Çfarë është një kampionat i futbollit?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2023 | 22:11

Çfarë është një kampionat i futbollit?

Nga BESNIK DIZDARI

Besnik-Dizdari

1.

Një kampionat i futbollit është një garë sportive e sportit më popullor të historisë së njerëzimit që është sporti i futbollit. Një kampionat i futbollit është gara më spektakolare midis të gjitha sporteve. Një kampionat i futbollit është jo vetëm një garë sportive.

partizani murataj

Një kampionat i futbollit për çdo komb është një ngjarje sociale, festive, kombëtare, përfaqësuese, humane, psikologjike, “luftarake”, pse jo, edhe teatrale, në kuptimin dramatik të saj. Të gjitha këto edhe ngaqë: “Futbolli është arti që përmbledh një histori universale në 90 minuta” (George Bernard Shaw).

E, për një kampionat të futbollit ka dhe shumë kuptime të tjera. Një kampionat i futbollit është kësisoj, edhe një eveniment tejet origjinal. Atë e mishërojnë skuadrat që konkurrojnë. E mishëron skuadra e qytetit tënd të lindjes, të rritjes, të jetesës, të dëfrimit, të çlodhjes fizike e mendore. Kjo skuadër është përfaqësuesja e qytetit në kampionatin e futbollit, në këtë rast në kampionatin e një kombi, që quhet Kampionati Kombëtar i Futbollit.

Përfaqësuesja e futbollit të qytetit tënd stërvitet gati çdo ditë për të mbërritur te ndeshja e javës, zakonisht ditën e diel, kur ajo pra, jep shfaqjen e saj në stadiumin e qytetit përballë skuadrës kundërshtare të një qyteti tjetër. Mandej, javën tjetër, ajo shkon e luan me skuadrën e një qyteti po tjetër. Kështu është përcaktuar qysh në kampionatin e parë të futbollit, siç dihet, se është kampionati i Anglisë, që ka filluar në sezonin 1888- 1889, fituar nga klubi Preston.

I imituar prej të gjitha shteteve të botës. Kampionati i futbollit është ai që krijon fitore dhe humbje. Kur skuadra fiton, ky është një gëzime kënaqësie të madhe, jo vetëm për mijërat njerëzit që gjenden në stadium, por edhe për ata të tjerët, të cilët e dëgjojnë në radio apo që e shohin në televizor. Me të gjitha këto dhe me plot të tjera, një Kampionat Kombëtar i Futbollit vetvetiu bëhet fort i rëndësishëm. Kështu ngaqë ai mishëron jo vetëm një, si të thuash, “etni” qytetare, por ngaqë ai krijon përherë një kënaqësi edhe shpirtërore, një krenari qytetare, po e po, ku ti si spektator ndien përherë edhe një përfaqësim të vetvetes. Kjo është një nga çuditë më të mëdha të vlerave të një kampionati të futbollit.

Dhe nëse dikush nuk e trajton si të tillë një kampionat të futbollit, ai është jorealist – më saktë është jashtë një realiteti. Dhe dashur pa dashur, mohon një dukuri sa shpirtërore aq dhe sociale e deri dhe të një politike madje, të mbarështimit të një pjesë kulturore të jetës në të gjithë larminë e saj universale. Të gjitha këto dukuri, të gjitha këto cilësi, vlejnë edhe për Kampionatin Kombëtar të Futbollit në Shqipëri, që është ndër më të hershmit në Europë (1930).

Ato u përmblodhën edhe të hënën e shkuar në fitoren e titullit kampion të Partizanit, që shkaktoi një festë të njerëzve, një gëzim të pamatë popullor, deri në eufori, çka dihet që përherë krijon një kampionat i futbollit, i nxit, si të thuash, ai i “urdhëron” vetvetiu.

2.

Duke qëndruar te kampionia e re e Shqipërisë, që është Partizani, vetvetiu mbërrijmë te sukseset, tashmë të 17 titujve të tij, shumicën e të cilëve brezi im i ka përjetuar pothuajse drejtpërdrejt. Dhe për të kuptuar edhe më mirë se çka është një Kampionat Kombëtar i Futbollit, duke qëndruar thjesht te titujt kampionë të Partizanit, u nënshtrohesh emrave, kampionëve të tij të famshëm, të cilët me fitoret e kampionateve të tyre, ashtu si dhe skuadra të tjera kampione, bëhen shkak për të zbërthyer vetë kuptimin e një kampionati të futbollit.

