Muzaka kërkon falje: Gabuam në të gjitha repartet me Besën, do ta kapim Europën
“Gabuam me Besën dhe zhgënjyem tifozët, por do të reflektojmë”. Kështu shprehet mesfushori i Flamurtarit, Gjergj Muzaka, në një prononcim për “Panorama Sport”, i cili kritikon ekipin për lojën e dobët në të gjitha repartet. Muzaka shprehet se ekipi gaboi, edhe pse ndeshja ishte vlerësuar maksimalisht. Megjithatë, sipas mesfushorit, ndoshta ka ndikuar edhe pushimi i kampionatit. Sipas tij barazimi pa gola ishte një rezultat zhgënjyes për ekipin, që nuk arriti dot të dilte te loja e tij.
Deklarata “Në takimin me Besën bëmë një paraqitje jo të mirë. I gjithë ekipi nuk ishte mirë në këtë ndeshje. Mendoj se ndikoi ndërprerja e kampionatit. Ne e ulëm pak ritmin e ndeshjeve, krahasuar me ato që kemi zhvilluar deri më tani. Gabuam të gjithë pa përjashtim. Ishim në një gjendje jo të mirë. Ishim në ditë të keqe, por kjo nuk do të thotë se ne nuk e kishim vlerësuar këtë ndeshje. Ishte një rezultat zhgënjyes për ne. Unë kam rezerva edhe për lojën, e cila çaloi ndjeshëm”, – shprehet fillimisht Muzaka duke dhënë një vlerësim për ndeshjen me Besën. Mesfushori thotë se ekipi është gjithsesi brenda objektivit dhe se nuk ka dalë prej tij. Muzaka thekson se nuk frikësohet aspak nga afrimi i Kukësit, ndërsa është i bindur se Flamurtari do bëjë më të mirën në takimet e mbetura.
Objektivi “Derisa ne gjendemi në vendin e tretë jemi akoma brenda objektivave. Kukësi ka punën e vet, ne punën tonë, kështu që nuk mund të flasim se kemi dalë prej tyre”. Muzaka flet edhe për ndeshjen e radhës, teksa nënvizon se ajo, por dhe takimet e tjera do të kenë të gjithë përkushtimin e duhur. “Ndeshja e radhës është në fushën tonë dhe ne do të japim maksimumin. Në këto momente nuk ka ndeshje të lehta. Në kampionat çdo ekip ka pretendimet e veta, ne për zonën “Euro”, dikush për mbijetesën, kështu që çdo ekip ka objektivat e tij, çka e bën më shumë të vështirë këtë fazë të mbetur të kampionatit”.
Çmimi Muzaka flet edhe për vlerësimin “lojtari më i mirë i muajit mars”, ndërsa u premton tifozëve se do vijojë të japë më të mirën e tij te Flamurtari. “Më bëhet qejfi për çdo vlerësim që më bëhet dhe i falënderoj ata që më kanë votuar, por nuk duhet ta mbajmë mendjen aty. Jemi në një moment shumë të rëndësishëm, ndërsa nuk duhet të tregohemi euforikë, por të mbledhim sa më shumë pikë. Tifozëve u them se do të jap maksimumin. Më vjen keq që i zhgënjyem, pasi ata kërkonin fitoren në këtë takim. Shpresojmë që kjo të jetë hera e fundit”, – përfundon Muzaka.
…DHE TANI RREZIKOHET EUROPA
Ju kujtohet post-ndeshja Tirana-Flamurtari, kur trajneri i vlonjatëve Ernest Gjoka lëshonte deklarata bombastike, duke shigjetuar bardheblutë, si për fitoren dhe për objektivin “Europë”? Sakaq, u desh vetëm një barazim në Vlorë që të komprometohej gjithçka. Kjo, pasi aktualisht Flamurtari është me pikë të barabarta me Kukësin (pavarësisht golavarazhit) dhe do t’i duhet të luajë në transfertë ndaj kësaj skuadre (takimi i parë në Vlorë përfundoi 2-0 për kuqezinjtë). Ndërkohë nuk duhet harruar që kuksianët janë disi më të qetë, edhe për faktin se pjesëmarrjen në Kupat e Europës teorikisht mund ta kapin edhe nëpërmjet kupës (është në gjysmëfinale ndaj Laçit).
PEPA, GJOBË SE U VONUA NË STËRVITJE
Pepa kthehet në çështje. Sulmuesi lushnjar mendohet se është gjobitur dhe penalizuar nga trajneri Gjoka, për shkak se dy ditë ka shkuar me vonesë në stërvitje. Kjo ka bërë që Pepa të mos luajë si titullar në takimin me Besën e Kavajës. Trajneri Ernest Gjoka e ka penalizuar kështu lojtarin, për shkak se tekniku kërkon disiplinë të rreptë. Burime nga klubi nuk e konfirmojnë këtë fakt, por mesa duket ky debat mes Pepës dhe Gjokës i ka kushtuar lojtarit vendin titullar, edhe pse trajneri ka toleruar teksa e ka aktivizuar atë në pjesën e dytë. Gjoka ka kërkuar të mos përsëritet më kjo situatë, pasi masat do të jenë edhe më të rrepta.
ERMAL SIKA