Ndahet nga jeta ish-futbollisti i kombëtares, shkodrani Zamir Shpuza
[portfolio_slideshow]
Mbrëmjen e së premtes është ndarë nga jeta në moshën 45-vjeçare ish-futbollisti i Vllazisë dhe i kombëtares shqiptare, Zamir Shpuza. Lajmi bëhet i ditur nga i vëllai i tij, Luan Shpuza, i cili prej tre ditësh ka lënë Shkodrën duke udhëtuar urgjentisht në Gjermani, atje ku jetonte prej vitesh me familjen e tij Zamiri, për t’iu gjendur pranë vëllait të tij më të madh, i cili krejt në mënyrë të papritur ka pësuar një hemoragji cerebrale. Lajmi në fjalë ka tronditur shokët dhe miqtë e tij të afërt, ka tronditur të gjithë Shkodrën dhe mbarë opinionin sportiv në Shqipëri. Me vdekjen e tij të parakohshme, Zamir Shpuza, apo Tutoja, siç e njohin miqtë e tij, ka lënë në pikëllim bashkëshorten dhe dy djemtë e tij, nënën dhe pjesëtarët e tjerë të familjes që jetojnë në Shkodër.
Duke iu referuar karerieres së tij të pasur sportive, Zamir Shpuza spikati jo vetem tek Vllaznia e viteve ’90-të, ku u shpallë edhe kampion i Shqipërisë, por edhe si futbollist i Buduçnostit të Podgoricës, anëtar dinjitoz i kombëtares së Shqipërisë, si dhe me një karrtiere shumë të pasur në futbollin gjerman. Ndarja e papritur nga jeta, konstatohet qartë, kur i hedhë edhe një sy profilit të tij në faqen sociale, FB, kur Zamir Shpuza (Tutoja) ishte aktiv deri me datë 5 janar, kur janë edhe postimet e fundit të tij. Pikërisht në këtë datë, Shpuza shikohet të komunikojë me disa prej miqve të tij, biseda të cilat janë edhe të fundit për të.
Futbollisti, Altin Xhahysa (Shkodër): – ”Mmirembrama Tuto si je, dhe si ja kaluat vitin e ri?”
Zamir Shpuza: – ”Mirmrama Altin, të uroj një vit sa ma të mbarë!
Pas pak Shpuza shpërndan një foto në FB ku ka dalë me pishtarin e demokracisë, ish-kryetarin e Parlamentit, Pjetër Arbnori. Në vazhdim shpërndan edhe një foto tjetër, këtë radhë atë të ndeshjes së kombëtares kuqezi, Shqipëri-Gjermani, ku ai është në plan të parë në dyluftim me sulmuesit gjermanë.
Një shkodran, me banim në SHBA, Mujo Kajti e komenton këtë foto: “Ke ba nji ndeshje të madhe Tuto!
Pak orë më vonë, gazetari Adriatik Dosti i shkruan: ”Zame të uroj nga zemra çdo të mirë. Ke qenë djal për s’mbari!
Shpuza përgjigjet: – “Faleminderit miku im, rrespekt !
Ish-futbollisti, Edi Martini: – “Tuto, ma nis numrini tënd të telefonit, jam në Frankfurt!
Një tjetër mik i tij publikon foton e Vllaznisë kampione të vitit 1991, duke komentuar: “Kjo asht skuadra ma e mir e tana kohnave; Arian Laçej, Ramiz Bisha, Zamir Shpuza, Çlirim Basha, Isak Pashaj, Avnir Dani, poshtë Hysen Dedja, Admir Bilali, Astrit Premçi, Bujar Gruda, Agron Lika! Rrespekte Zamir Shpuza!”
Burime pranë familjes “Shpuza” në Shkodër bëjnë të ditur se trupi i pajetë i ish-futbollistit Zamir Shpuza do të mbërrijë në Shkodër të mërkurën e ardhshme, ku edhe do të organizohet ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit. “Panorama Sport” ngushëllon familjen e tij pë ndarjen e parakohëshme nga jeta të të afërmit të dashur, ish-futbollistit të spikatur të Vllaznisë dhe kombëtares.