Ata janë emra të skalitur në vitet 1947, 1948, 1949, 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964, 1971, 1979, 1981, 1987, 1993, 2019, 2023. Emra të pafund që këtu vendi nuk më lejon t’i përmend të gjithë, por vetëm disa të një kontributi më të rrallë, më historik, më të pashlyeshëm. Po përzgjedh kështu, disa prej tyre, duke i vendosur sipas alfabetit dhe duke u vënë pranë vitin kur janë shpallur kampionë të Shqipërisë me Partizanin e tyre:

Arbana 1954; Asani 2019; Atanaskoski 2023; Ballgjini H. 1981; Balluku V. 1971; Bano 1993; Berisha S. 1971, 1979, 1981; Bespalla 1958, 1959; Biçaku 1948, 1949; Bitri 2023; Bizi 1971; Bonati 1948, 1949; Boriçi L. 1949, 1954; Breca 1979, 1981; Bukoviku 1959, 1961; Bytyçi 1963; Cani 1971; Cara 2023; Viktor da Silva 2023; Deda 1954, 1957, 1958, 1959, 1961; Deliallisi 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Demneri 1947; Dibra M. 1948; Dingu 1959, 1961, 1963, 1964; Fagu B. 1947, 1948, 1949, 1954, 1957, 1958, 1959; Fagu M. 1979, 1981; Fakja B. 1948; Frashëri F. 1963, 1964; Gogoni 1963; Gjinali Z. 1947, 1948, 1949; Hadroj 2023; Hametaj 1979, 1981, 1987; Haxhiu A. 1954, 1957, 1958; Haxhiu M. 1964; Hoti 2023; Hoxhaj A. 2019, 2023; Hysi K. 1979, 1981; Janku A. 1971, 1979; Janku M. 1963, 1964; Jashari R. 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Kalluci 1971; Karriqi 1979; Kraja 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Kushta 1987; Lame 1979, 1981, 1987; Lekbello 1979, 1981; Lisi 1947, 1948; Llambi S. 1948, 1949; Maliqati 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Mba 2023; Mema O. 1961, 1963, 1964; Mensah 2023; Merhori A. 1947, 1948, 1949; Merja G. 1954, 1957, 1958, 1959, 1961; Millo 1987; Muhedini 1971; Murati 1979, 1981; Musta 1979, 1981, 1987; Ndini 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Ocelli 1987, 1993; Pano L. 1987; Pano P. 1961, 1963, 1964, 1971; Papadhopulli M. 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Parapani 1948, 1949, 1954; Resmja 1954, 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964; Rexhepi 2023; Rragami F. 1979, 1981; Sakiqi 1947, 1948, 1949; Seferaj S. 1959, 1961; Seferaj Su. 1971; Skuka 2023; Spahiu 1954; Starova 1979, 1981; Shandro 1971; Shaqiri P. 1971; Shaqiri Xh. 1948, 1949; Shehu T. 1958, 1959, 1961, 1964; Shehu Y. 1987, 1993; Shllaku 1957, 1958, 1959, 1961, 1963, 1964, 1971; Shulku 1993; Telushi 2023; Tomori 1981, 1987; Topi 1957; Thaka 1971; Vaso T. 1964; Vathi 1947; Vogli F. 1954, 1957, 1958; Zaho 1964; Ziu A. 1971.

Këta janë disa emra që mendova të përzgjedh për këtë shkrim (të plotë, pa asnjë mungesë, të gjithë kampionët partizanas do t’i gjeni në numrin e qershorit të periodikut “Futbolli Shqiptar Mg” nën titullin “Panteoni i Partizanit”). Pa harruar ndërkaq, të gjithë trajnerët kampionë të 17 titujve të Partizanit, të cilët janë:

Sllave LLAMBI, Myslym ALLA, Rexhep SPAHIU & Nikollai LJUKSHINOV, Rexhep SPAHIU, Loro BORIÇI, Bejkush BIRÇE, Neptun BAJKO, Sulejman STAROVA, Skënder GEGA, Xhovani KOLELA.

Të gjithë kampionët me çka kanë kontribuar na bëjnë të nënkuptojmë se çka është fitimi i një kampionati të futbollit. Qoftë edhe ky i sapofituar, me gjithë baraspeshën e tij, në një duel të rrallë me Sport Klub Tiranën, deri aty saqë logjika na thotë se edhe sikur ta kishte fituar klubi i vjetër kryeqytetas, meritat mbeten krejt të barabarta.

