Ndeshja unike në Shqipëri/ Egbo, nga Arabia Saudite: Nuk u besoja syve që loja kishte filluar pa mua në portë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2022 | 14:45

Ndeshja unike në Shqipëri/ Egbo, nga Arabia Saudite: Nuk u besoja syve që loja kishte filluar pa mua në portë

Me një karrierë aktive, portier me klube në Egjipt, portier i kombëtares së Nigerisë, i ardhur në Shqipëri në vitet 2001-2004 si portier i SK Tirana, pastaj te Bylisi në sezonet 2007-2011, për t’u rikthyer te SK Tirana si trajner dhe kampion. Emanuel Egbo u befasua që në momentin e parë pasi kontaktuam, ndonëse në shumë takime e kishim biseduar, kujtuar atë ngjarje.

Sokol Çekaj dhe Emanuel Egbo

Sokol Çekaj dhe Emanuel Egbo

Dhe menjëherë, pa e pyetur, pasi u përshëndetëm pyetja e tij ishte: “Më keni marrë të flasim për ndeshjen e Shkodrës dhe për “Panorama Sport”, duke iu rikthyer ngjarjes e duke qeshur, Egbo kujton:

“Në karrierën shumëvjeçare si portier kudo ku kam luajtur, nuk më kishte ndodhur asnjëherë një rast i tillë. Jam befasuar, nuk u besoja syve, pasi nuk e mendoja se loja mund të niste pa mua në portë. Pakujdesi edhe nga ana ime. Gjithçka në pak sekonda. Në fundin e pjesës së parë nisi një shi dhe kur dolëm nga dhomat e zhveshjes për të luajtur pjesën e dytë, kohë e keqe, rrebesh i madh, vendosa të ndërroja këpucët dhe dorezat. Pa i thënë askujt, u ktheva në dhomat e zhveshjes i sigurt se loja nuk do të niste aq shpejt.

Kur dola e pashë që ajo kishte filluar, shtanga, nuk kisha asnjë alternativë, vijova me vrap, ndalova në pistë duke i tërhequr vëmendjen me dorë dhe me zë, arbitrit. Edhe ai shtangu kur më pa. Më bëri me shenjë të futesha, por e pashë të shqetësuar. Më kërkoi motivin dhe pse nuk e kisha njoftuar për vonesën. I tregova dorezat për t’u justifikuar, ndonëse veprimi im ishte i pajustifikueshëm. Atë takim e humbëm 1-0. Me Çekën jam takuar edhe herë të tjera, pak në fushë, më shumë si trajner dhe ai si vëzhgues”.

I pyetur ku ndodhet, Egbo tregon: “Jam me klubin OHOD FC Medinah në Arabinë Saudite”, dhe në mbyllje të bisedës u shpreh: “Kam nostalgji për Shqipërinë, Tiranën, klubin, miq e shokë. Një ditë do të rikthehem”.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

Vllaznia-Bylis, kur ndeshja niste me një lojtar mangët

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"