Nga mbrojtja solide te sulmi joproduktiv, statistikat e çuditshme të Apolonisë në sezonin e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 0:15

Nga mbrojtja solide te sulmi joproduktiv, statistikat e çuditshme të Apolonisë në sezonin e fundit

Apolonia e mbylli kampionatin në vendin e pestë, por skuadra ka çudira në statistika. Për ata që nuk e dinë, skuadra fierake rezulton me një nga mbrojtjet më të mira dhe sulmin më pak produktiv.

apoloniaa

Jo vetëm kaq, por sulmi i Apolonisë përafrohet me Korabin dhe Kastriotin, të cilët ishin të renditur, respektivisht i gjashti dhe i shtati në renditje. Krejtësisht e kundërta ndodh me mbrojtjen, që ka vetëm 31 gola të pësuar dhe është prapavija e dytë më e mirë.

Faza difensive

Apolonia ka pësuar 31 gola në 33 javë kampionat, duke qenë një nga skuadrat më të mira dhe më solide në Kategorinë e Parë. Dy gola më pak është Flamurtari, një gol më shumë është Elbasani, ndërsa Bylisi ka pësuar njëlloj sa Apolonia. Gjithsesi, Apolonia në mbrojtje nuk ka bërë më mirë se sezonin e shkuar, pasi vjet ata pësuan vetëm 30 gola në 26 javë kampionat. Dhe të mendosh që në janar u largua mesfushori me tipare mbrojtëse Davarel Diambomba Mouandza drejt Arabisë Saudite dhe dy muaj më vonë, mesfushori tjetër difensiv, Jasin Umar Rajab, u dëmtua rëndë dhe humbi pjesën më të rëndësishme të sezonit.

Zgjidhja u gjet shumë shpejt brenda familjes, me pozicionimin në krahun e djathtë të mbrojtjes të mesfushorit qendror Hebeja dhe sigurisht linjës me katër lojtarë me muskuj, përfshi këtu Ndubuisin, Repajn dhe Asllanajn, që ishin të paprekshëm në formacionin titullar. Pavarësisht rolit të ri dhe jo natyral në prapavijë, Rubin Hebeja gjeti dy herë rrugën e rrjetës, ndërsa mbrojtësi i majtë, Ersildjo Asllanaj, gjeti tri herë rrugën e rrjetës. Shkëlqyen edhe dy qendrat e mbrojtjes, me Repajn që shënoi tre gola ndërsa Ndubuisi dy gola.

Faza sulmuese

Të pamjaftueshëm mund të quhen golat e shënuar të fierakëve. Plot 44, por një nga sulmet më pak produktiv. Apolonia kishte një ofensivë që konkurronte me skuadrat që mund të binin nga kategoria, si Kastrioti. Një sezon më parë, Apolonia shënoi vetëm 31 gola, ndërsa këtë sezon 13 rrjeta më shumë, por sërish të pamjaftueshme për t’u ngjitur në elitë.

Apolonia e mbylli e pesta sezonin me 46 pikë. Është 8 pikë më shumë nga kampionati i shkuar, por sërish ka një mesatare shumë të ulët pikësh. Këtë sezon, Apolonia vetëm një javë ka qenë në vendin e dytë të klasifikimit dhe më pas ka zbritur në vendin e pestë, për të mos u ngjitur më kurrë, sikur edhe një vend. Po kështu, viti 2024 ka qenë një “tmerr” më vete për Apoloninë. Në 17 javë të luajtura ka marrë vetëm 20 pikë, me 5 fitore, 5 barazime dhe 7 humbje. Tanimë që Apolonia do të luajë sërish në Kategorinë e Parë, diçka e tillë ka ardhur veçanërisht nga mungesa e theksuar e rezultateve në transfertë. Në shtëpi ka bërë më mirë, por përballjet jashtë fushe kanë qenë shumë problematike sa u përket rezultateve. Pra, në vitin 2024 fierakët nuk e kanë provuar se çdo të thotë të marrësh tri pikët jashtë fushe.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"