Një jetë në futboll, Ilir Daja: Ju rrëfej 50 vitet e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2016 | 0:19

Një jetë në futboll, Ilir Daja: Ju rrëfej 50 vitet e mia

Për Ilir Dajën, e enjtja ka qenë një ditë më shumë se speciale, pasi festoi 50-vjetorin e tij. Një jetë kushtuar futbollit, mes emocioneve dhe dhimbjeve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku i Tiranës zbulon emrin e trajnerit të tij të parë, por jo vetëm, ndërsa tregon raportet me lojtarët, por edhe presidentët. Mes dhuratave dhe urimeve të shumta, ai rrëfen anën tjetër të Dajës, atë që pakkush e njeh.

daja

Një jetë mes futbollit të luajtur dhe trajningut, si do ta përkufizonte Daja këtë 50-vjetor?

Nëse do të rikthehesha në moshën 8-vjeçare, kur kam nisur edhe futbollin, nuk do të ndryshoja profil, do merresha sërish me futbollin. Si ai i luajturi edhe ai si trajner më kanë dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme.

Ku e keni nisur futbollin?

Për koincidencë, e kam nisur me Tiranën, me trajner Skënder Halilin.

Cili ka qenë momenti më i lumtur në jetën tuaj?

Përveç ardhjes në jetë të djalit, që ka qenë momenti më i lumtur për mua, në karrierën sportive do të veçoja titujt kampion si futbollist dhe si trajner, ato dy që dihen. Por këtu dua të shtoj edhe dy tituj të tjerë, një me Dinamo U-17 dhe një tjetër me akademinë time, para një viti, kur dolëm kampionë të Kategorisë së Parë me U-19. Por, fakti që drejtoj ekipin më të titulluar në Shqipëri më jep goxha sodisfaksion.

Po momenti më i hidhur sportiv?

Ka qenë dëmtimi që kam pësuar në vitin ’89, në ndeshjen e Kupave në atë kohë, kundër Dinamos së Bukureshtit, ndeshje që luhej në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Ndonëse luajta futboll edhe disa vite, besoj se aty mbaroi karriera ime si futbollist. Bëra disa ndërhyrje radhazi në gju, pasi ashtu ishin edhe teknikat e operacioneve asokohe në Shqipëri.

Një moment tjetër ka qenë gjatë operacionit të krociatit, në Shqipëri sërish, mjekët më qepën gabimisht edhe nervin shiatik, për 7 muaj më dëmtuan edhe kaviljen. Ishte një moment shumë i vështirë, sepse, përveçse nuk e mendoja dot veten pa futbollin e luajtur, gjendja shëndetësore shkoi deri anë të pikë sa mund të kisha probleme edhe me ecjen.

Daja me lojtaret Tirana

Njiheni si trajneri që ruan raporte të mira me lojtarët, por mund të na zbuloni se cili ka qenë futbollisti më i vështirë që keni trajnuar?

Të them të drejtën, me 99% kam kaluar shumë mirë, pasi në përgjithësi raportet i kam të mira me lojtarët.

OK, por ndonjë lojtar që ka pasur karakter të vështirë për t’u menaxhuar mund të na veçoni?

Nuk kam pasur në fakt. Unë, përveç drejtimit sportiv, kam investuar edhe në formimin tim në aspektin psikologjik, madje në bibliotekën time ka shumë libra të psikologjisë. Mendoj se ata më kanë dhënë orientime shumë të mira për të menaxhuar edhe ata lojtarët “e vështirë”.

Po lojtari që ju ka befasuar me përkushtimin dhe korrektësinë cili ka qenë?

Ka qenë Graniç. Përveç sjelljes si profesionit në fushë, ishte i tillë edhe jashtë saj. Ndërsa një ndër më të mirët që kam stërvitur ka qenë Nevil Dede. I vështirë, por vështirësia qëndronte në faktin që ai kishte mentalitet fituesi dhe kjo për mua nuk ishte shqetësim. Nevili ishte një lojtar që merrte shumë përsipër në fushë.

