Nga trajneri te skuadra për ngjitjen në Superiore, ja dilemat e Apolonisë së re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 11:43

Nga trajneri te skuadra për ngjitjen në Superiore, ja dilemat e Apolonisë së re

Apolonia do të militojë sërish në Kategorinë e Parë, ku do të ritentojë rikthimin mes më të mirave në futbollin shqiptar pas 4 vitesh mungesë. Për fat të keq, në sezonin e fundit skuadra fierake humbi mundësinë “e artë” për t’u ngjitur në Superiore.

apolonia

Fierakët u mundën vetëm në finalen e “play off”-it nga Flamurtari. Tani për ta do të nisë një fillim i ri, ku shpresojnë që në të katërtin sezon radhazi të jenë konkurrues dhe pretendentë, me qëllim që në sezonin e ri të rikthehen në Superiore. Burime të “Panorama Sport” pranë klubit fierak pohojnë se do të nisë shpejt puna për formatimin e skuadrës së sezonit 2024-2025. Çështja e parë që mbetet për t’u zgjidhur, është ajo e trajnerit. Artan Mërgjyshi u thirr në emergjencë për të mbyllur sezonin e shkuar, teksa e mori skuadrën thuajse në një gjendje të pashpresë. Mirëpo, me aq pak muaj sa qëndroi në krye, trajneri kryeqytetas rihapi garën për “play off”-in dhe njëkohësisht preku nga afër finalen e ethshme të “play off”-it, që u humb vetëm nga penalltitë përballë vlonjatëve. Paraqitjet nën drejtimin e tij i kanë rritur ndjeshëm kredencialet për të marrë besimin edhe për vitin e ardhshëm, por për momentin këto diskutime nuk kanë nisur ende të bëhen në klubin fierak.

Burime të gazetës, pohojnë se gjatë ditëve në vijim do të ketë një takim mes palëve për të parë nëse mund ta vazhdojnë sërish bashkëpunimin në të Parën, ku synim do të jetë ngjitja në Kategorinë Superiore. Nëse ky projekt do t’i bashkojë, atëherë do të vazhdojnë sërish bashkëpunimi, në të kundërt Apolonia do të vihet në kërkim të një trajneri të ri. Apolonia ka ndjekur një politikë me kontrata afatgjata me lojtarët, çka nënkupton se nuk mund të largohen lehtësisht nga skuadra. Mësohet se rreth 80% e futbollistëve aktualë do të vijojë të qëndrojë sërish në Kategorinë e Parë, të paktën ky është synimi i klubit fierak, që planifikon të  mos bëjë shumë ndryshime në skuadër.

Diçka e tillë u është bërë e qartë edhe lojtarëve, të cilët do të mbahen me synimin e vetëm për ta rikthyer ekipin në Superiore. Sakaq, atyre që u mbaroi kontrata në fund të  edicionit të shkuar, janë larguar menjëherë. Klubi nuk është ulur të negociojë me ta kushtet e qëndrimit, pasi ata lojtarë nuk shiheshin më si pjesë e rëndësishme e projektit. Nga ana tjetër, burimet theksojnë, se kanë nisur edhe piketimet për të afruar të tjerë futbollistë, në mënyrë që të mos vihet në diskutim ngjitja dhe të jenë pretendentë serioz në sezonin 2024-2025.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"