“Nuk ka asnjë problem me logon dhe dokumentacionin”, presidenti Bardhi: Dinamo City e ardhmja, mos shihni të kaluarën
Drejtuesit e Dinamo City nuk shohin ndonjë mister te klubi që drejtojnë dhe financojnë.
Ata janë të qetë sa i takon çështjes së logos apo çështjes së dokumentacionit për ndryshimet e fundit, ndërkohë që duan të sqarojnë njëherë e mirë se Dinamo është vetëm një, ajo e 1950-ës, tashmë e pagëzuar Dinamo City. Sipas tyre, nuk ka asnjë klub të ri apo fshirje të historisë, sikurse interpretohet nga një pjesë e opinionit sportiv. Presidenti i Dinamo City thekson për “Panorama Sport” se modifikimi i emrit dhe logos është bërë vetëm për të mirën e skuadrës, për ta çuar atë në majat e futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Ai shpreh bindjen se projekti i ri është vizionar dhe e ardhmja e futbollit.
NDRYSHIMET Presidenti i Dinamos nuk ka folur për të kaluarën, për të shpjeguar kalimin nga shoqatë në “Sh.a.”, por merret me të ardhmen. “Nuk e di pse krijohen këto situata. Ne kemi ngjallur një ‘të vdekur’, por ju më duket se e doni akoma ‘të vdekur’… Nuk ka asnjë problem me logon dhe dokumentacionin, çdo gjë është bërë konform rregullave. Dhe këtë gjë unë si president, tani bashkë me tre aksionerët e tjerë, e kemi bërë vetëm për të mirën e Dinamos, nuk duam të çojmë asgjë në shtëpitë tona. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Dinamo City është një projekt vizionar për futbollin shqiptar, është e ardhmja e futbollit. Unë vazhdoj të përsëris që këtë fat të madh në Shqipëri e pati Dinamo dhe jo skuadra të tjera në vendin tonë. Vetëm disa klube në gjithë botën e kanë fatin të bashkëpunojnë apo të binjakëzohen me Mançester Sitin. Dhe një nga këto klube është Dinamo City. Modifikimi është bërë vetëm për këtë projekt, për të treguar nisjen e këtij bashkëpunimi, nuk ka asnjë qëllim të fshijë të kaluarën. Përkundrazi, ne jemi të nderuar dhe respektojmë gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë klub në Shqipëri. Dinamo është ajo që ka qenë, e krijuar në vitin 1950 dhe këtë e vërteton ylli që është në logon e Dinamo City. Nuk ka asnjë çështje këtu”, ka deklaruar fillimisht presidenti Bardhi.
E ARDHMJA Kreu i klubit blu më tej përmend disa argumente pse ky projekt është e ardhmja: “Ne po bëjmë investime të mëdha, ju po e shikoni. Kemi sjellë në skuadër një trajner shumë të kualifikuar, një emër të madh si Luixhi di Biaxho, që ka drejtuar edhe Italinë. Ne kemi bërë një investim kolosal për ndërtimin e selisë së klubit në Arbanë, ku është krijuar kompleksi i ri me të gjitha çfarë nevojiten, me fusha të reja të cilësisë së lartë. Për të mos folur për merkaton e lojtarëve. Po investojmë fort për akademinë e Dinamo City, duam të kemi një skuadër U-19, që të pretendojë titullin kampion. Kemi afruar njerëz të kualifikuar në çdo sektor dhe për të gjithë këto them se Dinamo City është e ardhmja”.
DINAMO E FUSHËS Presidenti Bardhi është shumë entuziast për skuadrën që është krijuar, pavarësisht humbjes në derbin me Tiranën. “Për herë të parë në këto 3 sezone që jam president i Dinamos kam ndierë kënaqësi në ndeshjen me Tiranën. Jam i lumtur për lojën që zhvilloi skuadra, edhe pse është bërë thuajse e gjitha nga e para. Pamë një Dinamo City me personalitet në fushë dhe që prodhoi futboll të bukur. Shënuam dy gola, krijuam raste ndaj një kundërshtari të fortë, nuk mund të prisja më shumë në ndeshjen e parë të kampionatit. Nuk dua të flas për rezultatin, u pa se çfarë ndodhi dhe nuk dua të merrem fare me këtë pjesë. Edhe në fund patëm raste ta barazonim rezultatin. Ajo që skuadra tregoi në atë ndeshje më bën shumë optimist për një sezon të bukur dhe kompetitiv”, ka thënë numri 1 i klubit kryeqytetas.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"