Morina shton komunitetin kavajas, Perja: Besa e plotë, por na duhet edhe një ”pykë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2024 | 18:40

Morina shton komunitetin kavajas, Perja: Besa e plotë, por na duhet edhe një ”pykë”

Besa vijon me seriozitet dhe përkushtim fazën përgatitore në qytetin e Ersekës. Me dy seance në ditë, grupi ka përballuar më së miri ngarkesat duke mos pasur asnjë dëmtim. Kavajasi Skerdian Perja, një besnik i përjetshëm i fanellës verdhezi, shprehet se si kurrë më parë Besa ka një grup solid dhe një alternim ideal mes përvojës dhe rinisë.

perja duke festuar golin te Besa

“Kurrë në këto vitet e fundit nuk kemi pasur një Besë me kaq lojtarë me përvojë elite, madje edhe kampionë. Përvoja e tyre e madhe do ndikojë fuqishëm në administrimin e momenteve të lojës, pasi nuk duhet harruar që shpesh kemi udhëhequr edhe 2-0 sezonin e shkuar dhe në fund kemi dalë të humbur. Përtej kësaj, ka edhe lojtar të rinj me perspektivë, që kanë jo pak përvojë. Fakti që pas 17 ditësh stërvitje nuk kemi asnjë mungesë për shkak të ngarkesave, dëshmon jo vetëm dëshirën, por dhe përballimin e plotë të ngarkesave”, u shpreh fillimisht mbrojtësi. Më pas, Perja nuk ngurron të thotë se përtej grupit, Besa ka një boshllëk në grup.

Kjo ka të bëjë me nevojën për një qendërsulmues ose siç quhet ndryshe “pykë”. “Në ekip ka golashënues si Mazrekaj, Spahiu, Gjinaj, Meçja apo Mehmeti, sulmuesi 18-vjeçar që patëm vjet, por ky grup dhe objektivi që kemi na imponon të kemi një sulmues klasi në majë. Me sa di, prisnim një ganez, por ende nuk ka ardhur”, përfundoi Perja. Të dielën Besa luan miqësoren e par ndaj Pogradecit. Kurioziteti është i madh për të parë se me cilin formacion do të zbresë Mirel Josa në fushë, kur dihet se grupi ka mjaft emra dhe mjaft konkurrencë këtë sezon.

Shtohen kavajasit- Nëse në ditën e parë të fillimit të punë, në fushë zbritën dy kavajas, Perja e Deliu, tashmë numri i vendësve ka shkuar në katër. Pas afrimit të Flavio Meçjes pak ditë më parë, mësohet se me grupin në Ersekë është bashkuar edhe 19-vjeçari Irdi Morina, që sezonin e shkuar ishte pjesë e Egnatias. Ai luan si sulmues krahu.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"