Nga bastet tek arbitri dhe stadiumi, ja çfarë duhet të dini për duelin e parë të Egnatias në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2024 | 10:35

Nga bastet tek arbitri dhe stadiumi, ja çfarë duhet të dini për duelin e parë të Egnatias në Champions

Egnatia do të debutojë mbrëmjen e sotme në Champions në një ndeshje kundër kampionëve të Bosnjë Hercegovinës, Borac Banja Luka.

EGNATIA

Vendësit shihen si favoritë nga kompanitë e basteve, që fitoren e skuadrës së drejtuar nga Zizoviç, e kuotojnë me koefiçientin 1.7. Barazimi në këtë ndeshje vlerësohet me shifrat 3.7, teksa fitorja e kampionëve të Shqipërisë kuotohet me 4.9. Përtej numrave dhe asaj që shkruhet në letër, në fushë Egnatia do të tentojë befasinë e madhe.

Ndeshja do të gjykohet nga arbitri polak, Daniel Stefanski. Bëhet fjalë për një arbitër 47-vjeçar me eksperiencë, që ka gjykuar 5 herë në ndeshje kualifikuese në Champions League dhe dhjetëra në Europa League dhe Ligën e Konferencës. Në këto dy kompeticione ka gjykuar edhe ndeshje të grupeve. Asistentë të tij do të jenë David Golis dhe Mihal Obukoviç. Nga VAR survejojnë Pavel Malec dhe Pavel Pskit.

STADIUMI- Gradski është një stadium i ndërtuar që në vitin e largët 1937 dhe i rinovuar për herë të fundit në 2010-ën. Ky stadium, i vendosur në qytetin e Banja Lukës, ka një kapacitet prej 9730 spektatorësh, i krahasueshëm me stadiumin “Selman Stërmasi” në vendin tonë. Në deklaratat e bëra nga boshnjakët para ndeshjes, pretendohet që të jenë rreth 6 mijë spektatorë.

TRANSMETIMI- “Në pamundësi të ndonjë ekrani shqiptar për ta blerë të drejtën e transmetimit të kësaj ndeshje, kreu i klubit rrogozhinas, Agim Demrozi, ka menduar një mënyrë alternative për t’i mbajtur fansat e Egnatias të informuar minutë pas minute me lojën dhe gjithçka pritet të ndodhë sot, prej orës 21:00, në “Banja Luka Stadium”. Të gjithë të interesuarve për ta përcjellë “live” ndeshjen Borac Banja Luka-Egnatia po ju lëmë takim në linkun e kanalit zyrtar të klubit rrogozhinas në youtube”, citohet në njoftimin e klubit të Egnatias.

Ndeshja do të transmetohet për të gjithë teleshikuesit në RTSH Sport, duke filluar në orën 21:00.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"