Një muaj te Apolonia, trajneri Rodriges: Pres 4 afrime, i kemi hedhur themelet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2023 | 15:54

Një muaj te Apolonia, trajneri Rodriges: Pres 4 afrime, i kemi hedhur themelet

Jeraj Rodriges Rodriges “zbërthen” Apoloninë. Kur ka kaluar një muaj nga ardhja e tij dhe ka zhvilluar tri miqësore, trajneri ka një ide më të qartë për ekipin që drejton. Edhe pse ka humbur përballë Bylisit, Elbasanit dhe Flamurtarit, spanjolli nuk shqetësohet.

rodriges

Nuk i interesojnë rezultatet në këto ndeshje testuese, kur lojën e ekipit e sheh në rritje. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, flet edhe për merkaton. Klubi nuk e ka bërë ende asnjë afrim, por tekniku nuk pezmatohet. I kanë premtuar 4 përforcime dhe është i sigurt që deri më 31 gusht do t’ia sjellin.

Mbushët muajin në Fier. Si ka qenë kjo periudhe për ju?
Muaji i parë ka shkuar shumë mirë. Ne kemi punuar ditë pas dite për të hedhur themelet e para të projektit tonë. Jemi duke kërkuar çdo ditë e më shumë, madje duke përmirësuar gjithçka deri në detajet më të vogla. Ekipi në tërësi dhe lojtarët në veçanti po japin maksimumin e tyre, gjithashtu po mësojnë diçka të re çdo ditë dhe jam plotësisht i bindur që do të jenë shumë konkurrues. Këtë mentalitet po e arrijmë në çdo seancë stërvitore.

Faza përgatitore po shkon drejt fundit, ka arritur kulmin e saj, nisur nga ngarkesat e marra dhe miqësoret e zhvilluara deri tani. Si paraqitet situata aktuale e ekipit?
Situata aktuale e ekipit është e kënaqshme. Jemi duke përmirësuar konceptet fizike, teknike dhe taktike të modelit e stilit të lojës. Gjithçka po bëhet nga e para dhe mund të them se ky fillim është i mbarë.

Tri ndeshje miqësore të zhvilluara dhe të tria të humbura. A nuk jeni i shqetësuar për këto humbje?
E vërtetë që kemi humbur në tri ndeshjet e para miqësore, por nuk më shqetëson aspak rezultati. Ai është në plan të dytë në këtë fazë. Personalisht shoh që skuadra po tregon pjekuri dhe përmirësim të vazhdueshëm të lojës, e mbi të gjitha një nivel konkurrues, i cili është për t’u vlerësuar e duartrokitur. Ne kemi vendosur udhëzime dhe koncepte për çdo ndeshje, ku disa gjëra janë bërë mirë dhe disa të tjera jo aq mirë. Vijojmë me përgatitjet tona dhe qëllimi ynë kryesor është përmirësimi i lojës dhe ndreqja e gabimeve të bëra që në startin e kampionatit të jemi më shumë se gati, pasi aty gjithçka është shumë serioze.

A morët përgjigjet e duhura nga ekipi në tërësi?
Skuadra dhe lojtarët po i përvetësojnë konceptet çdo ditë e më mirë, kjo gjë nuk është e lehtë. Madje kërkon edhe shumë kohë. Fatmirësisht ata po i përvetësojnë shpejt, ndaj jam i kënaqur, kështu që na mbetet vetëm të vazhdojmë punën e nisur, me të njëjtën dëshirë, besim, vendosmëri dhe përgjegjësi.

Kanë mbetur vetëm 8 ditë nga mbyllja e merkatos verore. Kur do ta bëjë Apolonia transferimin e parë?
Nëse gjithçka shkon sipas planit, me drejtuesit sportiv të klubit që kanë punuar në heshtje të plotë e me shumë kujdes, atëherë në ditët në vijim do të mbërrijnë 2 nënshkrimet e para, mundësisht edhe 2 të tjera deri më 31 gusht. Kështu ka qenë ideja dhe objektivi ynë që në fillim. Pra, plot 4 nënshkrime për të përmirësuar ndjeshëm skuadrën në cilësi e sasi dhe për të qenë shumë dinjitozë në këtë ligë të gjatë e të vështirë.

A është e gatshme Apolonia të përballet me kampionatin me kontingjentin e lojtarëve që ka?
Patjetër që po, por edhe përforcimet do të jenë të rëndësishme, duke ditur që kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Ato do të rrisin cilësinë e konkurrencën dhe skuadra do të jetë në lartësinë e duhur për t’u përballur më këdo e kudo.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"