të kënaqur dhe tani duhet të mendojmë për Skënderbeun. Sa i përket shortit të gjysmëfinaleve, mendoj se në këtë fazë nuk ka preferenca. Të gjitha përballjet janë të vështira, por të shohim”, përfundoi trajneri i Kukësit.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"