Nga të padëshiruar në heronj, si Mehmeti dhe Keko ndezën Partizanin kundër Marsaslokut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2024 | 8:09

Nga të padëshiruar në heronj, si Mehmeti dhe Keko ndezën Partizanin kundër Marsaslokut

Ka shumë arsye përse futbollin e duan të gjithë, por ndoshta arsyeja kryesore është se kjo lojë është si vetë jeta. Sot mund të jesh në pikën e fundit dhe nesër në kulm.KEKONjë mësim të tillë e morëm të enjten nga dy lojtarë, Adnard Mehmeti dhe Albers Keko. Të dy vinin nga një sezon plot dëmtime e pa shkëlqim, çka edhe shtyu stafin e Partizanit t’i fuste në listën e lojtarëve që mund të largohen këtë verë. Në fund ishte kjo dyshe, që bëri diferencën me cilësitë e tyre dhe i dha Partizanit një kualifikim që vlen shumë para, por edhe nderin e klubit të kuq, pasi përballë ishte një rival pa emër dhe histori.

KEKO – Në janar të vitit 2023, drejtori i atëhershëm, Elton Marini, negocioi me Korabin dhe arriti të siguronte kalimin e sulmuesit disa muaj më pas, në fund të sezonit. Djalë disi i ndrojtur, kur ecën nuk e kthen kokën anash dhe fjalët i ka me kursim. Që në start shkëlqen në stërvitje dhe dhuron spektakël. Në repartin e tij ka shumë konkurrencë dhe presioni ndikon që spektaklin e stërvitjes të mos e japë edhe në ndeshje.

Zhvillon një sezon jashtë pritshmërive për një talent të tillë, por nuk del pa lënë shenja. Në 18 ndeshje si zëvendësues, ai bëhet “vrastar” nga stoli me 3 rrjeta të tundura, që shpëtojnë ekipin dhe i japin pikë të arta. Një prej tyre realizohet në një prej derbeve me Tiranën. Më pas djaloshi nga Divjaka pëson një dëmtim si shaka. Këpuca i çan pjesën sipër thembrës dhe këmba infektohet. Nuk stërvitet për gati dy muaj dhe humbet ritmin. Sulmuesit e tjerë fitojnë terren dhe në verë, kur duhej “krasitje”, i riu kalon në listën e atyre që mund të sakrifikohen. Por ai shfaqet sërish, hyn në lojë nga stoli, shënon në “grahmat” e fundit dhe kualifikon ekipin. Tani largimi duket më pak i mundur. Me siguri drejtuesit do të kenë ndryshuar mendje.

MEHMETI – Të kuqtë e kërkonin që në 2022-shin, por vetëm një vit më parë arritën të sigurojnë shërbimet e tij. Negociojnë me Erzenin dhe arrijnë marrëveshjen për 100 mijë euro. Me Zekiçin e nis si titullar, teksa talenti i duket që në prekjet e para të topit, por dëmtimet e pengojnë dhe stabiliteti mungon. Treshja klasike e mesfushës, Rrapaj-Maget-Murataj, e blindojnë vendin e tyre dhe 23-vjeçari has vështirësi për të gjetur hapësira.

Këtë verë pozitat e tij në skuadër pësojnë një tronditje, pasi stafi nuk e sheh brenda planeve. Nga ana tjetër, klubi nuk e lë të lirë dhe lojtari vijon të stërvitet. Vjen Europa, dëmtohet Murataj dhe Shehi e zgjedh përpara Ismailit. Në minutat e para nuk futet si duhet në lojë, por me kalimin e kohës e rrit nivelin derisa në çastet e fundit rikuperon topin, që i jep Partizanit fitoren. I tregon klubit se mund të bëjë mirë, pavarësisht se vjet s’ia doli sa duhet. Për të ka oferta nga jashtë, por Partizani kërkon të fitojë një dorë të mirë parash dhe nuk e lëshon.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"