“Një hap për Durrësin”, maratona e shpresës. Organizatorja rrëfen eventin: Vrapim sensibilizues, paratë shkojnë për shkollën në Sukth

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2020 | 11:15

“Një hap për Durrësin”, maratona e shpresës. Organizatorja rrëfen eventin: Vrapim sensibilizues, paratë shkojnë për shkollën në Sukth

Qyteti i Durrësit ish te më i prekuri nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit. Ndonëse goditja ishte e tmerrshme, qyteti bregdetar kurrsesi nuk është dorëzuar. Duke marrë shkas nga kjo situatë, sportistja durrsake Deborah Keçi, e cila njihet për iniciativat e saj organizuese të eventeve të ndryshme sportive në Tiranë, ka menduar të japë kontributin për qytetin bregdetar. “Një hap për Durrësin”, quhet maratona që Deborah ka vendosur të organizojë për t’i rikthyer gjallërinë Durrësit. Një aktivitet që do të mbahet më 23 shkurt dhe paratë e grumbulluara do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle 9-vjeçare në Sukth. Një iniciativë mjaft e bukur, të cilën Deborah e rrëfen në një intervistë për “Panorama Sport”.

deborah keci

Deborah, na tregoni diçka më tepër rreth këtij projekti?

Unë punoj në Bashkinë e Tiranës te Drejtoria e Sporteve, ndërkohë që në këtë projekt kam dëshirë të prezantohem si Deborah, një vajzë durrsake që e dashuron sportin. Prej kohësh, që kur jam kthyer nga studimet jashtë Shqipërisë, jam angazhuar duke bërë aktivitete për Tiranën (triatlona dhe maratona), ndërsa në Durrës, qytetin ku kam kaluar fëmijërinë nuk kisha organizuar asnjë aktivitet promovues për sportin. Ndërkohë së fundmi, në një sondazh rezultonte se Shqipëria ishte populli më dembel në të gjithë Europën dhe Durrësi figuronte si qyteti më përtac. Këtu mora shtysë, ndonëse prej kohësh kisha menduar të bëja diçka për qytetin tim, duke aktivizuar rininë e duke i përfshirë në aktivitete të ndryshme. Duke qenë se jam marrë me organizime të triatlonave apo maratonave, mendova që diku nga pranvera ta bëj diçka të tillë edhe në Durrës. Ndërsa pas tërmetit thashë me vete, pse të mos përdor sportin për t’i përfshirë të gjithë në një event të tillë, por në të njëjtën kohë ta bëj me një kauzë të caktuar që ka të bëjë me sensibilizimin për tërmetin. Më pëlqen shumë kur sporti përdoret për t’i bërë njerëzit bashkë dhe besoj te fuqia që ka ai jo vetëm për të na bërë më të shëndetshëm, por edhe për të kontribuuar në një kauzë të caktuar. Kështu që vendosa të organizoj një maratonë vrapimi, pasi kjo që ndodhi me tërmetin na preku të gjithëve. Unë vetë personalisht nuk është se kam mundësi të bëj gjëra të mëdha, por nuk më mungon dëshira dhe vullneti për t’i bërë njerëzit bashkë. Nga një kontribut i vogël prej secilit mund të dalë një produkt i bukur, jo vetëm për qytetin, por edhe për shkollën që është dëmtuar. Më lindi ideja dhe kështu organizova eventin ‘Një hap për Durrësin’. Do të jetë një garë, ku pak rëndësi ka nëse vrapon shpejt apo ngadalë, nëse del i pari apo i fundit, por do të jetë një event ku do të hedhim një hap drejt së ardhmes, prandaj edhe slogani i aktivitetit është ‘hidhe edhe ti një hap për Durrësin’. Shumë njerëz kanë kontribuuar për tërmetin, ndërsa unë vendosa që në fillim ta specifikoj se ku do të shkojnë këto para që do të grumbullohen, pasi nëse e lija evazive, njerëzit do të ishin skeptikë. Kështu që shkova në Bashkinë e Durrësit dhe u kërkova një objekt fizik, qoftë një çerdhe, kopsht apo një shkollë të dëmtuar, duke dashur ta specifikoj që në fillim, pasi e kisha shumë merak këtë pjesë. Paratë që do të mblidhen le të shërbejnë për të rregulluar qoftë edhe një derë të shkollës. Kështu që kemi zgjedhur shkollën 9- vjeçare në Sukth ‘Njazi Mastori’.

82784522_10163239317470422_8783050160012787712_n

Pse zgjodhët pikërisht një garë vrapimi?

