Mjeshtre transfertash, Teuta nuk fal në Peqin. Daniel Xhafaj humbet penalltinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2012 | 14:04

Mjeshtre transfertash, Teuta nuk fal në Peqin. Daniel Xhafaj humbet penalltinë

SHKUMBINI – TEUTA  0-1
GOLAT: Nika 8′
SHKUMBINI: Kotorri, Pasha, Ramazani, Devolli, Salliu, Sulkja (Lluca 46′), Gjata (Isaji 75′), Gava, E.Magani (Duka 57′), Dervishi, Mustafaji. Trajner: G.Magani
TEUTA: Rizvani, Sheta, Jakupi, Sakaj, Marku, Veliaj, Tahiri (Hoxha 67′), Nika, Hyshmeri, Mancaku (Deliallisi 57′), Xhafaj (Eminhazeri 80′). Trajner: H.Lika
KARTONË TË VERDHË: Gava 54’, Devolli 60’, Salliu 90’/ Jakupi 45’, Deliallisi 90’
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Sazan Velçani (Patos)
GJYQTARET: L.Jemini, G.Qirici, E.Doda (Tiranë)

MINUTAT
8′ Aksion i gjatë i durrsakëve që konkretizohet me gol. Topi i kthyer nga mbrojtja e Shkumbinit shfrytëzohet më së miri nga Nika, i cili lëshon një goditje të fortë në hyrje të zonës, duke surprizuar portierin Kotorri, 0-1.
14′ Magani nga e djathta kroson në zonë, gjuan Mustafaji, por Rizvani nuk lejon prekjen e rrjetës.
16′ Sërish Mustafaji ka një rast ideal për të shënuar, gjuan me kokë, por Rizvani bën detyrën duke e nxjerrë topin në këndore.
38′ Gava godet në hyrje të zonës, por është Rizvani që nuk lejon prekjen e rrjetës, duke e ndalur topin në dy kohë.
43′ Sulmuesi Xhafaj rrezikon portën e Kotorrit me një goditje të fortë nga goditja e dënimit, por portieri bardhekaltër bën një pritje të shkëlqyer.
61′ Teuta ka rastin ideal për dyfishimin e rezultatit me anë të një 11-metërshi të fituar nga Xhafaj, ekzekutimin e të cilit e merr po vetë: gjuan, por Kotorri tregon reflekset e tij, duke neutralizuar një gol të sigurt.
83′ Goditje këndi për vendësit, të cilët janë në kërkim të golit të barazimit. Devolli gjuan me kokë, por është traversa ajo që e shpëton skuadrën durrsake nga pësimi i golit.
90′ Teuta e mbyll në sulm dhe me një rast flagrant për të shënuar me anë të Eminhazerit, por sulmuesi i gjendur i vetëm dhe shumë pranë portës përballë Kotorrit gabon rëndë.

Ka nisur me humbje kampionati për Shkumbinin, si dhe premiera e trajnerit Gugash Magani në krye të kësaj skuadre, ndërsa kanë humbur dje me rezultatin e ngushtë 1-0 përballë Teutës. Ka mjaftuar një gol i mesfushorit Ansi Nika në fillim të kësaj ndeshje, për të nxjerrë triumfues në fund të 90 minutave të besuarit e Hasan Likës, të cilët treguan edhe njëherë se mbeten një “mace e zezë” për ta. Pavarësisht humbjes, duhet thënë se ka qenë një ndeshje e vërtetë “fair play” jo vetëm në fushë, por edhe në pankina, ku të dy trajnerët janë përshëndetur në fund të kësaj përballjeje.
Pjesa e parë – Në një atmosferë të heshtur, për shkak të mungesës së tifozëve në stadium, ka startuar java e parë e kampionatit, ku vendësit pritën nënkampionen e Shqipërisë: Teutën. Skuadrat janë rreshtuar mirë dhe loja ka nisur me një ritëm të lartë. Në minutat e para, skuadrat respektive e kanë pasur të vështirë të merrnin iniciativa konkrete sulmuese, ndaj loja u përqendrua më shumë në mesfushë. Megjithatë, pa kaluar tetë minuta, “djemtë e detit” do ta gjenin rrugën e rrjetës me anë të mesfushorit Ansi Nika. Ky i fundit gjuan mjaft bukur një top të kthyer nga mbrojtja peqinase, duke e dërguar drejt e në rrjetë. Vendësit shokohen nga goli i shpejtë, por është trajneri Magani, i cili kërkon që skuadra të shtyhet përpara. Në minutën e 16-të, Mustafaji ka një rast ideal për të shënuar, por portieri Rizvani bën detyrën duke e nxjerrë topin në këndore. Pjesa e parë mbyllet me një goditje dënimi të ekzekutuar nga Xhafaj, i cili shkon shumë pranë dyfishimit, por Kotorri shpëton ekipin nga një gol i sigurt.
Pjesa e dytë – Fraksioni i dytë i lojës fillon me ndryshime për peqinasit. Trajneri Magani, menjëherë bën lëvizje duke aktivizuar Llucën, me shpresën e ndryshimit të lojës, por jo vetëm, edhe të rezultatit. Mirëpo 45 minutat e dyta janë thuajse fotokopje e pjesës së parë. Peqinasit kërkojnë të shënojnë në portën e Teutës, por tregohen të paqartë dhe të kuptueshëm në manovrën e tyre sulmuese. Në minutën e 60-të, sulmuesi Xhafaj pengohet në zonën peqinase nga Devolli dhe për Jeminin ka 11- metërsh. Ekzekutimin e merr përsipër vetë vlonjati, i cili gabon përballë Kotorrit. Ky moment pritej të shërbente si pikë kthese e takimit për vendësit, të cilët në fakt shpeshtojnë sulmet në drejtim të portës së Rizvanit, por Mustafaji dhe Dervishi nuk merren vesh me njëri-tjetrin. Përpjekjet e peqinasve janë të shumta, megjithëse duhet pranuar që loja e të besuarve të Maganit la shumë për të dëshiruar. Fundi i takimit mund të kishte rezultat tjetër për Teutën, sulmuesit e të cilës shpërdorojnë një rast ideal për të dyfishuar me anë të Eminhazerit.