3.

Duke vazhduar për të mbërritur te përgjigjja e pyetjes se: “Çka është një kampionat i futbollit” edhe pas titullit të sivjetmë nr. 17 të Partizanit, padyshim përgjigjja na thotë pak a shumë këto: Ajo çka ngjau në fundin e këtij kampionati të futbollit, datuar 2023, na kujton se një kampionat i futbollit sa është i parashikueshëm, po aq është dhe i paparashikueshëm. Ky titull i Partizanit 2023 na thotë që, dhe pse SK Tirana kryesoi plot 22 javë e Partizani 13 javë, titullin e fitoi Partizani, duke na provuar se një kampionat i futbollit, përveç të tjerave, është disi edhe “i pabesë”.

Ai të tradhton edhe në çastin kur ti ke zgjatur dorën për të rrëmbyer kupën e titullit. Siç ngjau kësaj here, ku një kampionat i futbollit i tha Sport Klub Tiranës se unë ta heq titullin e kampionit mû në minutën e fundit të kampionatit. Ndoshta edhe ngaqë, teksa je mbase i marrë disi mendsh prej kryesimit aq të merituar të 22 javëve, ke harruar se rivali yt në 4 ndeshjet të ka mundur 2 herë, ndërsa ti e ke mundur 1 herë. Është gati po ai shkak për të cilën më 2021-shin Teuta fitoi titullin ndaj Vllaznisë, edhe pse me pikë të barabarta të dyja (66).

Ka qenë një fund dramatik që ngjan jo pak me këtë të sivjetmin, teksa ndodhi që në javën e fundit Teuta fitoi 6-1 me Apoloninë, Vllaznia 2-0 me KF Laçin e Partizani 4-2 me Bylisin. Dhe? Teuta 66 pikë, Vllaznia po 66 dhe Partizani 65 pikë. Dhe kampione Teuta, në këtë rast për shkak të golavarazhit më të mirë të të gjitha ndeshjeve të kampionatit. Kjo ngaqë takimet e drejtpërdrejta me skuadrën shkodrane ishin të barabartë në humbje e fitore si dhe në golat.

Por në Shqipëri u japin përparësi ndeshjeve të drejtpërdrejta! Rregull fort i diskutueshëm ngaqë ne nuk jemi gjermanë, por shqiptarë. Bajerni u shpall kampion i Gjermanisë 2023 me pikë të barabarta (71) me Borusia Dortmundin, sepse kishte golavarazh më të mirë për të gjitha ndeshjet e kampionatit (+54 gola) përballë Borusias (+39 gola).

Kështu, në Shqipëri fitoi Partizani për të 17-ën herë, madje për herë të parë në historinë shqiptare të tij, ai fitoi edhe falë meritës së një trajneri italian me emrin Xhovani Kolela. Të Italisë pra, ajo, e cila ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në themelimin e kampionatit kombëtar të Shqipërisë më 1930. Kampionati Kombëtar i Republikës së Shqipërisë 2023, por edhe ai 2019, pyetjes “sonë” se:

“Çka është një kampionat i futbollit?”, u detyrua t’i japë një përgjigje aspak të ngjashme me ato që mund të na kenë dhënë 15 kampionatet e tjera të fituara prej Partizanit. Kësisoj, ngaqë ai nuk është më Partizani i Ushtrisë Kombëtare, as i Ushtrisë Popullore, as Partizani i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë Popullore, as Partizani i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, emërtime me të cilat ai jetoi e fitoi në vitet e regjimit komunist. “Partizani 2023 është një skuadër si gjithë të tjerat, një skuadër civile e qytetare ‘e çmilitarizuar’ prej shumë vitesh”.

Ndërsa ne do të shtonim se ky Partizan i sotëm, pse jo, është një skuadër e ekonomisë së tregut. Madje më shumë se kaq kur kujton se jo larg, por më 2012 ishte skuadër e kampionatit të Kategorisë së Tretë (e quajtur rrejshëm Kategori e Dytë). U kthye mbas një mungese katërvjeçare në kampionatin parësor kombëtar me një bilanc mbresëlënës, teksa brenda dhjetë vjetëve të fundit, kjo skuadër e Kategorisë së Tretë e vitit 2012, sot arrin në dy herë nënkampione, 3 herë e treta dhe çka është më e rëndësishmja, dy herë kampione!

