B.Xhimshiti kuqezi, nisin dhe procedurat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2014 | 9:30

B.Xhimshiti kuqezi, nisin dhe procedurat

XhimshitiBerat Xhimshiti do të luajë për Kombëtaren shqiptare. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta në Federatën Shqiptare të Futbollit, ku edhe kanë nisur tashmë procedurat për pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm për 21-vjeçarin nga Tërnovci. Duke qenë se jeton prej gati dy dekadash në Zvicër, në Zyrih, pikërisht aty ku edhe është rritur si futbollist, Xhimshiti nuk disponon nënshtetësi shqiptare dhe natyrisht as pasaportë të vendit tonë. Kësisoj, do të duhet që federata të bëjë të gjitha proceduarat sikundër ka vepruar edhe me lojtarë të tjerë me origjinë nga Kosova ose treva të tjera shqiptare. “Panorama Sport” ka zbuluar se një procedurë e tillë ka startuat tashmë dhe është pikërisht menaxheri i lojtarit që ka përgatitur dosjen voluminoze që duhet dorëzuar më pas nga FSHF-ja në institucionin e Presidentit të Republikës për marrjen e nënshtetësisë dhe më pas edhe pajisjen me pasaportë shqiptare.
Procedurat – Mësohet se trajneri De Biazi ka kërkuar që të përshpejtohet me dokumentacionin, pasi dëshiron që ta ketë këtë të fundit që në ndeshjet e muajit tetor, paçka se një gjë e tillë duket disi e vështirë, nisur gjithnjë nga burokracitë në depozitimin, dhënien e nënshtetësisë dhe më pas edhe pajisjen me pasaportë shqiptare. Sakaq bëhet e ditur se, ndryshe nga çfarë ka ndodhur me lojtarë si Migjen Basha, Shkëlzen Gashi, Amir Abrashi, etj., në rastin e Xhimshitit nuk do të kërkohet leje nga FIFA (lojtari ka luajtur disa ndeshje me Shpresat e Zvicrës), por vetëm nga federata zvicerane. Te kjo e fundit mësohet se nuk do të ketë problem, duke qenë se vetë menaxheri i Xhimshitit është i afërm me një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni. Ky i fundit, agjenti i Berat Xhimshitit, ka marrë një premtim verbal se mëngjarashit shqiptar do t’i jepet leje për të vijuar karrierën me Kombëtaren shqiptare.
Prapaskena – Duhet thënë se Berat Xhimshiti është kërkuar që para një viti nga De Biazi për të qenë pjesë e kuqezinjve, por ky i fundit pat refuzuar, me shpresën se në të ardhmen e afërt do të luante për Zvicrën. Trajneri italian e pat parë lojtarin e Zyrihut gjatë një ndeshjeje të kupës dhe kërkoi menjëherë që ai të afrohej te Shqipëria, por përgjigja e Xhimshitit ishte negative. Një vit më pas, kur gjasat janë që lojtari të mos grumbullohet nga përfaqësuesja helvete, menaxheri i tij i ka telefonuar De Biazit, duke i bërë të qartë disponibilitetin e Xhimshitit për kuqezinjtë.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"