Nimaga: Mos më krahasoni me Orelesin, unë do bëj historinë time, ja ëndrrat e mia
INTERVISTË- Bakari Nimaga është kthyer në një pikë shumë të rëndë- sishme te Skënderbeu, sidomos në pjesën e dytë të sezonit. Pas largimit të Orelesit, ka qenë Nimaga ai që e ka zëvendësuar mesfushorin nigerian. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Nimaga ka theksuar se nuk do të krahasohet aspak me Orelesin, pasi nuk është si ai dhe kërkon të krijojë identitetin e tij te Skënderbeu.
Maliani kërkon të përqendrohet edhe për shumë kohë te Skënderbeu, duke treguar edhe kohën e lirë që kalon në Korçë.
Nimaga, dy gola të shënuar kundër Elbasanit tregojnë se ia keni marrë dorën edhe golit…
Është një kënaqësi e veçantë të shënosh, madje dygolësh, i cili është i pari për mua. E di që është shumë e vështirë që të shënosh dy gola në një ndeshje dhe për këtë jam shumë i kënaqur për paraqitjen time ndaj Elbasanit, por edhe të gjithë ekipit.
Pas largimit të Nuredin Orelesit, ju ka takuar juve të kapnit vendin e tij. Mendoni se e keni zëvendësuar mirë nigerianin?
Çdo lojtar ka kualitetet e veta dhe diferencat mes tyre janë të ndjeshme. Jam përpjekur të punoj fort dhe dua që të shkruaj historinë time te Skënderbeu. Për momentin, jam në rrugë të mbarë për ta bërë këtë gjë dhe shpresoj që të vazhdoj kështu për shumë kohë. Nuk dua që të krahasohem me Orelesin. Unë nuk jam Orelesi. Ai ka bërë historinë e tij te Skënderbeu dhe më pas është larguar. Mua më përket të jap kontributin dhe të shkruaj emrin në historinë e klubit dhe jo të ndjek rrugën e Orelesit.
Pikërisht në këtë moment jeni duke treguar një gjendje të mirë. Është kjo forma juaj e përshtatshme?
Po, jam në një formë shumë të mirë. E fillova mjaft mirë kampionatin, por fatkeqësisht dëmtimi në ndeshjen me Partizanin dhe operacioni në zemër më ka frenuar disi, duke ma ulur ritmin e vazhdimësisë time. Por tani falënderoj Zotin dhe jam duke fituar sërish formën.
Shpresoj që të vijoj kështu edhe për shumë kohë. Kur përfundon kontrata juaj me Skënderbeun?
Kontrata më lidh me klubin bardhekuq deri në 2017-ën. Kam shumë kohë përpara për t’u shndërruar në një idhull për këtë ekip. Pikësynimi juaj është për të qëndruar gjatë në Shqipëri? Po stërvitem që të realizoj ëndrrën time. Për momentin kam një kontratë afatgjatë me Skënderbeun dhe jam i përqendruar për të dhënë më të mirën time dhe për të ndjekur objektivat e ekipit. Do të shohim se çfarë do të vijë më pas në të ardhmen.
Dhe cila është ëndrra juaj?
Ëndrra ime është që të luaj në një nga kampionatet më të forta në botë, ndoshta në Itali, Francë, Gjermani, Angli apo Spanjë. Ju duket një ëndërr reale? Sigurisht që po. Kam besim tek aftësitë e mia. Asgjë nuk është e pamundur në jetë.
Keni marrë oferta nga klube të tjera?
Për momentin, dua të përqendrohem vetëm te Skënderbeu dhe tek asgjë tjetër. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë.
Si e kalon ditën Bakari Nimaga në Korçë?
Shkoj në stërvitje dhe pasi mbaroj kthehem në shtëpi për të pushuar.
Pra, ju nuk pini asnjëherë kafe me miqtë tuaj?
(Qesh) Sigurisht që po, por nuk doja ta thosha. Pi kafe çdo ditë me miqtë e mi, pasi klubin e kam poshtë apartamentit ku banoj.
Si janë raportet tuaja me femrat këtu në Shqipëri?
Mirë, por ju lutem nuk dua të flas për jetën time private. Atëherë, kthehemi te futbolli. Kundër Kukësit, do të jeni edhe për Kupë.
Është një short i kalueshëm?
Është një short me të vërtetë i vështirë, pasi ndeshemi me nënkampionin e sezonit të kaluar. Është një short i vështirë, por do të punojmë në maksimum për të arritur kualifikimin. Një gjë është e sigurt, do të takohemi në finale.
Luftoni edhe për kampionatin, mund t’ia dilni të fitoni sërish?
Jemi në vend të parë dhe forma jonë është mjaft e mirë. Jemi pa presion dhe të përqendruar për të përmbushur objektivat e klubit. Sigurisht që mund të fitojmë sërish titullin dhe t’i bëjmë pesë tituj radhazi.
Diferenca është e vogël, vetëm dy pikë larg vendit të dytë…
E dimë, por jemi të sigurt dhe të bindur se do ta fitojmë ne kampionatin këtë sezon. Me besim te Zoti, do t’ia dalim.
Përgatiti: LLAZI SARO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"