Mundet 2-0 Skënderbeu, debutojnë Abazi e Sefa. Lika dhe Orelesi i bashkohen në Austri
Terek Grozni-Skënderbeu 2-0
GOLAT: Sadaev 26′, Katsav 86′
TEREK GROZNI: Godzyur (Kobzev 46′), Yatçenko (F.Kudryashov 46), Ojala (Ferreira 46′), Mauricio (Pires 46′), Sadaev (Mitrishev 30, Ailton 60′), Kanu (Legear 46′), Ivanov (Ismail 46′), Utsiev (Temnikov 46′), Yiranek (Murad 46′), Lebedenko (Katsav 46′), Makushevski (Murikin 30′, Kadyrov 60′). Trajner: Yuri Krasnozhan
SKËNDERBEU: Shehi, Arapi, Gvozdenoviç (Vrapi), Shkëmbi, Ribiero (Fagu), Abazi (Dimo), Tomiç (Kërçiku), Sefa (Tahirllari), Radas, Lilaj, Pejiç (Kame). Trajner: Mirel Josa
KARTONË TË VERDHË: Utsiev 44’/ Pejiç 17′, Radas 73′, Arapi 86′
Skënderbeu e ka nisur me humbje turin e miqësoreve që do të zhvillojë në Austri, ku është grumbulluar për të zhvilluar fazën përgatitore përpara ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Korçarët janë mundur dje 2-0 nga Terek Grozni në sfidën e zhvilluar në Going të Austrisë. Nga një gol për çdo pjesë kanë shënuar rusët, që kanë dominuar thuajse të gjithë takimin. Për Skënderbeun dje debutuan dy blerjet e deritanishme, Leonit Abazi dhe Jetmir Sefa. Futbollistët ishin pjesë e formacionit dhe të dy u zëvendësuan në pjesën e dytë. Blerjet e reja bënë një paraqitje të mirë. Një sfidë e luftuar shumë nga të dyja skuadrat ku janë dhënë pesë kartonë të verdhë, tre për korçarët dhe dy për rusët. Në takimin e djeshëm u ekzekutuan vetëm dy korne, dhe ato ishin për kampionët e Shqipërisë.
Ndeshja Sfida nis e qetë dhe të dyja ekipet lëvizin më shumë në mesfushë. Korçarët janë më të rrezikshëm në krahun e majtë dhe mundohen të organizohen, por pa rrezikuar seriozisht. Në minutën e 17-të, Pejiç ndëshkohet me karton të verdhë pasi replikon me gjyqtarin. Në minutën e 26-të është Makushevski për rusët që hyn në zonë dhe pengohet nga një mbrojtës korçar, por topi përfundon në këmbët e Sadaev që nuk e ka të vështirë të shënojë duke kaluar Terek Groznin në avantazh. Në minutën e 43-të korçarët zbresin në portën mike, por aksioni nuk ka finalizimin e duhur. Fraksioni i dytë nis me shumë zëvendësime për të dyja ekipet. Trajneri i skuadrës ruse, Yuri Krasnozhan, që dje debutoi në stolin e Terek Groznit, i zëvendëson të gjithë lojtarët e pjesës së parë. Gjithashtu, Josa nxjerr Gvozdenoviç e Ribiero për Vrapin e Fagun në mbrojtje. Me kalimin e minutave, tekniku i korçarëve zëvendëson edhe dy debutuesit, Abazin e Sefën, duke hedhur në fushë Dimon e Tahirllarin. Në minutën e 51-të, Temnikov provon direkt nga goditja e këndit nga rreth 24 metra, por topi përfundon jashtë. Korçarët mundohen të organizohen dhe kërkojnë të barazojnë, por mungon finalizimi. Në minutën e 75-të, Skënderbeu fiton një goditje dënimi shumë pranë zonës dhe është Shkëmbi që godet, por pret në pozicion pa vështirësi portieri rus Kobzev. Atëherë kur sfida po i drejtohej fundit, është Katsav që shënon golin e dytë për Terek Groznin. Në minutat e mbetura nuk ka më histori dhe i gjithë takimi mbyllet 2-0 për skuadrën ruse. Kjo ishte ndeshja e parë miqësore e korçarëve në Austri. Gjatë ditëve të qëndrimit aty, Skënderbeu ka planifikuar të zhvillojë edhe takime të tjera, dhe ai i radhës do të jetë kundër Shahtjar Donetks më 21 qershor.
Lika e Orelesi i bashkohen ekipit në Austri
Nga burime brenda klubit korçar mësohet se vetëm në orët e vona të pasdites së djeshme kanë mbërritur në Austri Gilman Lika dhe Nuredin Orelesi. Mesfushori i Tiranës ka rënë dakord me drejtuesit e Skënderbeut për t’u bërë pjesë e ekipit për të paktën dy ndeshjet e Ligës së Kampioneve dhe sot pritet të zhvillojë stërvitjen e parë me ekipin e ri, ndërsa për Orelesin kishim të bënim me një vonesë për vizën e tij, kësisoj është detyruar të bashkohet me ekipin dy ditë me vonesë. Sezonet e fundit Lika ka qenë makth për korçarët kur luante me Tiranën. Tashmë ka veshur fanellën e Skënderbeut.Të dy pritet të jenë të gatshëm për trajnerin Mirel Josa në ndeshjen e radhës kundër Shahtjar Donetskut në datën 21 qershor.
Mungon Bici, probleme në mbrojtje
Vetëm mbrojtësi Ditmar Bici nuk ka qenë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa për ndeshjen e ditës së djeshme ndaj Terek Groznit. Mbrojtësi lezhjan i Skënderbeut është lënë pushim nga kreu i pankinës bardhekuqe, sepse ka pasur disa ngarkesa në muskujt e kofshës dhe trajneri nuk donte ta rrezikonte duke shmangur kështu një dëmtim të mundshëm. Mungesa e një ndër më të mirëve gjatë sezonit që u mbyll është vënë në dukje jo pak në manovrën defensive të ekipit, që ka shfaqur probleme veçanërisht gjatë rastit të golit të dytë të rusëve. Megjithatë, pritet që Bici të jetë gati për trajnerin në sfidat miqësore të radhës.
BESAR BOZGO