Operohet pas dëmtimit, Dejvi Bregu: Rikthehem më i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2019 | 10:29

Operohet pas dëmtimit, Dejvi Bregu: Rikthehem më i fortë

Operohet Dejvi Bregu. Dëmtimi që pësoi të mërkurën në miqësoren ndaj Tiranës rezultoi fatal për sulmuesin, pasi dje i është dashur që të kryejë direkt ndërhyrje kirurgjikale. Edhe pse fraktura që pësoi në krah ishte realisht e rëndë, mjekët ortopedë kanë dhënë lajme të mira për “yllin” e Skënderbeut.

049415F5-A4A2-4836-82F8-C19D0FBEFA41

Si opsion ishte që krahu të futej në allçi, e megjithatë është parë e udhës që të futej në sallë që rikuperimi të jetë më i shpejtë. Vlonjati u operua në një prej spitaleve private në kryeqytet, ku edhe zhvilloi operacionin për të ngjitur frakturën në krahun e majtë. Për fat të mirë, gjithçka shkoi me sukses dhe duke parë gjendjen momentale të krahut të vlonjatit, mjekët ortopedë dhanë lajmin që riktheu buzëqeshjen në kampin korçar.

Dejvi Bregu, sipas mjekëve, brenda muajit shkurt do të jetë totalisht i rikuperuar dhe për rrjedhojë, nën urdhrat e trajnerit Shehi, si një lojtar tejet i rëndësishëm. Burime pranë klubit bëjnë me dije për gazetën se me shumë mundësi vlonjati do të rikthehet në fushë pas 3 javësh. Gjithnjë sipas mjekëve, pas ndërhyrjes kirurgjikale që shkoi më së miri, 26-vjeçari ka nevojë për 10 ditë regjim absolut dhe më pas 3 javë rikuperim për t’iu bashkuar sërish grupit.

REAGIMI I BREGUT

Përgjatë gjithë ditës së djeshme, numri 23 i Skënderbeut ka dashur qetësi maksimale, duke shkëputur çdo kontakt me mediat, para, por edhe pas operacionit. E megjithatë, gazeta “Panorama Sport”, pas tentativës që pati, mundi që t’i shkëpusë një deklaratë të shkurtër sulmuesit.

Ai duket tejet optimist dhe paralajmëron se do të kthehet më i fortë se kurrë. “Dëmtimi erdhi në momentin më të keq të mundshëm dhe normalisht që nuk ndjehem aspak mirë. Për fat të mirë kreva këtë operacion dhe gjithçka shkoi më së miri. Jam i bindur se dhe koha e rikuperimit do të jetë më e shkurtër nga sa mendohej fillimisht. Mbi të gjitha, do të rikthehem i fortë për të ndihmuar ekipin tim drejt objektivave sezonalë”, mbylli prononcimin e tij Dejvi Bregu.

FRIKA PËR RIKUPERIMIN

Pavarësisht optimizmit të dhënë nga mjekët italianë që kryen ndërhyrjen kirurgjikale, periudha e rikuperimit është në varësi të mënyrës sesi do të ecë riaftësimi i Bregut. Nëse gjithçka shkon sipas planeve, atëherë lojtari pritet që të bashkohet me ekipin më shpejt nga sa u fol fillimisht, brenda muajit shkurt. Por, nga ana tjetër, nuk përjashtohet mundësia që rikuperimi i sulmuesit vlonjat të zgjasë afro 3 muaj. Një gjë e tillë do të kishte vërtet pasoja te korçarët, që do të humbisnin për një kohë të gjatë “yllin” e ekipit.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"