Nuk bindën gjatë “provës” pesëmujore, Apolonia largon dy nga kenianët që erdhën në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2024 | 15:04

Nuk bindën gjatë “provës” pesëmujore, Apolonia largon dy nga kenianët që erdhën në janar

Apolonia duket se po u vë “fshesën” të huajve që ka në skuadër, që gjatë sezonit të fundit ishin larg pritshmërive. Pas largimit të portierit Romeo Harizaj dhe mesfushorit Stefano Omeri, që u përfundoi kontrata, “Panorama Sport” mëson se të njëjtin fat kanë pasur edhe dy lojtarë kenianë.

apolonia

Pikërisht mbrojtësi i djathtë, Kevin Odongo, si dhe qendërsulmuesin Levis Shivaçi, të cilët u afruan në janar. Me sa duket ata nuk kanë bindur me paraqitjet e tyre për të qenë pjesë e fierakëve edhe sezonin e ardhshëm. Klubi ka ndarë rrugët me marrëveshje, edhe pse në janar erdhën si përforcime që mund t’i shërbenin shumë ekipit. Duket se periudha e tyre e “provës” gjatë këtyre muajve nuk ka kaluar me sukses. I vetmi i mbijetuar nga kenianët e ardhur në merkaton e dimrit është mesfushori Kevin Injehu, i cili në pesë javët e fundit u kthye në një titullar fiks tek Apolonia.

Ai do të vijojë të jetë pjesë e klubit, pasi shihet si një element i rëndësishëm dhe nuk do të ketë “fatin” e të tjerëve. 18-vjeçari ka qenë një ndër afrimet e merkatos së dimrit në Kategorinë e Parë dhe për shkak të moshës së tij të re, në klub e shohin si një element që mund të shërbejë jo vetëm në sezonin e ri, por edhe të perspektivës, nga ku mund të përfitohet nga shitja e tij. Largimet e para kanë qenë nga lojtarët vendës dhe të huaj. Aktualisht, klubi ende nuk ka një listë zyrtare të atyre që do të largohen në vijim apo ndërpritet bashkëpunimi, por mësohet se janë shumë lojtarë të rrezikuar.

Më së shumti, ata që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion. Pritet që brenda disa ditësh të qartësohet edhe kjo situatë, për t’u dhënë mundësinë lojtarëve që do të largohen të shkojnë në skuadra të tjera që kërkojnë shërbimet e tyre, duke mos i mbajtur “peng” deri në fund. Fakti që do të ketë shumë hyrje në merkaton e verës e detyron klubin të bëjë spastrime. Në një situatë të tillë do ta pësojnë ata që kanë kontribuar më pak.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"