Ngrohja e stolit i ka tërbuar, ja 21 lojtarët që luten për t’u aktivizuar
P resin me padurim të luajnë, por në këtë pjesë të parë të sezonit nuk janë preferuar nga trajnerët. Disa prej tyre janë grumbulluar rregullisht për ndeshjet e kampionatit, por nuk kanë pasur fatin të luajnë qoftë edhe një minutë.
Vëzhgimi i “Panorama Sport” bëhet fjalë për atë kategori lojtarësh që në këto 16 javë kanë ngrohur stolin. Nuk janë pak, por plot 21 të tillë, mes tyre edhe emra që në kampionatet e kaluara kanë qenë titullarë. Nga 10 klubet e Superiores, vetëm Skënderbeu nuk ka lojtarë që s’i ka përdorur, qoftë edhe pak minuta në këtë kampionat. Trajneri Ilir Daja u ka dhënë hapësirë 23 futbollistëve në këto 16 javë, teksa janë privuar nga aktivizimi vetëm ata që kanë qenë të dëmtuar si Leonit Abazi dhe Argjend Malaj.
Edhe Shpëtim Duro te Flamurtari u ka marrë të gjithëve maksimumin, ndërsa reparti ku nuk ka dashur të bëjë asnjë lëvizje është porta. Edmir Sali dhe Pano Qirko duhet të presin ndonjë gafë apo penalizim të Nurkoviçit për të shpresuar se mund të luajnë këtë sezon. Sali ka qenë në stol në 13 ndeshje, ndërsa Qirko në vetëm tre prej tyre në këto 16 javë. E njëjta gjë edhe për portierin rezervë të Laçit, Elton Vata, i cili në të gjitha takimet ka qenë në stol, pasi kolegu i tij, Gentian Selmani, nuk ka munguar asnjë minutë. Nga ana tjetër, mbrojtësit Amer Duka dhe Indrit Prodani janë grumbulluar në gjysmën e takimeve, por pa mundur të luajnë në Superiore, teksa për ta është një sezon debutues.
Kampionët në fuqi të Kukësit kanë injoruar portierin Ervis Koci dhe mbrojtësin Rexhep Memini gjatë këtij sezoni. Nëse më parë kanë luajtur edhe si titullarë te Kukësi, ky kampionat zor se mund t’u krijojë hapësira. Te Partizani janë shndërruar në alternativa dytësore emra si braziliani Uarlei Alvesh dhe italiani Andrea Selvaxhio. I pari është grumbulluar në 7 ndeshje, ndërsa i dyti në vetëm dy takime.
Edhe korçari Romeo Shahinas nuk mundi të luajë asnjë takim me Partizanin në Superiore. Te Kamza janë katër lojtarë që kanë pritur më kot trajnerin Ndreu. Armando Rami është grumbulluar në 9 ndeshje, ndërsa Besnik Syziu në 7. Na një takim pjesë e stolit kanë qenë Denis Peposhi dhe rusi Khasan Khatsukov.
Te Luftëtari pret të bëjë debutimin në Superiore vetëm portieri Arvenold Qyrani, ndërsa në Durrës i riu Granuel Lika, edhe pse ka qenë i gatshëm në tri takime, nuk është preferuar nga trajneri Magani. Situata është e njëjtë për dy të rinj shkodranë si Enes Isufi dhe Belajdi Pusi, që janë provuar vetëm në Kupë. Te Lushnja presin shansin e tyre Melis Haxhiu, Aldo Malaj dhe Dorian Elezi.
TË DËMTUARIT
Sezoni 2017-2018 ka qenë i pafat për pesë futbollistë, të cilët ende nuk mund të thuhet se janë të gatshëm pas dëmtimeve të rënda që kanë pësuar. Leonit Abazi dhe Argjend Malaj nuk kanë luajtur asnjë minutë këtë sezon me Skënderbeun. E njëjta gjë edhe për mbrojtësin Franc Veliu, i cili gjatë fazës përgatitore pësoi një dëmtim të rëndë dhe ende nuk e ka marrë veten.
I pafat edhe mesfushori i Lushnjës, Erlind Koreshi, i cili u detyrua të bënte operacion në gju gjatë muajit gusht. Ndërsa i riu elbasanas, Arsen Kasa, pas një dëmtimi në stërvitje, nuk u pa më te Luftë- tari, duke humbur mundësinë e debutimit në elitë. Një pjesë e këtyre lojtarëve me siguri do të rikthehen në fushë në fazën e tretë dhe të katërt.
JORGIS MEMO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"