Në tërësi, thuajse rrufeshëm ia arrin të rimëkëmbet, deri aty saqë brenda 5 vjetëve fiton dy tituj (2019, 2023) të kampionit të Shqipërisë. Duke e studiuar edhe rastin e tij, ata të cilët marrin përsipër drejtimin e skuadrave të kampionatit, duhet të binden se një kampionat i futbollit në shoqërinë e sotme, kërkon aftësi të mëdha organizuese, bashkim lojtarësh, përveç të tjerave të një stili e të një harmonie.

Natyrisht pa harruar thelbësoren që përmblidhet me këto fjalë: në fund të fundit, një kampionat i futbollit sot arrin të formojë një skuadër kampione detyrimisht kur ka financa fort të qëndrueshme, siç, me sa duket, i pati ky Partizan me në krye presidentin e tij fjalëpakë, Gazmend Demin – mbarështues jo vetëm i një titulli, por dhe i ngritjes së një stadiumi partizanas, duke u bërë Partizani klubi i parë në historinë e gjithë futbollit shqiptar që ka një stadium krejtësisht të vetin. Nuk do të harrohet forca e këtij stadiumi në ndeshjen e fundit me Teutën, që i dha titullin.

4.

Tash, duke kaluar në këtë “kapitull” tjetër të këtij shkrimi me titullin “Çka është një kampionat i futbollit?”, përgjigjet patjetër që do të kenë një ton tjetër, madje kritik. Kështu pra: një kampionat i futbollit është edhe ai që jo vetëm e ruan traditën e historisë së tij, të skuadrave, të qyteteve, por edhe që e përforcon atë.

Mund të themi se, ky kampionat nr.84 (për mua nr. 87) i Shqipërisë, na trondit kur pyetjes sonë është i detyruar t’i përgjigjet kështu:

“Më falni, por unë e kam cenuar tejet traditën time, sepse kam jashtë qytete ndër më tradicionalet: Elbasan e Vlorë, Kavajë e Korçë, Berat e Gjirokastër, Fier e Lushnjë. Dhe i kam jashtë ngaqë unë jam dobësuar tejet, teksa jam përfshirë në një harresë të pamasë. Dhe i kam ikur historisë deri aty saqë më janë tronditur deri dhe themelet e mia”. Kështu na përgjigjet ky kampionat. Dhe në të vërtetë “guxon” e na jep vetë ai këtë përgjigje. Ndërsa heshtin drejtuesit e këtij kampionati. Në futbollin e kohës së sotme përgjigjja e pyetjes se:

“Çka është një kampionat i futbollit?”, na thotë se një kampionat i futbollit është një garë që e drejtojnë vetë ata që marrin pjesë në të. Vetëkuptohet përmes asaj që quhet Liga Kombëtare e Futbollit, “krijimi” dhe çkrijimi” i së cilës mbeti një ngjarje fort e rëndë për atë që po e quaj liria e Kampionatit të Futbollit të Shqipërisë. Moskrijimi i saj vetvetiu ka cenuar pikërisht lirinë apo më saktë, drejtimin e lirë, demokratik dhe atdhetar të kampionatit.

Sigurisht, merret me mend, se kjo nënkupton çlirimin e kampionatit dhe skuadrave të tij prej tutelës së Federatës Shqiptare të Futbollit; e po deshe thuaj çlirimin prej autokracisë federaliste – çka për kampionatin e Shqipërisë me vetëm 10 skuadra përbën një nevojë urgjente.

Tashmë u vërtetua se ky çlirim nuk mund të vijë prej Federatës Shqiptare të Futbollit, por mund të vijë vetëm prej bashkësisë së klubeve e skuadrave të qyteteve. Atyre të cilave po urgjentisht u takon të zgjohen prej një nënshtrimi asisoj shembullor të deritashëm dhe të marrin në duart e tyre fatin e skuadrave e të qyteteve që përfaqësojnë.

