Ngo, “leksion” nga Tirana B. Bardhebluve u rikthehet edhe “gladiatori” Gentian Muça
Në një kohë që Tirana po kalon nga humbja në humbje dhe është në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, me probleme në sulm, klubi ka luksin që të mos dorëzohet për sa i përket disiplinës. Sulmuesi kryesor i Tiranës, Majkëll Ngo, vuan dënimin e dhënë nga trajneri Mema dhe klubi bardheblu, duke luajtur me Tiranën B.
Shtatlarti ka luajtur dje për 90 minuta në sfidën ndaj Adës, duke shënuar edhe golin e dytë në fitoren 3-2 të bardhebluve. Gjithashtu, një lajm shumë i mirë ka ardhur dje për Tiranën, pasi Gentian Muça që arriti të kalonte një sëmundje të rëndë disa muaj më parë, dje ka zbritur për herë të parë në një ndeshje zyrtare. Ai ka luajtur 90 minuta në sfidën e djeshme.
Ndeshja
Ka qenë një sfidë e luftuar nga të dyja skuadrat. Kryeqytetasit edhe pse vinin të përforcuar me dy lojtarë të ekipit A, si Gentian Muça dhe Majkëll Ngoo, janë befasuar në të 30-ën kur kanë pësuar dhe golin e parë, i realizuar me penallti nga Gokaj. Më pas, skuadra e Tiranës ka qenë më e sigurt dhe arrin të barazojë në limitin e pjesës së parë me anë të Shyqyri Xhepës.
Në fraksionin e dytë shpërthen Ngoo që realizon golin e përmbysjes në të 50- ën dhe më pas është përsëri Xhepa që realizon duke e çuar rezultatin në 3-1. Por, skuadra velipojake ka qenë kërkuese deri në fund dhe arrin të ngushtojë shifrat në 3-2 me golin e veteranit Elhan Galica.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"