Nga paraqitja me Apoloninë te ftesa e Shpresës, Erald Maksuti në “qiellin e shtatë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 14:57

Nga paraqitja me Apoloninë te ftesa e Shpresës, Erald Maksuti në “qiellin e shtatë”

Erald Maksuti është një prej lojtarëve që ka lënë shenjë te fierakët sezonin e sapo përfunduar, ku shënoi 7 gola. I gjithë mundi dhe shkëlqimi është shpërblyer me grumbullimin e fundmi nga Kombëtarja U-21.

maksuti apolonia

Në një intervistë “Panorama Sport”, sulmuesi Maksuti tregon sezonin e fundit, nga shkëlqimi me fierakët e deri te ftesa e marrë nga ekipi Shpresa.

E përfunduat kampionatin në vendin e 5-të, ndërsa në “play off”  u eliminuat nga Flamurtari. Si do ta vlerësonit sezonin e Apolonisë?

Në fillim të sezonit kishim objektiva të tjera, dy vendet e para, por ishim shumë të sigurt për “play off”-in, ku shkuam deri në finale. Mendoj se kemi zhvilluar një sezon pozitiv. Bëmë maksimumin, treguam shpirt luftarak, si dhe prodhuam futboll të bukur.

Na vjen keq që u eliminuat me penallti nga Flamurtari në “play off”?

Normalisht që më vjen keq dhe e kam përjetuar shumë. Ishim dominues në pjesën më të madhe të lojës, por duhet pranuar që nuk e kishim atë freskinë për të arritur deri në finalen tjetër. Futbolli i ka këto situata të vështira. Mund të them se ai eliminim do të na shërbejë të gjithëve për t’u rritur edhe më shumë.

 Pakkush e priste, por Apolonia rezultoi pretendente e denjë për t’u ngjitur në elitë. Cili ishte sekreti i kësaj skuadre?

Grupi, që ishte shumë i bashkuar si në fitore dhe në humbje. Kishim një harmoni shumë të mirë në grup dhe kjo mendoj se ishte çelësi i ecurisë së mirë të Apolonisë në sezonin e fundit. Gjithashtu, vlerësonim njëri-tjetrin dhe sakrifikonim shumë për skuadrën.

Në aspektin personal, keni zhvilluar një sezon pozitiv ku shënuat edhe 7 gola. Sa i kënaqur jeni me paraqitjen tuaj?

Jam shumë i kënaqur. Kam bërë një sezon pozitiv, ndonëse kam luajtur në një rol të ri. Në fakt, roli im natyral është sulmues qendre, por kam luajtur në çdo ndeshje si sulmues krahu, majtas dhe djathtas. Ky pozicionim i ri më vlejti shumë dhe për këtë jam edhe më i kënaqur.

Cili gol ka qenë më i bukuri për ju në këtë edicion?

Çdo gol ka bukurinë, veçantinë dhe peshën e vet. Por do të veçoja si më të bukurin, atë më me shumë peshë, pikërisht golin në “play off”-in ndaj Vorës në transfertë, sepse ringjalli shpresat për kualifikim.

Si shpërblim vjen ftesa e djeshme nga Kombëtarja U-21. I emocionuar?

Patjetër që po, sepse të luash me ngjyrat kuqezi është gjithmonë një emocion i veçantë dhe i papërshkrueshëm. Ndihem krenar, pasi e kam ëndërruar një moment të tillë. Është maksimumi për çdo futbollist, sepse ndihesh i rëndësishëm. Shpresoj për një përfaqësim sa më dinjitoz. Jam gati të sakrifikoj gjithçka për këto ngjyra dhe i falënderoj përzemërsisht të gjithë për besimin që patën tek unë.

Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen?

Unë jam ende nën kontratë me Apoloninë, prandaj ambiciet e mia janë që të jap maksimumin e mundshëm me fierakët. Në të ardhmen e afërt, shpresoj që me Apoloninë të ngjitem në Kategorinë Superiore.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"