Një portugez dhe një mbrojtës nga Kategoria e Parë shfaqen në provë me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 10:32

Një portugez dhe një mbrojtës nga Kategoria e Parë shfaqen në provë me Dinamon

Përveç pjesës së lojtarëve që kanë qëndruar nga sezoni i shkuar, që përbëjnë pak më shumë se një skuadër si numër, në ditën e parë të stërvitjes së Dinamos dolën në fushë edhe 4 afrimet e reja.

dinamo2-632x450-1

Bruno Dita rikthehet pa shumë vitesh te 18 herë kampionët e vendit, kurse Aldo Teqja, Eriudon Qardaku dhe Peter Itodo Mandela bashkohen për herë të parë me kryeqytetasit. Javët e para të stërvitjes në Arbanë do të shërbejnë edhe si një periudhë seleksionimi apo prove te blutë. Janë disa të rinj, por edhe lojtarë të tjerë me eksperiencë, shqiptarë dhe të huaj, të cilët do të përpiqen të bindin trajnerin Dritan Mehmeti dhe stafin e tij për të veshur fanellën e Dinamos.

XHIKA – Një prej këtyre lojtarëve që po provohen te Dinamo është mbrojtësi Serxho Xhika, 24-vjeçari i cili sezonin e fundit luajti me Luzin. Nëse e kalon provën, ai do të qëndrojë si një alternativë për prapavijën e Dinamos, ku pritet të vijë edhe një qendërmbrojtës brazilian. Aktualisht për qendrën janë në dispozicion vetëm Rustem Hoxha dhe Stivian Janku, ndërkohë që në këtë pozicion luan edhe Dita. Xhika ka luajtur një sezon të rregull në Kategorinë e Parë dhe mund të jetë i vlefshëm për blutë, por vendimin do ta marrin stafi teknik dhe drejtuesit e klubit.

PISTA PORTUGEZE – Me kryeqytetasit është bashkuar në stërvitje edhe një futbollist portugez, por për momentin nuk ka shumë të dhëna. Dihet vetëm që ai luan si mesfushor qendre dhe stafi teknik i Dinamos do ta shohë me shumë kujdes për disa ditë, para se të vendosë për të ardhmen e tij. Gazeta mëson gjithashtu se nga Portugalia mund të vijnë edhe lojtarë të tjerë te Dinamo, por edhe ata duhet të bindin para se të firmosin kontratën.

TË RINJTË – Te Dinamo priten edhe disa afrime të tjera “big”, të paktën edhe tri të tilla, por njëkohësisht do të vijnë në Arbanë edhe të rinj nga kampionate të huaja, kryesisht nga Italia, për t’u testuar. Nëse ata do të tregojnë vlera, mund të ketë një marrëveshje për sezonin e ardhshëm. Klubi ka si qëllim të investojë edhe te të rinjtë, përveç skuadrës së parë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"