Një kubane e veshur bardheblu, Sanchez rrëfen jetën në Shqipëri: Klubi më ka pritur me shumë dashuri, të fitojmë gjithçka!
Yanileydis Sanchez erdhi në verë në Shqipëri duke u provuar në një turne volejbolli në rërë që u zhvillua në Tiranë, ndërsa më pas iu bashkua skuadrës bardheblu.
27-vjeçarja nga Kuba është përshtatur mjaft mirë me Tiranën, ndërsa paraqitjet e saj me ekipin kryeqytetas kanë ardhur gjithnjë në ngritje, duke u shndërruar në një prej lojtareve kryesore të skuadrës. Pas disa muajve në vendin tonë, Sanchez rrëfen në një intervistë për “Panorama Sport” eksperiencën e saj në Shqipëri. Volejbollistja tregon me superlativa pritjen që i është bërë në shtëpinë bardheblu. Ajo flet për objektivat e pjesës së dytë të sezonit, por gjithashtu edhe për jetën jashtë parketit në kryeqytet, teksa thotë se i pëlqen shumë ushqimi dhe klima e Shqipërisë.
Yanileydis, si kanë qenë këto muaj për ju te Tirana?
Këto muaj të parë te Tirana ka qenë shumë të mirë. Drejtoresha dhe i gjithë grupi i vajzave më kanë pritur me shumë dashuri që prej ditës së parë kur kam ardhur.
Jeni e kënaqur me paraqitjet tuaja deri tani?
Jam e kënaqur me performancën e skuadrës, pasi ka qenë shumë e mirë. Sigurisht kemi pasur edhe momente jo të mira, por për çdo ekip fitues duhet të kalojë edhe këto momente, që të dijë të korrigjohet dhe në fund të sezonit dalë fitimtarë.
Vini nga volejbolli i plazhit, duke kaluar në parket. Ku ndieni më mirë?
Si në rërë gjithashtu edhe në parket ndihem shumë mirë. Në volejbollin e plazhit kam më shumë eksperiencë dhe arritje më të mëdha, por mund të them që ndihem njësoj mirë në të dyja.
Si ndiheni në skuadrën e Tiranës?
Ekipi i Tiranës është një institucion i madh, klubi më i mirë në Shqipëri dhe për mua është nder që të përfaqësoj këtë stemë dhe këto ngjyra. Bashkë me vajzat punojmë fort çdo ditë për të arritur objektivat. Tirana është një stil jete. Me këtë rast dua të falënderoj shumë menaxherin e klubit, Andi Baretin, trajnerin Hasan Gurabardhi dhe drejtoreshën Deborah Keçi, të cilët më kanë dhënë mundësinë që të jem pjesë e këtij projekti.
Çfarë prisni nga faza e dytë?
Në këtë pjesë të dytë të sezonit objektivi jonë është që të fitojmë të gjitha ndeshjet dhe të luftojmë për çdo trofe të mundshëm. Kemi një ekip të madh dhe mendoj që mund t’ia arrijmë.
Cili është opinioni juaj për volejbollin shqiptar?
Volejbolli në Shqipëri ka një zhvillim të mirë dhe këtë e kam kuptuar që kur mora pjesë në verë në lojën e plazhit, gjithashtu po e shikoj edhe tani në kampionat me Tiranën.
Si ju duket Shqipëria?
Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe i bukur. Njerëzit janë shumë të mirë dhe unë kam pasur një mirëseardhje të madhe nga të gjithë që në fillim.
Si është jeta juaj jashtë volejbollit?
Jeta ime jashtë volejbollit është e qetë, më pëlqen të kaloj kohë me familjen time, të shkoj në palestër dhe të shikoj seriale. Është një jetë shumë e qetë.
Çfarë ju pëlqen më shumë nga vendi ynë?
Këtu më pëlqen shumë klima, pasi nuk është një klimë shumë e nxehtë si ajo që kemi në Kubë, në vendlindjen ime. Më pëlqen gjithashtu edhe ushqimi.
Si e kaloni kohën e lirë?
Kohën time të lirë e kaloj duke shkuar në palestër, duke pushuar në shtëpi, ndërsa gjithashtu dal për “shopping” me miken dhe shoqen time të skuadrës, Alisa Ibrahimi.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"