Nga lufta në Kosovë te nofka “Zhuninjo”, rrëfehet Donjet Shkodra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2016 | 22:28

Nga lufta në Kosovë te nofka “Zhuninjo”, rrëfehet Donjet Shkodra

Një supergol në Korçë dhe dy “perla” dje ndaj Luftëtarit. Kaq mjaftojnë për zbulimin e këtij sezoni te Flamurtari. Quhet Donjet Shkodra dhe është lindur në Prishtinë. Mesfushori tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” karrierën e tij dhe momentet e vështira që ka kaluar nga Lufta e Kosovës, e deri tek ardhja në Vlorë.

Donjet Shkodra

Tre supergola në dy ndeshje. Kush është Donjet Shkodra, që po shpërthen te Flamurtari. Na bëni një përshkrim të karrierës suaj?

Jam i ndërgjegjshëm që më njohin shumë pak, pasi kjo është hera e parë që unë luaj me një klub shqiptar. Origjina ime është nga Kosova dhe jam rritur në Gjilan dhe Prishtinë. Kemi ikur nga Kosova në periudhën e luftës, në vitin 1998, bashkë me familjen. Kemi qëndruar 18 vite në Belgjikë dhe natyrisht karriera ime u zhvillua në këtë vend.

Pas 18 vitesh në Belgjikë, çfarë arsye ju solli në kampionatin shqiptar?

Ne kemi vuajtur shumë për vendin tonë. Prindërit e mi kanë qenë të përkushtuar për të na transmetuar kulturën dhe gjuhën shqipe. Një vit më parë më ka vdekur nëna dhe kisha nevojë për një ndryshim ambienti, nuk doja të qëndroja më në Belgjikë. Kur erdha për të vizituar Shqipërinë, pasi më kishin kontaktuar ekipet, u binda. Erdha këtu se ma mbush zemrën Shqipëria si vend dhe si ambient. Mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë.

Firmosët te Flamurtari, por a mund të na thoni me cilat skuadra të tjera keni qenë në bisedime?

Kanë qenë thjesht bisedime. Besoj nuk është mirë t’i përmend emrat e ekipeve, pasi unë e kam bërë zgjedhjen time tashmë.

Cili është idhulli juaj në futboll?

Nuk kam shumë idhuj, por lojtari i preferuar dhe që më pëlqen shumë është Mesi.

Çfarë pseudonimi ju kanë vënë tifozët në të shkuarën?

Në dy ekipe në Belgjikë më kanë thirrur “Xhuninjua i Kosovës”, pasi kam shënuar disa herë me gjuajtje nga distanca.

Cili është miku më i mirë te Flamurtarit, që po ju ndihmon të ambientoheni?

Ilir Berisha, Astrit Fazlliu dhe Dardan Çerkini. I kam të gjithë miq, por kur kam ardhur te Flamurtari ata i kam njohur më nga afër.

Ushqimi juaj i preferuar?

Më i preferuar është ushqimi tradicional shqiptar dhe ai kosovar.

Cila është pika juaj e fortë në futboll?

Besoj se janë pasimi, gjuajtja dhe mbajta e topit.

Po më e dobëta?

Sprinti, nuk jam i shpejtë.

Cilat janë synimet tuaja në këtë sezon me Flamurtarin?

Të bëjmë një sezon të mirë dhe të mbështetemi në qëllimet e profesor Maganit.

Çfarë ambienti keni gjetur në Vlorë?

Është shumë i mirë. Kam 12 vite në futbollin profesionist dhe gjykoj se jam në një skuadër me një grup të mirë lojtarësh. Nuk kam luajtur ndonjëherë me kaq shumë shqiptarë në ekip. Them se kultura jonë është më e mirë.

Tre gola në dy ndeshje, çfarë premtoni më tepër?

Premtoj që të shikojmë një Flamurtar të angazhuar 100% dhe të arrijmë më të mirën.

E shikoni veten mes golashënuesve më të mirë apo nuk e mendoni këtë?

Jo, nuk ma merr mendja. Unë mendoj se golashënuesi më i mirë i Flamurtarit do të bëhet Bushiç.

Kjo e sotmja (dje) ishte ndeshja e parë para tifozëve të Flamurtarit, si u ndiet?

U ndjeva shumë mirë. E kam pritur që të paraqitesha në këtë mënyrë dhe ndihem i lumtur që e nisa me gol.

Shënoni shpesh gola të tillë?

Po, kam shënuar edhe gola të tillë në të kaluarën. Kanë qenë përgjithësisht goditje nga distanca, që unë i preferoj.

A jeni i dashuruar?

Jo, nuk kam të dashur. (qesh)

Golat kujt ia dedikoni?

Golat ja dedikoj nënës sime.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"