Nimaga: Kam punuar në market, këtu njerëzit rrinë shumë në kafe
Bakari Nimaga ka fituar trofe me Skënderbeun, është bërë pjesë e rëndësishme e klubit kampion, por e ka një peng në Korçë: penalltinë e humbur kundër Çernomoretsit dy vite më parë… Në një intervistë për gazetaren Hygerta Sako në TVSH ai rrëfen peripecitë për t’u bërë futbollist dhe ndihmën që i dha një çift gjerman për ta sjellë në Europë.
Më tregoni diçka për veten. Ju keni lindur në Kamerun, pse në këtë vend, kur ju jeni nga Mali?
Prindërit e mi kanë punuar në Kamerun shumë vite më parë. Aty më sollën në jetë dhe mua. Kemi jetuar pak vite atje dhe, më pas, u kthyem përsëri në Mali. Familja juaj tani jeton në Mali? Keni nënën aty dhe 3 vëllezër e katër motra.
Si i ruani marrëdhëniet me ata?
Po, kam marrëdhënie shumë të mirë. I shkruajmë njëri-tjetrit, flasim në telefon çdo ditë dhe shihemi për pushime.
Kë doni më shumë, nënën apo ndonjë nga motrat dhe vëllezërit?
Sigurisht nënën, e cila është gjithçka për mua. Nëse jam ky që jam sot, jam vetëm prej saj. I dua shumë edhe vëllezërit dhe motrat, por nënën më shumë.
Ata besoj se janë shumë të lumtur për ju dhe karrieren tuaj…
Po, janë shumë të lumtur, sepse para shumë vitesh kur unë linda, ata po kalonin një periudhë shumë të vështirë ekonomike dhe kemi bërë një jetë vërtet të vështirë. Nuk ka qenë e thjeshtë, ata kanë sakrifikuar shumë për mua. Në moshën 15-vjeçare u largova për në Afrikën e Jugut me ndihmën e një çifti nga Gjermania që njoha në Mali. Ata më panë duke luajtur futboll dhe, më pas, më telefonuan duke më thënë se “ke talent dhe mund të bëhesh një lojtar i mirë futbolli”. Ata më ndihmuan derisa unë e realizova ëndrrën time dhe tani gjithçka po shkon mirë. Janë vërtet njerëz të mirë dhe u jam mirënjohës. Janë familja ime e dytë.
Si ndihesh në Korçë dhe Shqipëri?
Mua më pëlqen Korça dhe mund të them këtë, që kur njerëzit sillen mirë me ty, gjithçka shkon mirë. Unë po eci mirë, jam i lumtur këtu. Tjetër gjë çfarë mund të më tregoni, sepse Korça është një qytet shumë i njohur për kulturën, traditën, ushqimin dhe muzikën.
Çfarë ju pëlqen nga këto. Keni ngrënë kërnacka ose lakror?
Jo, nuk kam ngrënë ushqim tradicional, por te restorantet ku kam shkuar më pëlqen ushqimi. Adhuroj krepat e trileçen. Po muzika? Po, më pëlqen kënga “Xhamadani vija-vija”. E këndoj edhe në stadium.
Shqipëria është shumë e ndryshme nga Mali, apo jo, në kulturë apo dhe fusha të tjera?
Po, është shumë ndryshe, edhe si kulturë. P.sh, në Mali njerëzit nuk rrinë kaq shumë nëpër kafene. Në Mali, njerëzit janë të zënë, kurse këtu në Korçë ne dalim shpesh për kafe, ka kaq shumë gjëra për të bërë këtu.
E rëndësishme është që ju jeni vërtet i lumtur këtu…
Po, kjo është vërtet e rëndë- sishme. Nëse ti je i lumtur aty ku jeton dhe punon, gjithçka të shkon mirë. Këtu mua njerëzit më respektojnë vërtet, janë shumë të mirë me mua, mund të them që ndihem si në shtëpi. Kjo është vërtet e rëndë- sishme. Të flasim pak për karrierën tuaj.
Si u lidhët me topin e futbollit?
E fillova futbollin prej vëllait tim të madh, sepse ai luante futboll, dhe unë e ndiqja pas në stërvitje.
Në çfarë moshe?
Kur isha 6-7 vjeç, i shkoja gjatë gjithë kohës nga pas dhe kështu erdhi ideja që ta filloja dhe unë futbollin.
E keni pasur një idhull besoj, ishte vëllai juaj apo dikush tjetër, ndonjë lojtar i njohur i Kombëtares së Malit ndoshta?
Po, në fillim më pëlqente Seidu Keita, kapiteni i kombëtares, aq sa përpiqesha që t’i ngjaja atij, por më pas filloi të më pëlqente lojtari i Mançester Sitit, Jaja Ture. Më pëlqen vërtet shumë.
Ju luajtët futboll në Mali deri në moshën 15-vjeçare. A ishte e vështirë apo e bukur?
