Në Shkodër s’ka fitues, “ringjallen” vlonjatët
Vllaznia e Flamurtari nuk kanë ar ritur të shkojnë më shumë se në një barazim 1-1 në përballjen midis tyre. Vllaznia dje ka humbur mundësinë më të mirë për të marrë vendin e gjashtë në tabelën e klasifikimit. Dy gola të shënuar nga një për çdo pjesë loje, kanë qenë edhe tregues i qartë i atyre që dy ekipet kanë dhënë në dy pjesët e takimit. Dy gola që mbajnë për autorë dy shkodranët dhe po ashtu dy ish-futbollistë të ekipeve respektive. Kruja, një “ish” i Vllaznisë, dhe Lika një “ish” i Flamurtarit.
Pjesa e parë ka folur për një superioritet të miqve, ndërsa e kundërta mund të thuhet për pjesën e dytë. Një barazim që vlen për miqtë, për të ruajtur vendin në të cilin ndodhen.
Pjesa e parë
Takimi ka nisur me një ndërrim të detyruar për vendësit, pas dëmtimit në nxehmje të mesfushorit Arsid Tafili. Ishte minuta e 12- të dhe shkodrani Arsid Kruja shënon në portën e ekipit që u aktivizua deri në gjysmën e parë të sezonit. Ka qenë në fakt një aksion i nisur nga një tjetër shkodran që luan për ngjyrat vlonjate, Erion Vucaj. Pas depërtimit drejt zonës shkodrane, topi përfundon te Kruja, i cili nuk heziton ta dërgojë fluturimthi në rrjetën e Sherrit. Një gol që u dha epërsinë dhe gëzimin vlonjatëve, por jo shkodranit të Flamurtarit, i cili nuk ka festuar shënimin e tij. Për t’u theksuar është fakti se, edhe pas shënimit të golit, miqtë vazhduan të prodhonin lojë efektive dhe të rrezikshme për portën kuqeblu, ndërkohë që për vendësit me vetëm dy raste, në të 30- tën dhe 45-tën, me anë të Sykajt e Shtubinës, kanë qenë shumë pak për kuqeblutë për këtë pjesë loje.
Pjesa e dytë
Vllaznia është lëshuar që në fillim të kësaj pjese për të ndryshuar shifrat e rezultatit. Një ritëm i lartë i skuadrës së Zmijanit, që me sa duket vjen nga kërkesa e lartë e llogarisë në dhomat e zhveshjes në pushim të ndeshjes, por edhe nga një premio ekstra që drejtuesit e klubit akordojnë në pushim, për 5 milionë lekë të vjetër, në rast fitoreje të Vllaznisë. Shkodranët kanë rritur ndjeshëm presionin, duke vënë në gadishmëri që në minutën e 46-të me anë të një gjuajtje të Shtubinës portierin mik. Pavarësisht kundërpërgjigjes së miqve, nuk vonoi që të vinte goli. Në minutën e 60-të, Gilman Lika ekzekuton me mjeshtri një goditje standarde nga rreth 20 metra, duke e përplasur topin në rrjetë. Pak sekonda para pësimit të golit, vlonjatët pas dy të verdhave të Telushit do të mbeteshin në fushën e lojës me 10 lojtarë. Me gjithë rastet e krijuara, sidomos me një tjetër gjuajtje shumë të rrepte të Gilman Likës në minutën e 78-të, e cila përfundon ngjitur me shtyllën horizontale të portës vlonjate, goli i dytë nuk del në dritë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"