Një biznesmen gjerman kërkon 25 % të aksioneve të Skënderbeut, zbulohet kompania që tenton blerjen (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 21:42

Një biznesmen gjerman kërkon 25 % të aksioneve të Skënderbeut, zbulohet kompania që tenton blerjen (E PLOTË)

Sirena gjermane për blerjen e 25 % të aksioneve të klubit të futbollit Skënderbeu, i cili prej gati një dekade është në pronësi të biznesmenit Ardjan Takaj.

Skenderbeu

Edhe pse ky i fundit nuk e ka bërë të ditur publikisht interesin që ka për shitjen e aksioneve, lajmi sensacional vjen nga Anglia. Është media prestigjioze “Sky Sports” ajo që bën të ditur se një biznesmen gjerman është shumë afër marrëveshjes për të investuar te klubi korçar.

Bëhet fjalë për biznesmenin Daniel Thomas Loitz, i cili drejton firmën e investimeve “Hokulani Ltd”. Lajmi fillimisht ka të bëjë me blerjen e klubit londinez të regbisë, “London Irish” nga ana e investitorit gjerman. Në vijim, “skysports.com” raporton se investitori gjerman është gjithashtu afër blerjes së 25 për qind të aksioneve në skuadrën e futbollit shqiptar, Skënderbeu. Lajmi specifikohet edhe me faktin se skuadra korçare u dënuan me 10 vjet përjashtim nga garat e UEFA-s për trukim të ndeshjeve.

Mesa duket kjo nuk përbën problem për gjermanin, që shpreson të investojë në klub bashkë me presidentin aktual, Takaj dhe të rikthejë shkëlqimin Skënderbeut, që dominoi për disa vite futbollin shqiptar, duke fituar 7 tituj kampionë, nga të cilët 6 radhazi.

CILA ËSHTË KOMPANIA? – Por cila është kompania që kërkon të blejë aksione te klubi i Skënderbeut? Kompania “Hokulani Ltd” ka një historik të shkurtër, pasi operon në treg prej vetëm dy vitesh, edhe pse investimi i tyre është mbarë botëror dhe në fusha të ndryshme. Në lidhje me qëllimin, në historikun e themelimit të kësaj kompanie, ndër të tjera shkruhet:

“Ne investojmë në të ardhmen e rajoneve individuale në mbarë botën. Sektorët përfshijnë të gjitha fushat e mundshme të biznesit fitimprurës. Fjala ‘Hokulani’ vjen nga gjuha Havai dhe do të thotë yll qiellor. Si një yll qiellor, ekipi ynë kërkon të investojë në rajone dhe kompani në mbarë botën për t’i ndriçuar ato. Hokulani Limited është një kompani e pastër private e investimeve. Asnjë fond nuk investohet nga investitorë të jashtëm”.

Nga veprimtarie tyre e fundit del qartë që sporti në përgjithësi është një nga sfidat e kësaj kompanie, pasi rrënjët po i shtrin në Angli në rregbi, por edhe në futboll. Mbetet për t’u parë nëse presidenti aktual i klubit korçar, Takaj, do të pranojë ofertën e gjermanit Daniel Thomas Loitz. Kujtojmë që klubi funksionon si shoqëri aksionere e themeluar në vitin 2016, ku Takaj ka 75 % të aksioneve, ndërsa 25 % bashkia Korçë. Nuk përjashtohet mundësia që biznesmeni gjerman të blejë aksionet që zotërohen nga bashkia dhe kësisoji të bëhet ortak i Takajt.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"