Nga Kuka te Mziu, zbulohen afrimet e Kastriotit në merkato
Kastrioti e ka marrë seriozisht konkur rimin për një vend në elitë, sezonin e ardhshëm. Ekipi do të nisë të mërkurën përgatitjet. Në fakt, nisja e përgatitjeve kaq herët tregon edhe një herë se krutanët kanë një projekt të madh për sezonin e ri dhe duan të rikthehen në mesin e më të mirëve.
Krahas shumë surprizave në merkato, pritet që në këtë ditë të prezantohet edhe trajneri i ri, ku nga ajo çka drejtuesit i kanë rrëfyer gazetës, dy emra të njohur janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes.
Artan Mërgjyshi dhe Matko Djarmati janë dy kandidatët e mundshëm për të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ri. Pritet që këto dy ditë të vendoset përfundimisht në lidhje me emrin e teknikut të ri dhe të mërkurën të bëhet prezantimi.
AFRIMET
Për sa u përket afrimeve, pritet që skuadra të përforcohet nga porta në sulm. I pari, me të cilin drejtuesit e Kastriotit kanë arritur akordin, është portieri Klajdi Kuka, që ka qenë pjesë e skuadrave të Tomorit dhe Tiranës në Superiore dhe së fundmi te Tërbuni. 27-vjeçari pritet që ditën e mërkurë të bashkohet me skuadrën.
Pas portës, një tjetër përforcim i rëndësishëm do të kryhet në repartin e mbrojtjes ku bëhet fjalë për Klodian Seminën, lojtari që ka një karrierë të pasur me skuadra të njohura, si Lukarno në Zvicër, si edhe te Vllaznia, por edhe te Besëlidhja në sezonet e fundit.
Mesfusha pritet të përforcohet me afrimin e kapitenit të Korabit, të sezonit të shkuar, Sokol Mziu. Mesfushori i cili ka luajtur me shumë skuadra në superiore, por edhe në Kategorinë e Parë, ashtu si lojtarët e tjerë ka arritur akordin me drejtuesit dhe pritet që t’i bashkohet skuadrës të mërkurën.
Duke qenë se sezonin e shkuar synimet ishin mbijetesa, shumë lojtarë cilësorë në merkaton e janarit vendosën të largohen nga skuadra krutane.
Mirëpo drejtuesit kanë vendosur që t’i rikthejnë disa prej tyre, duke filluar që nga mesfushori Erlind Korreshi e po ashtu edhe mesfushori Abaz Karakaçi, i cili u largua në janar nga Kastrioti, do të rikthehen në skuadër.
LIRIDON PASHA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"