Nga Shkëndija europiane te Egnatia, Zejnullai: Që te Shpresat mendoja për kampionatin shqiptar, kam pasur oferta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2022 | 12:43

Nga Shkëndija europiane te Egnatia, Zejnullai: Që te Shpresat mendoja për kampionatin shqiptar, kam pasur oferta

Kur Egnatia arriti të bindte talentin 23- vjeçar Arbin Zejnullahi të firmoste për të, rrëmbeu një ndër talentet me të cilët Shkëndija e Tetovës shkëlqeu jo vetëm në Maqedoni, por garoi denjësisht edhe në Europë. Zejnullahi ka një përvojë me disa klube, si Shkëndija Tetovë, Lokomotiva Zagreb e Rabotniçki.

ARBIN ZEJNULLAI

Tashmë mesfushori 23-vjeçar po stërvitet me grupin dhe zhvilloi gjithashtu takimin e parë me fanellën e Egnatias në miqësoren me Strugën. Nga ky djalosh pritet shumë. Për “Panorama Sport” ai sqaron ofertat, si ndihet tek Egnatia, çfarë roli i shkon më së miri e të tjera.

Si arriti t’ju bënte për vete Egnatia?
Kampionati shqiptar më ka tërhequr gjithmonë edhe përkundër faktit se isha me fat dhe i lumtur që isha pjesë e Shkëndijës së Tetovës në periudhën më të suksesshme të saj. Duke luajtur me Kombëtaren e Shpresave të Shqipërisë më rrotullohej në kokë dëshira për të luajtur në kampionatin shqiptar. Kam pasur mjaft oferta në të kaluarën, por për rrethana të ndryshme nuk është realizuar transferimi. Tani duket se erdhi momenti dhe Egnatia erdhi me një ofertë konkrete e mbi të gjitha, duke manifestuar konsideratë për mua si futbollist. Para bisedës me presidentin e Egnatias pata ofertë të qëndroja te Rabotniçki, por dëshira dhe prezantimi i presidentit të Egnatias me principe e profesionalizëm më bindi.

Sa të afërt e prisni ambientimin me grupin?
Çdo ndryshim ambienti lyp kohën e vet jo për mua, por për çdo lojtar. Po ma bëjnë të lehtë këtë fakt çunat e ekipit, stafi teknik e administrativ, çdo i punësuar në klub. Deri te presidenca. Më rrethon një ambient dashamirës, ndihmues që ma bën më të lehtë e më të shpejtë përshtatjen.

ARBIN ZEJNULLAI 1

Keni krijuar pas kaq ditësh një ide për grupin?
Ajo që më bën më shumë përshtypje është atmosfera që mbretëron në ekip. Sado cilësi të kesh, harmonia njerëzore, mbështetja e njëri-tjetrit brenda e jashtë fushe janë një plus i madh që natyrisht pasqyrohet në fushë. Skuadra ka pësuar shumë ndryshime, në përbërje, stafi teknik i ri që sigurisht kërkon të implementojë idetë e veta e ky është një proces që kërkon kohën e vet. Po konstatoj me kënaqësi se ka futbollistë profesionistë, të cilët dinë të bëjnë mirë atë detyrë që u jepet çdo seancë stërvitore.

Ndërkohë që miqësoren e parë e humbët…
Sigurisht që kur gjendesh për herë të parë në një ekip të ri, jo vetëm unë, por pothuaj 90% e formacionit në miqësore duhet kohë të njohësh lëvizjet dhe stilin e lojës së shokëve, sado fort kemi punuar në stërvitje. Ndeshja është diçka tjetër, pasi luanim për herë të parë bashkë. Shto këtu faktin se jemi në ngarkesa të larta fizike dhe të gjitha këto ndikuan në miqësoren e parë. Fundja, miqësoret këtij qëllimi i shërbejnë, njohjes së njëri-tjetrit dhe harmonizimit të lojës në grup. Rezultati është ai që vlen më pak. Do të kemi kohë të luajmë për rezultate. Deri atëherë do të punojmë fort që starti i garës të na gjejë të kompaktësuar si grup.

Së fundi, në cilin rol në fushë mendoni se jep maksimumin Zejnullahi?
Ndihem mirë kur ndihmoj skuadrën aty ku trajneri mendon se i nevojitem ekipit. Roli im është në mesfushë si organizator i lojës, por kam luajtur në raste edhe si shkatërrues. Preferenca ime është nr. 8 në mesfushë, por sipas nevojave, në të tria pozicionet e mesfushës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"