Ngec Vllaznia e Tirana, skarcohen kroatët. G.Lika ndjek ndeshjen nga stoli bardheblu
VLLAZNIA–TIRANA 0-0
GOLA: S’ka
VLLAZNIA: Vujadinoviç (Selimaj 62’), Gocaj, Zefi, Belisha (Rukavina 46’), Marku (Boci 61’), Tafili (Kalaja 55’), Kruja (Dibra 55’), Hajdari (Vecaj 46’), Sykaj (Ljubioviç 46’), Shtubina (Rexha 66’), Bushiç (Shaba 72’); Trajner: A.Canaj
TIRANA: I.Lika, Pashaj (Kaja 62’), Çota (Sorra 73’), Muça, Peposhi (Gilberto 46’), Vrapi, Karabeci (Çaushaj 73’), Kërçiku (Sina 46’), Hoxhallari (Kotebelli 58’), Taku (Deliç 61’), Morina; Trajner: G.Magani
GJYQTARË: D.Jubica, D.Sala, Gj.Bori (Shkodër)
Klasikja” shqiptare ka përfunduar në barazim. Miqësorja mes Vllaznisë e Tiranës nuk shkoi më larg se 0-0. Ndonëse në një ndeshje me volum të lartë dhe me raste të pastra, si shkodranët dhe bardheblutë nuk e gjetën dot rrugën e rrjetës. Takimi, i cili u luajt dje në orën 14:00 në “Loro Boriçi”, solli edhe interesin e tifozëve, pavarësisht se ishte vetëm testues. Megjithatë, ky 90-minutësh u shërbeu të dy trajnerëve për të parë gjendjen e grupit, veçanërisht të lojtarëve të afruar rishtazi, apo atyre në provë. Nën vëzhgim te shkodranët ishin mesfushori Antonio Rukavina dhe mbrojtësi Denis Ljuboviç, por asnjëri prej tyre nuk e bindi Agim Canajn. Për rrjedhojë, klubi i ka larguar dy kroatët e ardhur dy ditë më parë për provë. Me këta lojtarë numri i futbollistëve të afruar dhe të larguar nga Shkodra shkon në 9-të.
Pjesa e parë – Takimi ka startuar me një minutë heshtje, në nder të ish-futbollistit shkodran Zamir Shpuza, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë. Loja nisi shpjet për bardheblutë, të cilët që në minutën e parë kanë rrezikuar seriozisht portën e mbrojtur nga Vujadinoviç. Madje, në minutën e 5-të ka qenë Çota që, nga fare pranë portës, ka tronditur shtyllën transversale. Kundërpërgjigjja e vendësve nuk ka vonuar me anë të Belishës dhe Krujës, ndonëse gjuajtjet e tyre nuk krijuan kërcënim real për gardianin Ilion Lika. Pjesa e parë është mbyllur me një tjetër përpjekje të kryeqytetasve. Karabeci ka tentuar nga distanca, por pa e gjetur kuadratin.
Pjesa e dytë – Ky 45- minutësh ka nisur me lëvizje të shumta në të dyja formacionet, zëvendësime që ndikuan deri diku edhe në uljen e nivelit të takimit. Drejtuesit shkodranë më së shumti u përqendruan te paraqitjet e Ljuboviçit dhe Rukavinës. Ndërkohë që nga ana tjetër, bardheblutë u përqendruan te paraqitja e dy blerjeve të janarit, konkretisht Gilberto dhe Deliç. Madje, ka qenë ky i fundit, që me nisjen e pjesës së dytë ka pasur dy raste të njëpasnjëshme për të shënuar, por nuk ia ka dalë dot përballë Vujadinoviç dhe, më pas, edhe Selimajt, të cilët i mohuan dy gola të sigurt malazezit. Në pamundësi për t’iu afruar zonës mike, Vllaznia ka rrezikuar me goditjet standarde, por si Rexha dhe Zefi nuk e gjetën dot rrjetën. Madje, ky i fundit ka rënë në sy loja për lojën shumë të mirë të zhvilluar jo vetëm në mbrojtje, por edhe sulm, ku u shfaq i rrezikshëm, sidomos në luftën në ajër. Zefi së bashku me Gocajn kanë qenë dy nga shkodranët e vetëm që kanë zhvilluar 90 minuta të plota. Në minutat e fundit të takimit kanë qenë sërish miqtë me anë të Muçës, që e ka tronditur për të dytën herë shtyllën transversale, por rezultati nuk ndryshoi. Takimi u mbyll me një gjuajte të bukur me kokë të Dibrës, por topi përfundoi vetëm jashtë. Ndeshja u mbyll ashtu sikundër edhe nisi, pra me shifrat 0-0.
Gilman Lika ndjek ndeshjen nga pankina e… Tiranës
Gilman Lika ndoqi dje nga afër miqësoren Vllaznia-Tirana. Shkodrani i mirënjohur është parë në fakt shumë pranë ekipit të Tiranës në takimin e djeshëm. Fillimisht ka qëndruar në tribunë me drejtuesit kryeqytetas Halili dhe Alimehmeti, por përgjatë ndeshjes është ulur edhe në pankinën e bardhebluve. Në fund të kësaj miqësoreje, mesfushori shkoi te dhomat e zhveshjes me të gjithë lojtarët e ekipit dhe drejtuesit e këtij klubi, ku u takua nga afër edhe me ish-shokët e ekipit. Mësohet se ka pasur edhe një takim mes lojtarit dhe Halilit, ku sigurisht donatori i ka shprehur hapur dëshirën që të rikthehet. Lojtari ka si synim që të luajë sërish jashtë vendit, por nëse një gjë e tillë nuk ndodh, gjasat janë që ai të zgjedhë pikërisht Tiranën. Vetë Gilmani i kontaktuar nga gazeta, ka treguar se nuk kishte si ta humbiste këtë ndeshje, edhe pse miqësore. “Thjesht takova miqtë e mi, si nga Shkodra ashtu edhe nga Tirana. Nuk ka asnjë zhvillim të ri sa i përket së ardhmes sime”, – sqaroi Lika.