Nika: Vllaznia ekipi i zemrës, por fiton Kukësi
Lojtari shkodran i Kukësit, Ansi Nika, këtë fundjavë do të jetë përballë skuadrës së vendlindjes, Vllaznia.Për këtë ndeshje Nika thotë se Kukësi shkon për fitore në Shkodër, ndërsa ai vetë, edhe pse e do shumë Vllazninë dhe e ka ekipin e zemrës, sërish në plan të parë vendos profesionalizmin. Kështu që, sipas mesfushorit, Kukësi shkon për ta fituar ndeshjen dhe ai vetë do të japë maksimumin për verilindorët.
Mesfushori mendon që të afërmit e tij do të jenë të ndarë për sa i përket tifozllëkut në këtë takim, ndërsa si objektiv me Kukësin ka fitimin e Kupës dhe vendin e tretë në kampionat.
Ansi, luani përballë Vllaznisë, sa e vështirë është për ju të luani kundër ekipit të qytetit tuaj?
Është një ndeshje e veçantë për mua, sepse luaj kundër ekipit tim të zemrës, por ne jemi profesionistë dhe duhet të japim maksimumin për fanellën që mbajmë veshur.
Si e shikoni këtë përballje. Mund t’ju vendosë në vështirësi Vllaznia?
Vllaznia është një ekip shumë i fortë brenda fushe dhe ka dhënë prova kundër skuadrave pretendente për titull. E shikoj shumë të vështirë, sepse të dyja skuadrat luajnë për objektivat e tyre, por në fund jemi ne që mendoj se do të fitojmë takimin.
Me Cungun trajner, Vllaznia është forcuar. Ka të bëjë ky fakt për ju?
Trajnerin Cungu e njoh shumë mirë. Ai është një teknik që ka shkruar historinë me Kukësin dhe e njeh shumë mirë ekipin tonë. Me ardhjen e tij, Vllaznia është bërë më e frikshme. Kam shumë respekt për profesor Armandon, por këtë ndeshje le ta fitojë më i miri.
Për çfarë rezultati shkoni në Shkodër?
Si të gjitha ndeshjet e futbollit, kjo i ka të tre rezultatet brenda, por ne shkojmë vetëm për fitore.
Po miqtë dhe familjarët tuaj për kë do bëjnë tifozllëk?
Unë kam shumë njerëz në Shkodër, po besoj se gjysma do bëjë tifo për Vllazninë dhe gjysma tjetër për Kukësin, meqë luaj unë aty (qesh).
Po tifozët shkodranë si mendoni se do t’ju presin?
Unë jam shkodran e aty jam rritur dhe normalisht është ekipi im i zemrës, por tifo bëj për Barcelonën (qesh). Mendoj se do të më presin mirë. Jam profesionist, pavarësisht se jam shkodran, kështu që ata do të më mbështesin si djalë Shkodre.
Po ju në vetvete për kë bëni tifozllëk?
Në këtë ndeshje bëj tifozllëk për futbollin e bukur. Fitoftë më i miri në fushën e blertë! Presidenti Gjici ka kërkuar 4 fitore rresht.
Sipas jush, sa të mundshme janë për t’u arrirë?
Kukësi i ka të gjitha mundësitë për t’i fituar këto ndeshje. Me ardhjen e trajnerit Duro jemi më të stabilizuar dhe po rritemi. Fitoret që ka kërkuar presidenti janë më se të arritshme, pasi bazohem te puna e ekipit dhe stafit në muajt e fundit.
Jeni 4 pikë prapa Tiranës dhe Teutës, mendoni që do t’i kapërceni në renditje deri në fund të kampionatit, duke u pozicionuar të tretët?
Nuk i trembem as Tiranës dhe as Teutës, gjë e cila do të shikohet dhe në ndeshjet tona të drejtpërdrejta. Kukësi është rikthyer dhe nuk fal më. Vendi i tretë na takon ne.
Keni ndonjë preferencë për Kupën e Shqipërisë?
Do të preferoja Flamurtarin, jo sepse fituam javën e shkuar, porse ka një ekip me lojtarë shumë kualitativë dhe do të jetë një stimul më shumë për ne që t’i mundim. Plus që na kanë marrë një Kupë në finale dhe do të donim t’u kthenim borxhin.
Cili do të ishte përfundimi më i mirë i sezonit për Ansi Nikën?
Kam humbur një finale me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë, si dhe për një pikë kam humbur kampionatin me Teutën. Këtë vit do të doja Kupën e Shqipërisë, ndërsa sezonin që vjen dua titullin kampion me Kukësin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"