Nga “Dollaruma” në hero, hakmarrja e mercenarit “Xhixho”! Portieri ishte lideri absolut i Italisë në fazën e grupeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 9:40

Nga “Dollaruma” në hero, hakmarrja e mercenarit “Xhixho”! Portieri ishte lideri absolut i Italisë në fazën e grupeve

Xhanluixhi Donaruma është rikthyer saraçineska e Europës. 25-vjeçari i Italisë, që në këtë Europian ka marrë edhe përgjegjësinë e të qenit kapiteni i kampionëve të kontinentit në fuqi, ka vendosur që të pastrojë veten nga shumë prej akuzave dhe kritikave të muajve dhe viteve të fundit.MixCollage-27-Jun-2024-09-37-AM-1213Edhe pse shumë i ri në moshë, “Xhixho” shpesh ka bërë shumë për të folur për veten e tij, por nëse në periudhat e fundit kishte vendosur që të mblidhte rreth vetes më shumë “armiq” sesa miq, pas paraqitjeve të bëra në fazën e grupeve ka nisur që shumë prej kritikeve dhe akuzuesve të tij të shndërrohen në admirues, ndonëse Donaruma nuk i ka mbyllur llogaritë ende me kritikët e tij… Nëse Italia është mes 16 më të mirave, kjo është kryesisht për shkak të paraqitjeve të tij, i cili karrierën e nisi që në moshën 16-vjeçare, kur mbronte portën e Milanit, një intuitë fantastike e të ndjerit tashmë, Sinisha Mihajloviç.

Dhe nga debutimi e në vazhdim, çdo ndeshje që kalonte ishte një paralajmërim se presioni do ta shoqëronte në çdo ndërhyrje. Kësaj mënyre jetese ai mund t’i kundërvihej vetëm me fizikun e tij prej 196 centimetrash, kubatura e duhur për të mbrojtur siç duhet kuadratin që i lejon profesioni i tij. Dhe ndeshja kundër Kroacisë vërtetoi se Donaruma, në një ekip ku nuk ka shumë referenca, është baza e fortë ekipit. Ai i priti një penallti Luka Modriçit, por një minutë pas kroati e ndëshkoi gjithsesi. Përpara kësaj ndeshjeje, ai bëri një mrekulli madhështore ndaj Rei Manajt, në minutën e fundit të duelit me Shqipërinë, një reagim instiktiv pa të cilin, duke parë sesi rrodhën dy ndeshjet e tjera të Italisë pas debutimit, ndoshta mund ta kishin dërguar në shtëpi kampionen në fuqi.

Italia me shumë fytyra mund të ishte njollosur shumë keq në ndeshjen e dytë të grupit kundër Spanjës, por në atë duel, teksa shokët e tij dukeshin të hipnotizuar përballë iberikasve, Donaruma vishet në rolin e oktapodit, duke hapur duart kudo dhe kurdo, për të ndaluar tentativat e Pedrit, Moratas, Perezit etj. Dhe në atë sfidë, e vetmja gjë që mund ta thyente ishte një sabotim dhe pikërisht ashtu ndodhi, kur Kalafiori i pafat devijon gabimisht në portën e tij.

PAS MAMARDASHVILIT Për momentin, portieri italian është i dyti më aktiv me pritjet e tij deri në këtë pjesë të turneut, sepse 12 golat e sigurt të shmangur prej tij mposhten vetëm nga Giorgi Mamardashvili, portieri i Valencias, i cili ka ngritur një mur të fortë në portën e Gjeorgjisë, duke bërë 15 pritje vendimtare deri tani. Gjithsesi, ky moment i ëmbël i karrierës së tij mbulon të tjera më të pakëndshme. Donaruma duhej të zëvendësonte një gjysmë perëndi në portën italiane, një tjetër Xhanluixhi, por që me mbiemër bënte “Bufon”, kampion bote në vitin 2006. Në moshën 17 vjeç e gjashtë muaj, Donarumma bëri debutimin e tij për Italinë, një rekord për gjigantin “Axurr”, por rritja e tij drejt suksesit ishte shumë e shpejtë, duke qenë se në 2021, në mbrëmjen magjike londineze të 11 korrikut, ai me pritjet e tij nga lotaria e penalltive ngjiste Italinë në çatinë e Europës. “Euro 2020” ishte pa dyshim kartolina më e bukur e Donarumës, duke qenë se me pritjet e tij vendimtare ndaj Spanjës (frenoi Moratën në penalltinë tjetër vendimtare në gjysmëfinale), apo edhe Bukajo Sakan në finalen me Anglinë, Donaruma të paktën harroi për disa momente nofkën e pakëndshme që i kishin vënë, atë të materialistit, mbase edhe më keq se kaq. “Vetëm kur pashë shokët e mi që po vinin drejt meje, kuptova që gjithçka kishte mbaruar dhe ishim kampionë Europe”, do të shprehej Donaruma pasi u vetëshpall mbret i kontinentit.