Daja-Halili

Si ka qenë raporti juaj me presidentët?

Tepër korrekt. Në çdo ekip që kam drejtuar, kam bërë punën time, natyrshëm që nuk kam pranuar ndërhyrje. Që në kontaktin e parë që kam me presidentët, u kam bërë të ditur që në aspektin teknikotaktik, grupin do ta drejtoj vetë, bashkë me stafet që kam pasur. Ndaj nuk kam pasur asnjë problem dhe rrjedhimisht marrëdhëniet kanë qenë të mira.

Do të cilësoja si më të vështirin “Xhatin” (Bizhdilin), të cilin e kam mik sot e kësaj dite. Kam drejtuar dy herë Besën dhe raportet i kam shumë të mira. Dihet që Refik Halili është një njeri me shumë “bonus” për çdo trajner, pasi nga natyra nuk di të ndërhyjë. Por nuk mund të harroj edhe Ben Lazen, pasi s’më ka pyetur qoftë edhe njëherë se kush do të jetë në 18-shen e ekipit.

Dhurata keni marrë me bollëk sot (dje), por cila ka qenë më e veçanta?

Dhuratën e parë e kam marrë nga djali im, ishte më e veçanta. Erdhi në orën 12 e 1 minutë të natës me vëllanë tim, bashkë me një tortë me uniformën e Tiranës, atë bardheblu. Por edhe një “Iphone 7”, një tjetër dhuratë e veçantë, sërish nga im bir.

Ilir Daja feston ditelindjen

Urimet duhet të kenë qenë të shumta, cili është më speciali nëse mund të na e zbuloni?

Ende jo, por ish-lojtarë më kanë uruar dhe jam ndier i vlerësuar. Pasi më kanë uruar edhe futbollistë që i kam pasur dhe në akademi, me grupmoshat. Ruajnë respekt për punën time. Jam shpërblyer për punën e bërë dhe më shumë se kaq nuk kam çfarë pres.

Veç futbollit, cili është pasioni i fshehur i Dajës?

Përveç futbollit, pasion im janë udhëtimet.

Udhëtimi më i bukur që keni bërë?

Kanë qenë të shumtë, pasi “hobi” im është makina. Më pëlqen ta ngas vetë dhe jo të jem pasagjer, pasi mërzitem kur nuk e kam vetë timonin.

Cili ka qenë kundërshtari si futbollist apo si trajner që vlerësoni më shumë?

Janë të shumtë trajnerët që vlerësoj, pasi futbolli është një lojë subjektive dhe vetëm rezultati është objektiv në këtë histori. Kam shkuar mirë me të gjithë kolegët, por tani që drejtoj Tiranën, pjesa më e bukur dhe më e vështira është derbi. Nuk do të veçoja ndonjë, pasi respekt kam për ata shqiptarë, por edhe ata të huaj që kanë trajnuar në Shqipëri. Janë disa që të vënë në vështirësi.

Ushqimi i preferuar dhe si i keni raporte me gatimin?

Vetë nuk di të gatuaj, përveç ndonjë gjëje të thjeshtë, pasi gjithë jetën kanë gatuar të tjerët për mua. Nuk kam ndonjë preferencë. Kam oreks të mirë për fat deri më tani, por makaronat mund t’i veçoja.

Daja Tirana stervitje

E fundit, cili ka qenë një element që mezi e keni rregulluar te Tirana?

Unë, për një javë, bëj një vit që jam te Tirana. Para se të hyja te Tirana erdha në majë të gishtave, pasi vetë klubi më i titulluar në Shqipëri ta imponon këtë. Në menaxhimin e grupit, raporte me presidentin nuk kam pasur asnjë incidentet, qoftë edhe më të voglin, edhe pse janë normale, por ajo që kam dashur të rregulloj ka qenë marrëdhënia me tifozët. Ata janë më të mirët dhe unë vija nga një tjetër klub, por mendoj se ia kam dalë.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"