MË I MIRI
Mesfushori i Teutës, Ansi Nika, ka qenë lojtari më i mirë në fushën e lojës. Kjo, jo vetëm për golin e shënuar që i dha tri pikët skuadrës së tij në këtë start të kampionatit, porse ai ishte i lëvizshëm në fushë. Gjithashtu, edhe reparti i mbrojtjes ka qenë në lartësinë e duhur, duke i zmbrapsur sulmet e vendësve, edhe pse ato në një farë mënyrë ishin të kuptueshme.

MË PAK AKTIVI
Ndonëse pritej shumë prej këmbëve të tij, sulmuesi i Shkumbinit, Roland Dervishi, ka qenë lojtari më pak aktiv në fushën e lojës. Ai ishte në një ditë totalisht të errët, duke mos e rrezikuar asnjëherë portën e Teutës. Sikur të mos mjaftonte kjo, bomberi bardhekaltër nuk merrej vesh as me Mustafajin, duke gabuar edhe në pasimet më të thjeshta.

Hasan Lika, trajneri i Teutës
“Fitore e vuajtur, por e merituar”
“Nuk do të kemi gjithmonë shansin të fitojmë ndeshje të tilla”. Kështu e ka nisur prononcimin numri një i pankinës durrsake, Hasan Lika, pas përfundimit të ndeshjes. “Mendoj se ishte një ndeshje, ku më shumë se çdo gjë rëndësi kishte rezultati. Ne e dinim se do të ishte një sfidë e fortë dhe ashtu rezultoi në të vërtetë. Peqinasit na kanë vënë jo pak herë në vështirësi. Arritëm një fitore të mundimshme, madje të vuajtur, për shkak edhe të gabimeve që janë bërë nga sulmuesit e skuadrës sime. Jam i pakënaqur nga mënyra e interpretimit të ndeshjes, pasi jo gjithmonë nuk mund të fitojmë kështu. Gjithsesi, edhe kondicioni fizik i lojtarëve nuk ka qenë në maksimum. Pra, nuk kemi ardhur në formën tonë më të mirë, gjithsesi e rëndësishme është që arritëm t’i merrnim tri pikët”.

Gugash Magani, trajneri i Shkumbinit
“Humbje që djeg, por s’është fundi i botës”
Gugash Magani, trajneri i Shkumbinit, pas përfundimit të takimit pohoi: “Sigurisht që donim ta nisnim me këmbën e mbarë kampionatin, ndaj është një humbje që djeg, por gjithsesi nuk është fundi i botës. Mendoj se në total skuadra ime shfaqi sërish ato probleme të vjetra mentaliteti. Gjatë lojës normalisht që do të pësohen edhe gola, por mua nuk më pëlqeu mënyra se si reagoi skuadra, e cila duhej të ishte shumë më këmbëngulëse. Gjithsesi, nuk duhet të demoralizohemi, pasi ishte vetëm ndeshja e parë dhe, ashtu siç humbëm sot, mund të fitojmë ne në Durrës në fazën e dytë, apo në ndeshjet e tjera në transfertë. Jam i vetëdijshëm se duhet të punojmë shumë, ndërsa kam besim te grupi. Në të ardhmen besoj te një paraqitje ndryshe, ndërsa shpresoj edhe në ndonjë goditje”.

Nika: E mbajta premtimin
Një ditë më parë, mesfushori i durrsakëve, Ansi Nika ,kishte parashikuar se do të shënonte në Peqin. Dhe, në fakt, kështu ndodhi. Goli i realizuar prej tij në fund të 90 minutave rezultoi deciziv, duke u konvertuar me vlerën e tri pikëve. Në një prononcim të shkurtër, pas përfundimit të takimit, ai tregon për emocionet e përjetimit të shënimit të golit, për të cilin ka një dedikim. “Ndihem vërtet shumë i lumtur, jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për fitoren e arritur në këtë sfidë të parë të kampionatit. Sigurisht që meritë për këtë sukses ka e gjithë skuadra, e cila për mendimin tim tregoi personalitet në fushë. Këtë gol ia dedikoj familjes sime, në veçanti babait tim”, – ka shprehur Nika, i cili pranon se Teuta do të jetë sërish një pretendente edhe gjatë këtij sezoni, ku do të synojë titullin kampion.

Tre lojtarë, debutim me peqinasit
Mesfushorët Bledar Devolli, Orgest Gava dhe Mirel Duka kanë debutuar dje me fanellën e Shkumbinit. Trajneri Gugash Magani ka aktivizuar në formacion tri prurjet e ardhura gjatë merkatos së verës, të cilët duhet thënë se kanë bërë një paraqitje të mirë. Të tre lojtarët vijnë te peqinasit pas aktivizimeve me skuadrat e tjera: Devolli nga Luftëtari, Gava nga Elbasani, si dhe Duka nga Besa. Ndërkaq, numri një i pankinës peqinase, Magani, ndonëse janë afruar pesë lojtarë në këtë merkato, kërkon që drejtuesit të bëjnë edhe ndonjë goditje të fundit, me qëllim kompletimin e grupit.
FATMIR AHMETI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"