ARRATISJA E “DOLLARUMA”-s Festa në “Uembli” ishte një ëmbëlsirë, pas një momenti të turbull që karriera e tij kishte përballuar. Pak muaj më parë ai vendosi që të mos pranojë rinovimin me Milanin dhe thirrja e PSG-së e joshi aq sa të largohej nga Italia pa lënë as një euro në arkat e klubit së tij, ndërkohë që i fryu 2 apo 3-fish më shumë xhepat e tij, kundrejt asaj që i garantonte Milani. Dhe kaq mjaftoi që tifozët e “Djallit” të dukeshin engjëj, përballë atij që nga ish-tifozët e tij mori nofkën e demonit, e të pabesit… Dhe si për ironi të fatit, që në sezonin e parë me francezët, shorti deshi që ai të kthehej në Milano, ku pritja në “San Siro” ishte gjithçka përveç se e bukur. Madje, ashpërsia e saj mund të krahasohej vetëm me atë të tradhtarit tjetër të hershëm, Luis Figos, kur vendosi që të linte Barcelonën për Realin e Madridit. Për Xhixhon, nga ajo sfida, në Milano ndryshoi edhe nofka, duke kaluar nga Donaruma në “Dollaruma”, në sensin e mercenarit, e të pangopurit me para, të njeriut pa nder. Tifozët kuqezi me një gjetje shumë origjinale stampuan dhjetëra mijëra dollarë falso me fytyrën e Donarumës në qendër dhe në çdo moment ato para për të cilat ai la Milanin io bënin zonën “pis” dhe i preknin shpatullat…

JO I LUMTUR Por kush mendonte se Donaruma, vetëm prej parave do të ndihej më i lumtur në Paris, gaboi, sepse italiani nisi të ndjejë menjëherë shumë trysni, shumë vetmi në shumë momente dhe mbi të gjitha nuk u ngrit kurrë në nivelet që pritej. Dhe të mendosh që gjiganti “Axurr” u prezantua në të njëjtën ditë me blerjet madhështore si Lionel Mesi, Hakimi, Vajnaldum e Serxho Ramos. Mund të mjaftonin vetëm këta, plus dy autoktonët Mbape e Nejmar që të hipotetizohej një Paris ëndrrash, por jo… Skuadra franceze nuk u rrit kurrë në nivelet që pritej, ndërkohë që Donaruma nisi të koleksionojë vetëm gabime, si për shembull ai ndaj Benzemasë në Madrid që i eliminoi në vitin e shpresës së madhe të Champions-it, por edhe në sezonin e fundit pas eliminimit nga Barça kritikat dhe sulmet u ashpërsuan edhe më shumë, aq sa tani flitet për një largim të mundshëm të Donarumës nga PSG-ja, që në këtë verë. Jo më kot transalpinët sapo kanë firmosur me rusin Matvei Safonovin, të Krasnodarit. Gjithsesi, Donaruma me fanellën e kaltër mbi shpatulla dhe sa herë që rikthehet pranë familjes së tij duket një tjetër gjë, një fenomen, një “Superman” dhe pasi këtë gjë e tregoi në fazën e grupeve, ai do të kërkojë që të përsëritet edhe kundër Zvicrës, të shtunën në 1/8-at, një duel që do të shërbejë jo vetëm për çerekfinalet e Europianit, por mbi të gjitha për faktin që “Xhixho” të shijojë hakmarrjen personale të radhës, ndaj kritikëve të tij…

JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"