Mota: Juventusi është gati për gjithçka, nuk flas për emrat e merkatos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 16:54

Mota: Juventusi është gati për gjithçka, nuk flas për emrat e merkatos

Në prag të miqësores së parë në tokën gjermane me Nyrembergun, e programuar për sot në ora 17:00, trajneri i ri i Juventusit, Tiago Mota, foli për shtypin e pranishëm në grumbullim stërvitor të Herzogenaurah.

tiago mota

Cila është gjëja më e mirë për këtë grumbullim?
Të gjitha. Struktura që kemi, angazhimi i lojtarëve dhe për momentin puna po shkon shumë mirë dhe jam i lumtur.

A keni bërë një bilanc të merkatos me Xhuntolin dhe Skanavinon?
Jemi në dialog të vazhdueshëm për të gjetur zgjidhjet më të mira për ekipin tonë. E bëjmë këtë çdo ditë.

Keni gjetur një grup bashkëpunues në këto ditë?
Po, absolutisht po. Është një organikë e bashkuar që ka ambicie për të bërë gjëra të rëndësishme. Për ta bërë këtë duhet filluar nga dita e parë e punës dhe do të jetë gjithmonë kështu ditë pas dite për të pushtuar diçka.

Çfarë përshtypje ju kanë lënë të rinjtë?
Shumë mirë. Ata mbërritën me shumë entuziazëm dhe duke ngritur nivelin e stërvitjes. Kjo është gjëja e rëndësishme.

Shumë mendojnë se loja juaj mund ta ndihmojë Vlahoviçin të shënojë 30 gola. Kjo ju bën më shumë presion juve apo Dushanit?
Nuk ka presion, vetëm përgjegjësi të madhe. Puna e Dushanit, si e gjithë të tjerëve, nuk mund të ndalet vetëm duke parë golat. Ka shumë gjëra për të bërë në futboll, ai e di shumë mirë dhe di si ta bëjë punën e tij. Është një lojtar i rëndësishëm për ekipin, por e kam thënë edhe në konferencën e parë që kam dhënë: Talenti i madh ka gjithmonë nevojë për ekipin.

A po lind skuadra?
Jemi duke u përgatitur shumë mirë dhe kur të fillojë sezoni dhe të përballemi me të gjitha skuadrat do të shohim çfarë kemi realizuar.

Keni ndonjë mesazh për brazilianët dhe Jildizin?
Të pushojnë dhe të ruajnë formën, sepse kur të mbërrijnë do të duhet të bëjnë si të tjerët dhe të japin 100 për qind.

Keni folur me Kiezën?
Ai është pjesë e Juventusit tani, më pas do të shohim…

Si është stërvitur Soule?
Si gjithë të tjerët, ai po stërvitet shumë mirë.

Ju vjen keq për largimin e tij?
Si gjithë të tjerët po stërvitet shumë mirë dhe është pjesë e grupit. Për momentin jam shumë i kënaqur me atë që shoh në stërvitje.

Cila është përshtypja juaj për Turamin?
Si të tjerët, edhe ai po stërvitet mirë. Është një djalë që ka ardhur pasi ka bërë shumë stërvitje me kombëtaren e tij. Ai erdhi në formë të mirë dhe jemi të lumtur që e kemi.

E keni menduar formacionin për miqësoren e së premtes?
Jo, sinqerisht jo. Dua ta kem këtë mendim ndeshje pas ndeshje dhe kush është më i mirë të dalë në fushë, ndërsa të tjerët do të duhet të ndihmojnë për ndeshjet e radhës.

Çfarë prisni të shihni kundër Nurembergut?
Gjithçka që kemi stërvitur dhe bërë ditët e fundit. Jam i sigurt se angazhimi i këtyre djemve nuk do të mungojë.

Këto ditë kemi parë stërvitje shumë intensive…
Bëjmë gjërat normale të këtij momenti të sezonit dhe po përgatitemi shumë mirë.

A prisni një Juve agresive?
Do të bëjmë përgatitje të mirë për të dhënë gjithmonë më të mirën tonë.

A prisni Kopmeiners apo Todibo të parin?
Nuk flas për lojtarë që nuk janë të mitë. Unë flas për ata me të cilët punoj dhe jam i lumtur kështu.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"