“Një miks mes Gutit e Modriçit”/ Rekorde e talent, ja pesë sekretet e Arda Gylerit
Në merkato e kërkonte gjysma e Europës, por Arda Gyler në fund zgjodhi Realin e Madridit, skuadër me të cilën ka nisur sezonin 2023-2024. Gyler iu bashkua Realit nga Fenerbahçe, ku ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit sezonin e kaluar.
Është e qartë se Gyler ka potencialin për t’u bërë një talent i rrallë, falë aftësive të tija teknike, vizionit të lojës dhe pjekurisë pavarësisht moshës së re.
I aftë për të luajtur si mesfushor sulmues qendre ose në krahë, Karlo Ançeloti me siguri që do të adhurojë shkathtësinë e Gylerit dhe i riu mund të fitojë shumë minuta në krahun e djathtë në formacionin 4-3-3 të Madridit. Për ta njohur pak më mirë yllin e ri të Real Madridit, më poshtë janë pesë gjëra që duhet t’i dini për Arda Gylerin.
KRYEQYTETAS – Guler vjen nga Ankaraja, kryeqyteti i Turqisë, por karrierën e tij e ka kaluar përmes Stambollit, ku gjenden dhe klubet më të rëndësishme të vendit. Pikërisht nga Gençlerbirligi ai kaloi dhe shpejt te Fenerbahçe.
MË I RIU QË SHËNON ME TURQINË – Ai ka luajtur katër ndeshje me kombëtaren turke dhe në kualifikueset e “Euro 2024” ai shënoi përballë Uellsit golin e parë me Turqinë, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e kësaj kombëtareje me 18 vjeç e 114 ditë.
PASUESI I OZILIT – Një nga lojtarët me të cilët Gyler krahasohet shpesh është ish-mesfushori i Realit të Madridit, Mesut Ozil, dhe i riu në fakt ishte në gjendje të mësonte nga gjermani duke pasur parasysh se Ozil ishte në skuadrën e Fenerbahçes kur ai u bë pjesë e ekipit të parë.
MËNGJARASH – Gyler nuk është një mëngjarash i lindur, por falë këmbënguljes së babait të tij, ai luan me këmbën e majtë. Kur ishte fëmijë i ati i vendoste tullumbace në këmbën e majtë për të mësuar të godasë…
PENALLTIA – Kur Gyler ishte në akademinë Gençlerbirligit, një nga detyrat ishte të punonte si kapës topash gjatë disa ndeshjeve. Në një ndeshje në vitin 2018, në të cilën skuadra e meshkujve të klubit të tij u përball me Trabzonsporin, skuadra mike fitoi një penallti. Gyler ishte afër portës dhe ndjeu se e dinte se në cilën anë do të gjuante sulmuesi. 12- vjeçari i bërtiti portierit të skuadrës së tij, Johanes Hopf, që të hidhej djathtas. Portieri e dëgjoi dhe e priti penalltinë.
SERHAT PEKMEZI – Serhat Pekmezi, zbuluesi i Arda Gylerit, ka treguar disa të fshehta rreth talentit 18-vjeçar të Madridit, për të cilin Reali pagoi 30 milionë euro. Serhat Pekmezi, nënvizoi se atij vetë nuk i pëlqen krahasimi i nxënësit të tij me Lionel Mesin:
“Mesi i ri? Ata janë shumë të ndryshëm. Gyler do të thoshte se ai është më shumë një përzierje mes Gutit dhe Modriçit. Ai është shumë i sigurt, ai ka ambicie të mëdha dhe ka aftësinë për të zhbllokuar ndeshjet”.
Jo vetëm kaq, por për rolin që Arda Gyler mund të ketë në Madrid, zbuluesi i tij ka gjithashtu idetë e qarta: “Jam i bindur se një ditë të bukur ai do të jetë kapiten i Realit të Madridit dhe Turqisë dhe i pari turk që do të fitojë Ligën e Kampioneve”.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"