Kësisoj, në përgjigje të pyetjes se “Çka është një kampionat i futbollit?”, ky i stinës 2022-2023 na përgjigjet kryeulët se një kampionat i futbollit nuk është si ky i sotmi me vetëm 10 skuadra e me gati nja 10 të tjera të traditës të përjashtuara prej tij. Çka nëse do ta lejojnë që të mbetet përsëri i tillë, tash që vjen edhe Dinamo, ai do të jetë një kampionat 30 për qind i kryeqytetit. E edhe pse po rikthehet Skënderbeu i Korçës, me ikjen e Ballshit prapë ai do ta meritojë titullin “Kampionati i Shqipërisë së Mesme”. Dhe Jugu i Shqipërisë që do të përfaqësohet vetëm nga një skuadër: Skënderbeu i Korçës. Përfundimisht pyetja se:

“Çka është një kampionat i futbollit?”, për Shqipërinë ka këtë përgjigje: “Një kampionat i futbollit është ai që mishëron përfaqësimin gjeografik të qyteteve kryesore të vendit, të traditës, të një “etnografie” të pasur qytetesh themeluese të këtij kampionati. Kjo edhe ngaqë një kampionat i futbollit nuk mund të jetë ai, i cili sundohet 30 për qind nga kryeqyteti. Madje sundohet kësisoj edhe me zyrtarë, edhe me arbitra, edhe me delegatë e vëzhgues.

Shumica shokë mes veti. Pse jo, sundohet edhe me “analistë” televizivë po nga Tirana – çka cenon jo pak edhe mendimin e pavarur futbollistik kombëtar të vendit. Në fund të fundit, siç po shihet, prej vitesh kjo çon ujë në të mirë të mullirit kryeqytetas. E pra, çfarë ka prodhuar në thelb ky kampionat, modest i Shqipërisë, ku 11-shet e skuadrave përbëhen deri në mbi 60 a 70 për qind me lojtarë të huaj, shumica e të cilëve të nivelit mesatar?

Prej vitesh mbërrijmë në situata apo dukuri kur edhe fitimi i titullit kampion të Shqipërisë së 21 dhe 19- vjeçarëve nga dy epiqendra talentesh siç janë Vllaznia e Shkodrës dhe SK Tirana e Tiranës, të mos ngjallin emocione nxitëse teksa përjetojmë braktisjen e këtyre talenteve. Kjo përderisa askush, as FSHF-ja, as dhe një rregullore për së mbari nuk nxit, nuk sanksionon. Madje, kur në fund të fundit, nuk urdhëron trajtimin, ruajtjen e këtyre talenteve, zhvillimin e tyre për skuadrat e qyteteve të tyre. Vetëm kampioni Partizani aktivizoi 11 lojtarë të huaj! Vërtet:

“Çka është Kampionati Kombëtar i Futbollit të Shqipërisë?”, të cilit as emri nuk i përmendet më, por që quhet tash e parë vetëm “Superliga – Abissnet Superiore”? Një ditë mbas përfundimit të kampionatit dhe fitimit të titullit nga Partizani shumica e gazetave të përditshme nuk dhanë as lajmin për përfundimin e tij. Kështu nuk ngjet në asnjë vend të botës.

Dhe mandej habitemi se si ky kampionat sivjet duhet të ketë fiksuar numrin më të pakët të spektatorëve në gjithë historinë 95-vjeçare të tij. Kampionati i Shqipërisë ka humbur nordin e tij dhe shembulli i bukurisë së titullit të Partizanit nuk mjafton për fuqizimin e tij. Shqipëria amatore e stërmadhe e ndeshjeve të kampionateve të shteteve të tjera, ksenomane e futbollit të përtej kufijve të saj, për fat, gjithnjë e më pak po e vështron kampionatin e saj. Dhe në çfarë kohe? Në kohën e sotme, e cila tashmë e ka flakur tej sentencën e vjetër që thoshte se “futbolli” është gjëja më e rëndësishme e dorës së dytë”. Nuk është më kështu.

Qoftë dhe për këtë fakt të thjeshtë: vetëm për pjesëmarrje dhe eliminimin qysh në turin e parë të Ligës së Kampioneve, Partizani i Shqipërisë fiton gati 1 milion euro. Çka tregon se puna e rëndësisë së “dorës së dytë”, ka kaluar në rëndësinë e “dorës së parë”. Ngado që ta marrësh pra, një kampionat i futbollit përveçse një garë sportive, për çdo komb ai është dhe një ngjarje sociale, festive, kombëtare, përfaqësuese, humane, psikologjike, “luftarake”, pse jo, edhe teatrale, në kuptimin dramatik të saj. Të gjitha këto edhe ngaqë:

“Futbolli është arti që përmbledh një histori universale në 90 minuta” (George Bernard Shaw). E mishërojnë skuadrat që konkurrojnë në të. E mishëron skuadra e qytetit tënd të lindjes, të rritjes, të jetesës, të dëfrimit, të çlodhjes fizike e mendore. Po nuk e kuptuam kështu do t’i kemi punët gjithnjë e më keq.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"