“Në futboll asgjë s’vjen falas”, Myrto Uzuni: Kombëtaren e kapa me punë, Granadën e ngjis
Sigurisht që Myrto Uzu ni është lojtari i momentit në Ligën e Dytë spanjolle dhe ai që po ndihmon Granadën që të rikthehet në elitë.
Me 10 gola të shënuar deri tani, ai udhëheq listën e golashënuesve, ndërkaq duke folur për faqen e “LaLiga.com”, lojtari i Kombëtares ka folur për këtë moment kaq të mirë në karrierën e tij.
Keni luajtur në Shqipëri, Kroaci dhe Hungari, si ndiheni tani që jeni në Spanjë?
E kam nisur karrierën në Greqi me shumë sakrifica, pasi ishim me status emigranti dhe duhet të punonim dyfish për të fituar sa më shumë të ardhura. Pastaj për shkak të disa problemeve me dokumentet, m’u desh të kthehesha në Shqipëri, ku karriera ishte më e lehtë dhe pasi eca mirë, u transferova në Kroaci.
Një shtet që është trampolinë për shumë lojtarë të rinj dhe më pas më bleu Ferencvaroshi. Ne luajtëm në Champions, në Ligën e Europës dhe duke shënuar shumë gola, arrita të shpallem lojtari më i mirë i vitit në Hungari. Këtu Granada më thirri dhe nuk u mendova shumë për të ardhur.
Si është të jetosh në Granadë, duke e krahasuar me vendet ku jetonit më përpara?
Për mua është pak e vështirë sepse kam jetuar në kryeqytete si Budapesti dhe Zagrebi e të jetosh në një qytet të vogël si Granada ndihesh si në shtëpi, pasi njerëzit më duan këtu dhe nuk më është dashur shumë kohë për t’u përshtatur me këtë qytet sepse ndihem si në shtëpi.
Keni qenë produktiv në këtë sezon, çfarë e ka sjellë këtë gjë?
Nuk ka ndonjë arsye të veçantë apo ndonjë sekret. Është te puna e madhe që duhet të bësh dhe besimi në vetvete. Kjo është gjëja më e rëndësishme për të ecur përpara dhe gjithashtu ka ndikuar ndihma e shokëve të ekipit e padyshim puna e trajnerit.
Si e shikoni veten te Granada, pasi është duke u bërë një vit që nga ardhja juaj këtu?
Nuk ka qenë një fillim i mirë sezonin e kaluar, por këtë vit të gjithë jemi bashkë me njëri-tjetrin dhe kishim shansin për të qëndruar në La Liga, por nuk e shfrytëzuam, ndërsa tani kemi sërish shanse për t’u rikthyer, edhe pse është e vështirë. Por në futboll asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk vjen falas, fusha është aty për çdo ekip dhe duhet të tregohesh më shumë ambicioz se të tjerët.
Çfarë bëni në kohën e lirë?
Nuk është se bëj ndonjë gjë speciale. Qëndroj këtu shumicën e kohës, ha bukë dhe shkoj në shtëpi, qetësohem dhe fle gjumë një orë e gjysmë. Pastaj shikoj ndeshje të ndryshme. Kjo është koha ime e lirë.
Keni veshur fanellën e Kombëtares shqiptare në shumë ndeshje, sa krenar ju bën kjo?
Natyrisht është krenaria më e madhe në jetën time, të luash për kombin tënd. Unë luaj për ta, për familjen time, për shokët dhe për të gjithë. Jam krenar për veten në këtë pjesë dhe kjo mendoj se ka ardhur nga puna e madhe që kam bërë në stërvitje.
Kemi kuptuar që idhulli juaj është Kristiano Ronaldo, pse?
Po, e vërtetë, idhulli im është Kristiano dhe kam luajtur kundër tij në Champions me Ferencvaroshin. Unë shënova golin e parë dhe ai barazoi. Në fund të ndeshjes ai më dha fanellën e tij dhe shkëmbyem disa fjalë. Arsyeja pse unë e kam ndjekur një idhull të tillë, është besimi në vete dhe puna e madhe që ai ka bërë.
Ka qenë dikush me ju që ju ka ndihmuar në karrierën tuaj si futbollist që kur keni qenë i vogël?
Trajneri i parë ishte babai im. Ishte i dashuruar e i çmendur me Brazilin dhe formoi një ekip të vogël ku u bë trajneri im. Mblodhi të gjithë shokët e mi dhe i stërviste, thjesht për të realizuar pasionin tim. Nuk donte t’ia dinte për asgjë tjetër. Vetëm prej babait tim kam nisur futbollin.
Çfarë synoni me Granadën këtë sezon?
Sigurisht, të kthej Granadën aty ku e meriton që të jetë. Të jetë në La Liga dhe e dyta, të shënoj dhe të asistoj sa më shumë për të ndihmuar në këtë gjë.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"