Në ring më 18 nëntor, Mikel Çullhaj: Gati për fitoren e tretë si profesionist

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 12:20

Në ring më 18 nëntor, Mikel Çullhaj: Gati për fitoren e tretë si profesionist

Mikel Çullhaj po bëhet gati për një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Boksieri nga Tirana do të ngjitet në ring më 18 nëntor për ndeshjen e tretë si profesionist në një eveniment të madh që do të mbahet në kryeqytet. 26-vjeçari, kampion i shumëfishtë në Shqipëri, si dhe pjesë e Kombëtares, prej më shumë se një viti është fokusuar tërësisht në boksin profesionist, ndërsa tashmë kërkon edhe suksesin e tretë në duelin e tij të radhës.

WhatsApp Image 2023-10-27 at 11.53.13

Disa javë para sfidës, për “Panorama Sport”, Mikel Çullhaj flet për këtë përballje: “Aktualisht jam në pritje të ndeshjes së 18 nëntorit. Bëhet fjalë për një event madhështor, ndërsa për mua do të jetë dueli i tretë në boksin profesionist. Gjatë këtyre ditëve pritet të zyrtarizohet edhe emri i kundërshtarit”, deklaron fillimisht Çullhaj, i cili më pas rrëfen përgatitjet për këtë duel të rëndësishëm të karrierës:

“Po stërvitem intensivisht me nga dy seanca stërvitore në ditë, fazë përgatitore, të cilën po e zhvilloj me trajnerin Sead Bushati që prej datës 1 tetor. Kërkoj fitore për të t’u ngjitur edhe më shumë në karrierë, pasi synimi im është i qartë, që të prek majat si profesionist”.

Boksieri nga Tirana e mbyll prononcimin e tij, duke u shprehur mirënjohjen promotorëve që po e mbështesin në këtë rrugëtim: “Me këtë rast dua të falënderoj sponsorin tim kryesor që është Rigers Qefalija, për të gjithë mbështetjen e madhe që më jep në çdo aspekt. Gjithashtu një falënderim shkon edhe për ‘Maestro Figaro 1966’, një tjetër sponsor që më ka përkrahur”.

Mikel Çullhaj pas duelit të 18 nëntorit pritet që të zhvillojë një tjetër ndeshje në fundvit, sërish në Tiranë.

WhatsApp Image 2023-10-27 at 11.53.13 (1)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"