Mund të zgjidhnim edhe sporte të ndryshme, por vrapin mund ta bëjë gjithkush dhe garanton më shumë masivitet. Nëse do të kisha zgjedhur një garë noti, apo diçka tjetër, nuk do të kishte të njëjtën përfshirje. Vrapin mund ta bëjë kushdo, nuk ka nevojë për ndonjë stërvitje, apo edhe rreziqet janë shumë më të ulëta se sportet e tjera. Kështu që kjo maratonë është më gjithëpërfshirëse se të gjitha sportet e tjera. Para pak kohësh u organizua edhe një ndeshje futbolli, por njerëzit ishin spektatorë, ndërsa tashmë të gjithë do të kenë mundësinë të jenë protagonistë. Në këtë formë secili jep një kontribut personal për kauzën.

Cili do të jetë itinerari i kësaj gare? 

Është një itinerar që përshkon të gjithë qytetin e Durrësit. Do të jetë një distancë prej 5 kilometrash. Është menduar i tillë për të përshkuar rrugët apo pikat më të bukura të qytetit. Nuk është vetëm një garë sensibilizuese, por në të njëjtën kohë është edhe një garë promovuese për qytetin. Ka pasur regjistrime nga qytete të ndryshme dhe është një mundësi shumë e mirë për promovimin e Durrësit, në një kohë kur njerëzit kanë marrë frikë që të kthehen në këtë qytet, pasi vazhdojnë të jenë të tronditur nga tërmeti. Kam miq që tashmë kanë frikë të shkojnë në Durrës qoftë edhe për një drekë, kështu që mendoj se kjo është një mundësi mjaft e mirë për ta rigjallëruar qytetin.

Si po pritet kjo nismë?

Kam pasur shumë përgëzime për këtë iniciativë dhe realisht mjaft mbështetje. Disa kompani janë afruar për të më ndihmuar, pasi sigurisht që nuk mund t’ia dal dot vetëm. Gjithashtu kam pasur mbështetje nga Bashkia e Durrësit, apo nga rinia durrsake. Kështu që besoj dhe jam e bindur se deri në fund të regjistrimeve do të arrijmë të mbledhim atë shumë që nevojitet dhe më 23 shkurt do t’i japim Durrësit një gjallëri që se ka pasur asnjëherë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shumë optimiste dhe dua të falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe mbi të gjitha njerëzit që do të regjistrohen, pasi do të jenë ata që do t’i japin energji dhe frymë këtij projekti.

ssss

Si mund të regjistrohen vrapuesit në garën “Një hap për Durrësin”? 

Ne kemi hapur një faqe “online”, adresa e së cilës është ‘njëhappërdurrësin.com’. Në këtë faqe të gjithë mund të marrin informacion për itinerarin, vendin ku do të startojë gara, orarin, si dhe ku mund të bëhet pagesa. Pagesa mund të bëhet edhe “online” pasi regjistrohesh, ose në të gjitha pikat “easypay” në çdo vend të Shqipërisë nëse nuk ke mundësi të paguash “online” me kartë. Dy ditë para garës ne do të hapim një tendë në vendin ku do të bëhet nisja (“Sheshi Liria”) dhe me konfirmimin që u vjen në e-mail, do të kenë mundësinë të tërheqin edhe bluzat me logon e “Një hap për Durrësin”.

Sa duhet të paguajë një garues për t’u regjistruar?

Shuma është 10 euro për çdo regjistrim. Një shifër ku çdokush mund ta përballojë. Ndërkohë, dua të theksoj se nuk do të jetë një garë e mirëfilltë, ku nuk do të ketë kohëmatje. Do të zgjidhen tre fituesit e parë meshkuj dhe femra. Do të jetë një kohëmatje simbolike vetëm për tre të parët, ndërsa secili mund të zgjedhë nëse do të vrapojë apo ta bëjë këtë distancë me ecje duke marrë me vete edhe fëmijët. Gjatë garës rrugët do të jenë të bllokuara, e me këtë rast dua të falënderoj policinë, pasi në Durrës kjo do të jetë një risi.

Cili është mesazhi që doni të përcillni nëpërmjet këtij eventi?

Mesazhi është shumë i qartë: të bëhemi të gjithë bashkë për të hedhur një hap për Durrësin. I bëj thirrje rinisë durrsake që të dalë të dielën e 23 shkurtit dhe t’u tregojë të gjithëve që nuk është pasive, por bëhet bashkë dhe sensibilizohet kur është nevoja. Të gjithë bashkë t’i japim Durrësit energjinë dhe t’i ikim zymtësisë që ka pllakosur qytetin. Ta kthejmë Durrësin në vendin turistik që ka qenë një herë e një kohë. Të mos presim nga të tjerët, duke nisur nga qeveritë, bashkitë, apo partitë politike, por ta nisim nga vetvetja, pasi ndryshimi i parë fillon që këtu”.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"