Një serb “blindon” mbrojtjen, Milani bën gati 25 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2024 | 18:29

Një serb “blindon” mbrojtjen, Milani bën gati 25 milionë euro

Mbrojtësi qendror i Serbisë, Strahinja Pavloviç, i lindur në vitin 2001 është një nga të paktët lojtarë që i shpëton dështimit të një kombëtareje që u eliminua në fazën e grupeve të EURO 2024, pavarësisht se pritshmëritë për ta ishin të mëdha.

pavlovic

Napoli është prej kohësh duke e vëzhguar, por në orët e fundit ka pasur një interes të fortë nga ana e skuadrës së Milanit që dëshiron të forcojë sektorin e mbrojtjes, një nga pikat më të dobëta të sezonit që u mbyll me lojtarë të dëmtuar dhe jashtë forme.

“Në verë dua që të transferohem në Serinë A”, ka thënë mbrojtësi nga grumbullimi i Serbisë dhe ëndrra e tij mund të bëhet realitet. Në fakt disa vite më parë ai ishte praktikisht lojtar i Lacios, por nuk kaloi dot me sukses vizitat mjekësore. Milani kërkon që të përfitojë nga fakti që shihet si një skuadër e privilegjuar nga ana e Salcburgut edhe falë marrëveshjes për Okarofin në verën e kaluar.

Kjo do të thotë se ka nisur bisedimet me klubin austriak për të parë mundësitë e konkretizimit të kësaj çështjeje. Kartoni i Pavloviçit kushton 20-25 milionë euro, por garancitë janë prej moshës. Ai është ende i ri dhe ka mundësi që të përmirësohet për t’u shndërruar në një nga kolonat e mbrojtjes së Milanit.

Pavloviç pëlqehet edhe për faktin se është një lojtar që mund të luajë si në qendër të mbrojtjes ashtu edhe në krah. Në këtë mënyrë do ta bënte të lumtur trajnerin Fonseka, i cili ka dhënë miratimin që klubi të futet në bisedime dhe ta transferojë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"