Nuk ka pushim për Apoloninë, stafin mban lojtarët në kushte loje dhe piketohen përforcimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 15:04

Nuk ka pushim për Apoloninë, stafin mban lojtarët në kushte loje dhe piketohen përforcimet

Kampionati për Apoloninë përfundoi pas ndeshjes me Flamurtarin në “play off”, por skuadra ka vazhduar punën në fushë. Pas pushimit në fundjavë, e hëna e ka gjetur ekipin në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

apolonia

Të pranishëm dje ishin të gjithë lojtarët, të cilët punuan normalisht sipas programit të stafit teknik, që kishte planifikuar një ndeshje testuese brenda grupit. Qëllimi ishte për të parë në kushte loje të rinjtë e grupmoshës U-19 dhe U-21, të cilët prej disa javësh po stërviten rregullisht me ekipin e parë. Konkretisht bëhet fjalë për dy portierët e rinj, Bega dhe Xhemali, mbrojtësit Folorunsho, Kofi dhe Odongo, mesfushorët Musa, Injehu dhe Hoxhaj, si dhe sulmuesit Çulli, Kalice, Nasir, Sulo dhe Shivaçi. Nuk do të jetë e para ndeshje kontrolli brenda grupit, pasi do ta ndjekin këtë “traditë” deri në startin e mirëfilltë të fazës përgatitore verore. Apolonia do të stërvitet edhe një javë në Fier, pastaj fierakët do të pushojnë pas datës 31 maj, për një periudhë 3-javore. Klubi nuk e ka bërë ende programin zyrtar të përgatitjeve verore, por me shumë mundësi faza e mirëfilltë do të zhvillohet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”.

Merkato- Po ndiqen disa pista për përforcimin e skuadrës me lojtarë me eksperiencë. Mesfusha ka marrë vëmendjen kryesore, pasi ka qenë edhe sektori më problematik. Gjatë kampionatit të fundit, ky sektor ka pasur probleme duke detyruar stafin teknik që të përshtatë lojtarë të pozicioneve të tjera. Klubi po ndjek disa profile lojtarësh që e njohin mirë Kategorinë e Parë, pasi kërkon garanci në investimin që do të kryejë për të përforcuar mesfushën. Mund të ketë edhe ndonjë surprizë, pikërisht me ndonjë lojtar të Superiores, që mund të ketë eksperiencën e duhur për të ndihmuar Shanajn dhe Bejzaden.

Ditët në vazhdim do të tregojnë më shumë, por pritet që ky sektor të marrë zgjidhje. Nga burime të gazetës është mësuar se Apolonia po sheh edhe nga tregu i huaj për të gjetur lojtarë cilësorë për qendrën e mesfushës dhe jo vetëm. Nga jashtë Shqipërisë, mund të vijnë edhe futbollistë të reparteve të tjera, si për mbrojtjen dhe sulmin. Fakt është se klubi fierak synon të jetë sa më i matur në goditjet që do të bëjë këtë verë, me qëllimin që Apolonia të jetë një pretendente e denjë për t’u ngjitur në elitë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"