Ishte pak e vështirë, mund ta them. Shkoja në stërvitje, në shkollë, pastaj shkoja të punoja në market, duke u përpjekur që të fitoja ca para sepse nuk ishim mirë ekonomikisht.
Pra, në një moshë të re, ju ndiqnit edhe shkollën, shkonit në stërvitje dhe punonit!
Po, ndihmoja xhaxhanë tim në market, që të mund të blija mjetet e nevojshme për të ndjekur futbollin.
A ka pasur ndonjë profesor ose njeri tjetër që besonte tek aftësitë tuaja, te talenti juaj kur ishit i vogël?
Nuk ka ndonjë njeri të veçantë, por kushdo që më shihte kur luaja futboll më thoshte se, nëse do të punoja shumë, mund të bëhesha një futbollist i mirë. Madje, edhe tani, trajneri më thotë të njëjtën gjë, që duhet të punoj shumë, pasi me punë mund t’ia arrij të kem sukses.
Më pas ju u njohët me çiftin nga Gjermania, i cili ju ndihmoi të shkonit në Afrikë të Jugut…
Po, shkova në Afrikë të Jugut dhe ndoqa akademinë e futbollit atje dhe, më pas, shkova në Holandë. Atje më thanë se nuk isha ende gati për të luajtur në ekipin e parë, sepse isha shumë i ri.
Në moshën 17-vjeçare, apo jo?
Po, më pas qëndrova në Gjermani dhe pastaj u riktheva në Mali. Dhe, më vonë, m’u dha mundësia të vija te Skënderbeu dhe ja ku jam sot.
Ju erdhët te Skënderbeu. Çfarë menduat në fillim, që po vinit në një vend për të cilin as nuk kishit dëgjuar dhe në një ekip të panjohur…
Përpara se të vija këtu, menaxheri më kishte folur për Skënderbeun, duke më thënë se është skuadra më e mirë e momentit në Shqipëri dhe se mund ta shfrytë- zoja këtë mundësi për t’u zhvilluar. Gjithashtu, më tha se do të ndihesha shumë mirë dhe që do të më bënte mirë për karrierën.
Tani që jeni këtu, çfarë mendoni për Skënderbeun, jeni i lumtur?
Po, jam i lumtur sepse është ekipi më i mirë në Shqipëri, gjithçka po më shkon mirë, tani jemi futur edhe në Europa League, bëmë histori, 5 herë rresht kampion, unë vetë si pjesë e tij jam 3 herë kampion, dy Superkupa.
Ju erdhët te Skënderbeu në 2013. Patët një episod për të cilin nuk jeni dhe aq i lumtur?
Po, po, kur erdha katër muajt e parë te Skënderbeu, luajtëm në eliminatoret e Europa League, kundër Çernomorets, më 28 gusht, nuk e harroj kurrë atë datë. Humba penalltinë e fundit dhe nuk u kualifikuam dot për në fazën në grupe. Ishte momenti më i keq i jetës sime.
Si e kaluat këtë moment?
Ka qenë vërtet e vështirë, sepse një javë pas asaj dite, unë humba babanë tim, ai ndërroi jetë në Mali. Mendova vërtet ta lija futbollin ato momente. Por kur u riktheva në Shqipëri, shokët e ekipit më qëndruan pranë, më jepnin motivim, edhe familja më qëndroi pranë dhe unë nuk u dorëzova, punova akoma më shumë dhe tani gjithçka po shkon mirë. Tani mund të themi që ju jeni nga lojtarët e rinj të Skënderbeut që kanë të ardhme.
Luani edhe në Europa League. Çfarë eksperience është kjo për ju?
Është një eksperiencë shumë e bukur, shumë lojtarë e ëndërrojnë një gjë të tillë. Për mua ishte hera e parë që luaja kundër një ekipi të madh dhe u mundova që të marr sa më shumë nga kjo eksperiencë. Unë do të punoj shumë dhe, më pas, do të shohim se çdo të bëhet.
Ju jeni dhe pjesë e kombëtares së të rinjve të Malit…
Po, kam marrë pjesë në Kupën e Botës për U-20 që u mbajt në Turqi. Ishte një eksperiencë fantastike. Shpresoj që të ripërsëritet.
Cila është ndeshja më e bukur që keni luajtur, sipas jush?
Është një ndeshje që kemi luajtur kundër Flamurtarit, në stadiumin e Vlorës, humbëm 1-0, por unë mendoj se kam bërë vërtet një lojë shumë të mirë në atë ndeshje dhe nuk e harroj.
Çdo futbollist ka diçka fatsjellëse para se të hyjë në fushë. Ju e keni diçka të tillë?
Unë marr nënën time në telefon dhe i them që të lutet për mua. Pastaj përqëndrohem dhe mundohem që të jap maksimumin në fushë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"