Mjekimi i gabuar, Burim Kukeli operohet tri herë
Tri operacione në një vit. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Burim Kukeli, ka qenë shumë i pafat gjatë kësaj periudhe. Pas dëmtimit të rëndë që pësoi në shkurt të vitit 2013, ku theu këmbën gjatë një ndeshjeje miqësore që ekipi i tij, Zyrih, luajti me Belinzonën, kosovari nuk është parë më në fushat e blerta. Historia e vuajtjeve të tij ka qenë shumë e dhimbshme. Operacioni i parë i tij u bë në këmbën e djathtë, por pas riaftësimit, problemet kanë vijuar për mesfushorin e ekipit zviceran, Zyrihut. Kur mendohej se Kukeli do të aktivizohej për herë të parë gjatë këtij sezoni, një mjekim i gabuar ka rezultuar fatal. Uebsajti zviceran “nlz.ch”, shkruante dje se dy muaj më parë gjuri i lojtarit ishte infektuar për shkak të një gjilpëre, e cila ka dhënë një efekt negativ në këmbën e tij. Kjo ka ndodhur në momentin kur futbollisti ishte gati për t’u futur në stërvitje me grupin. Pas konsultimeve, Kukelit iu desh që t’i nënshtrohej sërish operacionit. Mirëpo, vuajtjet nuk përfunduan këtu, pasi mjekët i këshilluan lojtarit që të bënte edhe një ndërhyrje tjetër në gju, pra për herë të tretë brenda një viti. Tashmë kosovari po pushon, duke ndjekur këshillat e mjekëve, ndërkohë që rikthimi i tij në fushë nuk dihet se kur do të ndodhë me Zyrihun.
Dëmtimi – Plot 14 muaj më parë, Kukeli theu këmbën gjatë ndeshjes miqësore ndaj Belinzonës. Në lidhje me tmerrin që përjetoi në fushë, kosovari ka thënë: “Natyrisht që e di çfarë ndodhi. Dhimbjet e mëdha më penguan fillimisht që të mendoja qartë. Nuk e di se si munda ta duroja atë dhimbje. Gjëja më e keqe ishte se e dija se do të duhej kohë e gjatë derisa të rikthehesha. Ishte një zhgënjim i madh, pasi për një javë fillonte sezoni. Për kundërshtarin që më shkaktoi dëmtimin në atë moment nuk mendova fare. Unë e kam ditur menjëherë se do të mungoj gjatë. Këmba po më qëndronte zvarrë. Kur e pyeta fizioterapistin gjatë rrugës për në spital, ai më tregoi se ishte diçka e keqe. Këtu sigurisht u mërzita pa fund”.
JORGIS MEMO